Reisi, ligjëratë nga distanca Shkup-Vjenë
Si janë duke e përjetuar agjërimin në kohë pandemie myslimanët e Maqedonisë së Veriut – është tema e ligjëratës në të cilën Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, u është drejtuar me Skype, nga distanca, studentëve të Fakultetit të Pedagogjisë Islame në Vjenë të Austrisë më 1 maj 2020.
Falënderimi për lidhjen e këtillë me studentët i takon profesorit Adnan Asllan, ligjërues i rregullt në Fakultetin e Pedagogjisë Islame në Universitetin e Vjenës.
Në ligjëratën e tij para studentëve, Sulejman ef. Rexhepi temën e agjërimit në kushte të sëmundjes së madhe e ka trajtuar mbi baza juridike, si jurist i diplomuar dhe si specialist nga Universiteti i Kuvajtit. Pandemia e Kovid-19, ka thënë ai, është një fenomen i ri që e po e dridh aktualisht botën. Në këtë kuadër, është e nevojshme që të gjithë ne të jemi të informuar drejt dhe nga burime të besueshme, që nënkupton njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të shtabeve emergjente të formuara enkas për këtë situatë. “Është mirë t’u kthehemi gjërave të cilat ndoshta patëm filluar t’i anashkalojmë: komunikimit dhe afërsisë me familjarët tanë, të bisedojmë për gjëra të cilat moti nuk i kemi biseduar, të këshillojmë njëri-tjetrin, të dëgjojmë mendimet e atyre që përherë kanë qenë të heshtur dhe të analizojmë frikat e njëri-tjetrit”, ka thënë Kreu i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut.
Comments are closed.