Reisi përkrah veteranët e luftës
Të enjten më 18 Gusht 2016, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi vizitoi familjet e katër veteranëve të luftës dhe njëherit luftëtarëve më të spikatur të luftërave shqiptare për liri dhe drejtësi, Bekim Dardhishta bashkë me tre shokët e tij, Isak Ibrahimi, Xhemail Lamallari dhe Ekrem Ameti. Me këtë rast Kryetari I Bashkësisë Fetare Islame effendi Rexhepi, u njoftua prej më afër rreth gjendjes së rëndë ekonomike dhe sfidave të pasluftës për mbijetesë me të cilat përballen familjet e këtyre veteranëve, të cilëve para disa kohë iu është nda një tokë ndërtuese nga Komuna e Çairit në të cilën kanë filluar të ndërtojnë shtëpitë e tyre. Si nevojë emergjente ishte sigurimi i tullave për të përfunduar shtëpitë e tyre tashmë të nisura, me ç’rast që në vizitën e parë, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi bëri një donacion ekskluziv prej 2000 tulla me të cilat do të përfundojë ngritja e këtyre shtëpive, me premtimin se në të ardhmen do të ketë edhe ndihma të tjera, sepse kjo është më e pakta që mund të bëjë shoqëria jonë, për këta trima, të cilët sa herë që e kërkonte nevoja, ishin të parët në radhën e mbrojtjes së atdheut dhe popullit shqiptar, si në Kosove, Presheve ashtu edhe në Maqedoni, duke mos kursyer as gjakun e as gjymtyrët e tyre.
Shërbimi për Informim i BFI
Comments are closed.