Reis ul Ulema takoi Abdullah el- Burejk

Në selinë e Bashkësisë Fetare Islame u realizua një takim mes kryetarit të saj, Reis-ul-Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi dhe Saad bin Abdullah el-Burejk, këshilltar në zyrën e Princit Abdulaziz bin Fahd.
Gjatë këtij takimi Reis-ul-Ulemaja i shprehu falënderime dhe mirënjohje mysafirit të lartë për vizitën që ia bëri atij dhe institucionit fetar të Maqedonisë, për të cilin bëri një prezantim të Bashkësisë Fetare Islame dhe gjithë atë që e ngërthen në vete ky institucion fetar islam.
Reis-ul- Ulemaja gjithashtu i shpalosi projektet e realizuara të BFI, ecurinë dhe sfidat. Ai e njoftoi mysafirin se BFI është institucion që kujdeset për ruajtjen e vlerave shpirtërore dhe zhvillimin e jetës fetare të të gjithë muslimanëve në vend dhe gjithandej ku ata veprojnë dhe jetojnë, duke njoftuar se muslimanët e vendit i përkasin disa kombeve, duke filluar nga shqiptarët, turqit, torbeshët, romët dhe boshnjakët.
Mes tjerash,  Reis-ul-Ulemaja me theks të veçantë u ndal në angazhimin që BFI po e bën lidhur me zhvillimin e arsimit fetar, për institucionet edukativo- arsimore,  Fakultetin e Shkencave Islame dhe Medresenë Isa Beu, si dhe për paralelet e shtrira në disa qytete të vendit,  duke u shprehur se baza financiare e këtyre institucioneve e tëra është e mbështetur në ndihmat vullnetare të popullit tonë, me të cilin mburremi, ngase edhe në kohëra më të vështira gjetën mënyrën për të qenë të përkushtuar fesë së Allahut, investuan dhe investojnë në shkollimin e gjeneratave më të reja. Në anën tjetër,  z. El-Burejk shprehu falënderimet më të sinqerta ndaj Reis-ul-Ulemasë për pritjen që ia bëri atij dhe me të cilën dëshmoi ngrohtësinë vëllazërore me botën arabo-islame.
Ai inkurajoi Reisin për punën që bën në vazhdimësi në interes të zhvillimit të jetës fetare, arsimimit të gjeneratave të reja, ngritjes së pozitës së muslimanëve në vend e më gjerë, për bashkëpunimin që ka me Qendrat e ndryshme islame dhe me Bashkësitë Islame në rajon e më gjerë, për punën në sferën e humanitetit, për vigjilencën e theksuar në ruajtjen e imazhit të Islamit dhe të muslimanëve etj.  Mes tjerash,  z. El-Burejk shprehu gatishmëri që në të ardhmen të realizojnë projekte me karakter fetar,  të cilat do të jenë në shërbim të fesë së Allahut.

1.1 1 2 3

Comments are closed.