Reis ul Ulema takoi Komisarin e Lartë të OSBE-së z. Knut Volebek

Demokratizimi i Maqedonisë nuk ka alternativë tjetër
Të mërkurën më 08.02.2012, në ora 18:15 minuta, në sallën për takime të hotelit Holiday Inn, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame – Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi zhvilloi një takim me Komisarin e Lartë për çështje religjioze dhe të minoriteteve në OSBE (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), z. Knut Volebek.
 osbe-reiss
Parimisht Komisari i Lartë z. Volebek u interesua për veprimtarinë institucionale dhe aktivitetet e Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë si dhe problemet dhe barrierat me të cilat përballen të punësuarit e BFI-së gjatë veprimtarisë së tyre. Gjithashtu z. Volebek ishte i interesuar edhe për lëvizjet e ashtuquajtura radikaliste islame në RM e me theks të veçantë lëvizjen vehabiste.
Pas kësaj bisede, me ardhjen e Arhiepishkopit të Kishës Orthodokse Maqedonase Z. Z. Stefani, u hap diskutimi për incidentet aktuale në Republikën e Maqedonisë.
Komesari i Lartë, z. Volebek, fillimisht ia dha fjalën Kreut të BFI-së Reis ul Ulea H. Sulejman ef. Rexhepit, i cili i pasqyroi një kronologji të ngjarjeve të fundit, duke filluar nga gjeneratori kryesor i krizës së fundit:, Karnevalin e Vevçanit si dhe ofendimi që iu bë Kurani të Shenjtë Famëlartë, dinjitetit të gruas myslimane dhe të gjithë ofendimet e paskrupulta që u paraqitën në atë skenë, të ilat ishin elemente që e provokuan rëndë Bashkësinë Fetare Islame dhe të gjithë muslimanët, jo vetëm të vendit por kudo që ndodhen. Dhe në pamundësi që të gjendet një gjuhë e përbashkët me strukturat Komunale dhe Kryetarin e Komunës së Vevçanit, Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Strugë, u detyrua të përdorë të drejtën e saj demokratike – protestën, nëpërmjet së cilës u shpreh revolta dhe pakënaqësia e muslimanëve ndaj dukurive të tilla ofenduese dhe fyese. Protesta si protestë ishte e qetë dhe përfundoi pa incidente.
Por më pas pasuan një sërë incidentesh, sikurse vënia e zjarrit në një nga objektet ndihmëse të kishës së fshatit Labunishtë, kishes së fshatit Reçicë e Vogël si dhe përhapja e grafiteve dhe parollave raciste dhe ofenduese nëpër murret e xhamive të ndryshme në vend, siç ishin parollat: “Vdekje për shqiptarët” “Shqiptarë të mallkuar” e tjera.
Megjithatë, Reis ul Ulema ef. Rexhepi e njoftoi komisari e Lartë përqëndrimin që Bashkësia Fetare Islame ka për këto ngjarje si dhe arsyen se pse ndodhin këto incidente si dukuri e përditshme dhe sipas vlerësimeve të Kreut të BFI-së, ndodhitë e fundit janë rezultat dhe pasojë e një politike defektoze e cila me projektet e saja vazhdimisht provokon bashkëjetesën si në planin etnik ashtu edhe në planin kulturor dhe fetar, me atë që vite të tëra Bashkësia Fetare Islame po përjeton një segregacion nga ana e pushtetit dhe se gjithmonë ajo është e diskriminuar në krahasim me Kishën Orthodokse Maqedonase.
