Reisi Rexhepi uron Presidentin Trump për fitoren

Reisi Rexhepi uron Presidentin Trump për fitoren
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, H. Sulejman ef. Rexhepi, nëpërmjet Ambasadorit Jess Baily dhe Ambasadës Amerikane në Shkup, ia uroi fitoren Presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Donal Trump. Gjegjësisht, nëpërmjet një telegram urimi, Kreu i BFI, H. Sulejman ef. Rexhepi, në emrin e tij personal dhe në emër të gjithë muslimanëve të Maqedonisë, e uroi Presidentin e sapozgjedhur të Amerikës dhe i dëshiroi sukses e shëndet në udhëheqjen e shtetit më të fuqishëm dhe më demokratik në Botë.
Në vijim është telegrami i dërguar: Telegram Urimi
I nderuari Zotëri Ambasador Jess L. Baily
Lajmi për zgjedhjen e Presidentit të 45 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Republikanin Donald Trump na gëzoi pa masë, pikërisht për mënyrën e lartë demokratike të zhvillimit të zgjedhjeve dhe sjelljen dinjitoze të votuesve, andaj me këtë rast kam kënaqësi që në emër të Bashkësisë Fetare Islame në RM, të gjithë besimtarëve muslimanë dhe në emrin Tim personal, t’ju uroj Ju dhe gjithë popullit mik Amerikan për zgjedhjen e Presidentit tuaj të ardhshëm.
Këto zgjedhje padyshim që do të jenë historike dhe do të mbahen mend gjatë për shansin aq të përafërt që e kishin të dy kandidatët. Zgjedhja e kandidatit Republikan kundrejt kandidatit Demokrat, me një epërsi të vogël, është tregues i qartë që dëshmon kulturën e lartë demokratike të popullit tuaj, e kjo nënkupton vetëm një gjë, Amerika do të jetë më e bashkuar dhe më e fuqishme se kurdoherë më parë.
Në këtë rast nuk mundem të mos e përgëzoj edhe kandidaten Demokrate, zonjën Hillary Clinton, e cila fitoi votat e gati gjysmës së Amerikës, për kontributin e saj mjaft dinjitoz në këto zgjedhje.
Jam i bindur se edhe politika e jashtme do jetë një vazhdimësi të asaj që SHBA gjithmonë kanë qenë pishtarë të lirisë së popujve në favor të Paqes dhe demokracisë në Botë, e veçanërisht në rajonin tonë të Ballkanit. Posaçërisht jam i bindur se përkrahja e SHBA do jetë në kahjen e duhur, ku ndihma dhe angazhimi diplomatik, ushtarak, edukativo – arsimor, do të vazhdojë në realizimin e të drejtave njerëzore, pikërisht ndaj popujve të shtypur, të padrejtësuar dhe diskriminuar.
Edhe një herë pra, më lejoni që ta urojmë popullin Amerikan dhe Presidentit të ardhshëm të Amerikës ti dëshirojmë shëndet dhe sukses në Shtëpinë e Bardhë që ta bëjë Amerikën edhe më madhështore.
Zoti e Bekoftë Amerikën dhe Presidentin Trump
Me respekt
Reisul Ulema i BFIM
H. Sulejman ef. Rexhepi

Comments are closed.