Reis-ul-Ulemaja takoi zv. Kryeministrin Turk

Më 29 korrik, në Shkup, Reis-ul-Ulemaja i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi,  takoi zv. kryeministrin e Republikës  së Turqisë, z. Bekir Bozdag.
zvkrr
Në këtë takim Reisi i shprehu mirëseardhje vëllazërore dhe falënderime të sinqerta mikut të lartë nga Turqia për vizitën që ia bën muslimanëve të Maqedonisë dhe BFI-së.  Reis-ul-Ulemaja i shprehu mirënjohje të përzemërta për përkrahjen që ka marrë BFI nga kryeministri Rexhep Taip Erdogan dhe Kryetari i R. së Turqisë, z. Abdullah Gyl.
Gjatë këtij takimi, temë kryesore, pas falënderimit për kontributin  e dhënë në lidhje me Xhaminë Mustafa Pasha, me theks të veçantë u bisedua hollësisht rreth çështjes së Çarshi -xhamisë në Prilep dhe Xhamisë Burmali në Shkup.
Ef. Rexhepi e njoftoi hollësisht zv.kryeministrin turk Bozdag mbi ngecjen e punimeve të Çarshi -xhamisë në Prilep,  përkundër faktit që BFI veç më ka bërë pagesën e paraparë për fazën e ndërtimit të xhamisë për vitin 2010, si dhe për moskujdesin e shtetit mbi trashëgiminë kulturore islame. Kreu i BFI-së i dorëzoi z. Bozdag projektin e Xhamisë Burmali, për të cilën BFI kërkon me vite që toka t’i kthehet institucionit amë dhe legjitim.
Ai tha se për këtë lokacion të moçëm BFI ka projekt të gatshëm për të filluar rindërtimin e Xhamisë, duke theksuar se “ndjehemi të habitur sesi Qeveria mori guximin që t’i shet truallin një shtetasi të huaj, kur edhe BFI ka ofruar po aq para për ta blerë tokën e vet shumëshekullore”.
Në anën tjetër, zv.kryeministri i R. së Turqisë, Bozdag, u shpreh i kënaqur nga pritja e Reis-ul-Ulemasë, përshëndeti mënyrën se si po e mbron trashëgiminë kulturore islame BFI, madje duke e quajtur “hero të muslimanëve të këtyre trevave”  h. Sulejman ef. Rexhepin.
Reis-ul-Ulemaja në fund z. Bekir Bozdag-ut i dhuroi një kornizë, dhuratë nga BFI, duke i shpjeguar të gjitha elementet që i ngërthen në vete Korniza.  E njëjta dhuratë është e treta e këtij lloji që iu dhurohet personaliteteve nga Turqia, pas  Prof. dr. Mehmet Gormezit – kryetar i Dianetit të Turqisë dhe Halit Eren-it nga Organizata e Konferencës Islame.

Comments are closed.