Prandaj Kreu i BFI-së Reis ul Ulema, i dorëzoi edhe me shkrim disa nga argumentet se për së ndodhin probleme të tilla:
1. Projekti 2014 definitivisht u tregua se është një etnik dhe njëkonfesional në zemrën e një metropole shumëetnike dhe shumëkonfesionale dhe në një shtet si Maqedonia shumë më shumë etnike dhe shumë më shumë konfesionale. Xhamia e Burmalisë së bashku me Urën e Gurit kanë qenë themelet e urbanizimit të anës së djathtë të lumit Vardar. Xhamia e Burmalisë paraqiste një gurthemel i idesë për Sheshin e Shkupit deri kur struktura militante serbe e shkatërroi atë në vitin 1925 dhe ndërtoi një objekt po ashtu militant mbi themelet e një vendi të shenjtë. Sot kur me paratë e popullit, Sheshit të Shkupit i jepet pamje e re, disa objekte kanë logjikë por disa janë krejtësisht të palogjikshme dhe bëhen për të vetmen arsye që të pamundësohet ndërtimi i Xhamisë së Burmalisë në vendin e saj historik. Kjo tregon jo tolerancën ndaj kulturës dhe fesë islame në Sheshin e Shkupit.
2. Djegia e Çarshi xhamisë së Prilepit në vitin 2001 si rezultat i hakmarrjes ndaj popullatës së pambrojtur myslimane por edhe ndaj të vetmit objekt reprezentativ të kulturës islame në qytetin e Prilepit. Djegia e saj nga persona ende të paidentifikuar prej organeve të rendit edhe përkundër 12 viteve të kaluara, paraqet atak që i bëhet islamit sidomos me pengimin që bëhet për rindërtimin e saj si qendër shpirtërore islame edhe përkundër përpunimit të elaborateve nga Enti për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, edhe revizionin e kryer nga Qendra konservatore nacionale, edhe dy vendimet e lëshuara nga Enti për mbrojtjen e trashigimisë kulturore, edhe përkundër Memorandumit për bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, edhe përkundër donimit të parave nga BFI-ja në buxhetin e shtetit për këtë arsye, edhe përkundër publikimit të tenderit dhe zgjedhjes së artistit, përsëri pengohet në mënyrë të qëllimshme rindërtimi i saj nga liderë lokal, por për ne të mbështetur edhe nga liderë shtetërorë. Islamofobi par-ekselans.
3. Dhënia e lokacionit për ndërtimit e selisë dhe rezidencës së re për Bashkësinë Fetare Islame, edhe përkundër vendimit të Qeverisë për prioritet, edhe përkundër takimeve të shumta me ministrin e Transportit dhe lidhjeve, edhe përkundër asaj që na detyruan në harxhime financiare për të projektuar elaborate për gjithë lagjen, prapëseprapë tre vite vetëm  po na gënjejnë duke na llogaritur si të padenjë dhe injorantë.
4. Pagëzimi i objekteve publike gjatë gurthemeleve ose lëshimit në përdorim, a që ndërtohet me të gjitha tatimpaguesit në Maqedoni, vetëm nga një bashkësi fetare, paraqet diskriminim dhe ofendim të ndjenjave të myslimanëve.
5. Edhe përkundër asaj që ekziston një ligj i veçantë për arsimin e lartë për akreditimin e arsimit të lartë të bashkësive fetare, të dy fakultetet teologjike të dy bashkësive fetare paralelisht filluan iniciativën për të fituar akreditim të përjetshëm, por njëri e fitoi këtë të drejtë ndërsa Fakulteti për Shkencat Islame edhe përkundër që i plotëson të gjitha kushtet për fitimin e akreditimit, përsëri nuk e ka fituar të njëjtën. Ish ministri i arsimit Todorov, dy herë refuzoi që ta nënshkruaj të njëjtin.
6. Kalaja e Shkupit paraqet një hapësirë arkeologjike dhe shtresa të shumta të trashëgimisë kulturore dhe sipas gjithë standardeve ndërkombëtare, shtresat arkeologjike si zbulohen ashtu edhe duhet të prezantohen. Dhënia e përparësisë që mbi këto shtresa historike të ndërtohen objekte fetare vetëm të një komuniteti por jo edhe të komuniteteve të tjera paraqet diskriminim sa etnik aq edhe fetarë. Kalanë duhet ta lejmë të jetë kala, me të gjithë strukturën e saj arkeologjike, le të jetë një libër i hapur për të gjithë.
