Reis Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme z. Bujar Osmani

Sot, më 8 janar 2021, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, u prit nga Ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani.

Ministri Osmani fillimisht i uroi mirëseardhje Reis Ulemasë dhe e uroi për zgjedhjen në Krye të Bashkësisë Fetare Islame, duke i dëshiruar shumë sukses në menaxhimin e institucionit më të lartë fetar në vend.

Kryetari, po ashtu, e uroi ministrin z. Bujar Osmani për postin e shefit të diplomacisë së vendit dhe i uroi suksese të shumta e mbarësi në detyrë.

Në vazhdim, z. Bujar Osmani e falënderoi Kryetarin, Hfz. Shaqir ef. Fetai, për takimin që, sipas tij, është një shenjë shumë e mirë nga ana e Bashkësisë Fetare Islame dhe vetë ai, si Reis Ulema, për mbajtjen e raporteve të mira me udhëheqësit e vendit.

Kryetari e falënderoi Ministrin për mikpritjen e respektin dhe u shpreh se BFI duhet të ruajë marrëdhëniet me faktorët vendimtarë të vendit, për të qenë kështu në nivelin e duhur të shërbimit të muslimanëve.

Gjatë takimit u bisedua për çështje të ndryshme me rëndësi për muslimanët e vendit dhe Reis Ulemaja e njoftoi Ministrin për situatën aktuale në BFI dhe veprimtarinë e Rijasetit. Me theks të veçantë u bisedua për raportet me faktorët e jashtëm dhe bashkëpunimin me jashtë.

Në takim Kryetari prezantoi i shoqëruar nga Drejtori për Marrëdhënie me Botën Arabe, H. Ismet ef. Ademi dhe Shefi i Kabinetit, Hfz. Evzal Sinani. /BFI

Comments are closed.