7. Pengimi i vetëdijshëm i institucioneve të shtetit për denacionalizimin e objekteve kapitale të Bashkësisë Fetare Islame të cilat kanë qenë në pronësi të së njëjtës deri në vitin 1944, ndërsa posedojmë edhe tapi turke por edhe jugosllave të vjetra, vendime për nacionalizim nga sistemi komunist, paraqet edhe një atak që i bëhet islamit dhe myslimanëve me arsyen duke u thirr në Ligjin për Çarshinë e vjetër e cila e pamundëson kthimin e pronësisë të këtyre objekteve mbi BFI-në. I njëjti është sjell shumë vonë prej Ligjit të denacionalizimit dhe me këtë po manipulohet me faktet. Kurdisja e Avokatit të Shtetit për tu ankuar veçmas mbi vendimet e BFI-së që i sjellin komisionet për denacionalizim, në mënyrë të vetëdijshme pengon kthimin e pronave tona.
 Këto janë vetëm një pjesë e problemeve me të cilat ballafaqohet BFI-ja, dhe moszgjidhja e tyre i rëndon marrëdhëniet ne vend.
Me mbarimin e këtyre argumenteve Reis ul Ulema nga Komesari i Lartë kërkoi ndihmën që të z. Volebek me ndikimin e Tij ti tërheqë vërejtje politikës aktuale dhe se këto dukuri të cilat janë të përditshme dhe me tendencë rritjeje, nuk rrjedhin aspak nga aktivitetet e Bashkësive Fetare, por nga strategjia e veprimit politik në Maqedoni.  Përndryshe bashkësia Fetare Islame kontributin e saj e ka dhënë gjithmonë në përhapjen e frymës së tolerancës, bashkëjetesës dhe në zhvillimin e dialogut ndëretnik  dhe ndërfetar.
Për fund Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi shfaqi mendimin e vet se nëse të gjithë mendojmë të jetojmë në një shtet të përbashkët, multi-etnik, multi-religjioz dhe multi-kulturor, atëherë duhet të angazhohen që të gjitha subjektet e të japin kontribut të koordinuar për këtë qëllim, sepse alternative tjetër nuk kemi.
Komesari i Lartë i OSBE-së z. Knut Volebek nga ana e tij e falënderoi Reis ul Ulemanë për këtë informacion dhe sugjerime dhe premtoi se do të bëjë çdo gjë që është në fuqinë e tij për ta ndihmuar zhvillimin dhe kultivimin e bashkëjetesës në Republikën e Maqedonisë.Për ndryshe, z. Knut Volebek (lindur më 1946 në OSllo) është diplomat Norvegjez dhe anëtar i Partisë Popullore Kristiane. Studimet i ka kryer në Shkollën Ekonomike në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara.
Z. Volebek ka shërbyer si Ambasador në Shtetet e Bashkuara nga viti 2001 deri në vitin 2007 dhe si Ministër i Punëve të Jashtme të Norvegjisë nga viti 1997 deri në vitin 2000.
Ai ishte kryesues i zyrës së OSBE-së në vitin. Kariera diplomatike e Z. Volebek gjithashtu përfshin edhe detyra zyrtare në Nju Delhi, Madrid dhe Harare. Ai gjithashtu ishte Ambasadori Norvegjes në Kosta Rika gjatë viteve 1991-1993 dhe i dërguar special për çështjet zhvillimore nga viti 1994 deri kur edhe u emërua Ministër i Punëve të Jashtme  në vitin 1997. Ai gjithashtu shërbeu edhe si negociator paqësor në Ish Federatën Jugosllave gjatë viteve 1993-1995.
Z. Knut volebek u emërua si Komisar i Lartë për Minoritetet Nacionale pranë OSBE-në vitin 2007.
Nga Agron VOJNIKA

Comments are closed.