Referati i Reisul Ulemasë h. Sulejman ef. Rexhepi me rastin e promovimit të Ilmihalit të zgjëruar
17.04.2019
I nderuar Kryetar i Bashkësis Islame të Kosovës z. Naim ef. Tërnva
I nderuar Kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë z. Bujar ef. Spahiu
Vëllezër të nderuar, miq e dashamirë-esselamu alejkum!
Kam nderin dhe gëzimin e madh që po ju drejtohem me rastin e promovimit të Ilmihalit të Zgjeruar i cili, jam i bindur, do shërbejë sot e shumë vite të ardhme si një orientues për të gjithë të cilët dëshirojnë të njihen me bazat e besimit Islam. Një libër i këtillë që e kemi në dorë,i punuar me përkushtim dhe me zell nga autorët e respektuar sigurisht që është një pikë e rëndësishme uji në detin apo oqeanin e pakufishëm të diturisë islame që vazhdimisht po predikohet e po pasurohet, po shpjegohet e po avancohet pikërisht nga ulemaja islame, nga dijetarët dhe intelektualët tanë.
Besimi në një Zot, bindja, humaniteti, dashuria dhe vetëdija përbëjnë strumbullarin rreth të cilit Islami përherë i ka tubuar dhe po vazhdon t’ tubojë pjesëtarët e vetë. Këto janë njëkohësisht edhe postulatet shtytëse që bëjnë fuqinë tonë dhe n’a japin krahë në përpjekjet për të dëshmuar pastërtinë, tolerancën dhe mirëkuptimin me të cilat rrezaton Islami.
Në këto kohë të çuditshme dhe të trazuar në të cilat trungu ynë, nga njëra anë po ndotet nga lëvizje që po trumpetojnë se janë islamike, e nga ana tjetër mbi ne po bien goditje të dhembshme islamofobike, jam i lumtur që përgjegja jonë është Fjala e Zotit, është libri, janë projektet sikur “ Ilmihali i Zgjëruar”.
Dhe, jam i lumtur e më paraqet kënaqësi të veçantë që sot ne këtu jemi bashkë, vëllezër të besimit e të gjakut nga të gjitha trojet tona. Ne më të moshuarit në moshë, mbajmë mendë kohë në të cilat një projekt i këtillë i realizuar bashkërisht nga Bashkësitë Islame të Shqipërisë, Kosovës e të Maqedonisë ishte vetëm dëshirë e heshtur dhe vetëm ëndër e ëndëruar. Por, ja që besimi dhe lutjet e sinqerta i realizojnë edhe dëshirat më të ndrydhura dhe mundësojnë që t’i jetojmë ëndrat tona në realitet. Për këtë duhet të jemi të gjithë paskajshmërisht faleminderues ndaj Allahut të Plotëfuqishëm!
Jo rallë, të ballafaquar me dilemën – vallë ku po shkon kjo botë, po pyetemi cili është ilaçi për dhembjet, për tëhuajësimin, për fatkeqësitë dhe për fenomenet e shndërimit të gjërave jonormale në diçka tërësisht normale, si të heqim barrën e padurueshme të heshtjes së mendjes përpara marshimit të marrëzisë ? Mjerisht, për të gjitha që po ndodhin rreth nesh, vetë jemi fajtorë, por një besimtar i Islamit e ka për detyrë të detektojë problemet që e rrethojnë sepse vetëm atëherë mund të fillojë t’i zgjidhë.
Bashkësitë tona islame, besoj fuqishëm, janë nga institucionet që edhe i kanë detektuar problemet dhe vështirësitë, edhe po përpiqen t’i tejkalojnë ato. Bashkëpunimi ynë në të gjitha sferat, pra edhe për realizimin e këtij projekti të përbashkët të cilin po e promovojmë, e dëshmojnë një gjë të këtillë.
Ju e dini se para disa vjetësh ne bashkërisht, në Tiranë botuam edhe përmbledhjen e numrave të revistës islame “Zani i Naltë”, që poashtu ishte një kontribut i çmuar për gjeneratat e sotme e të ardhme që përmes atij botimi do kuptojnë më shumë për traditën dhe kulturën islame në trojet tona.
Në këtë vazhdë, unë përpara jush do shpalos një ide timen dhe të Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut duke shpreh gadishmërinë që ajo tëjetë bartëse e projektit tonë të përbashkët dhe, dhashtë Zoti, po aq të sukseshëm siç ishte Zani i Naltë dhe Ilmihalli i zgjëruar.
Në fakt, idea është që në një të ardhme sa më të afërt, Bashkësia Islame e Maqedonisë së Veriut, ajo e Kosovës dhe Komuniteti Musliman i Shqipërisë të inicojnë një revistë të përbashkët kulturore islame që do botohej në Shkup dy herë në vjet e që do kishte një redaksi të përbashkët të formuar nga të gjithë ne. Kjo revistë do merrej me tema të interesit të veçantë dhe do dallohej me ekskluzivitetin e vetë. Për detajet do ishim marrë vesh një herë tjetër, por besoj që ky propozim i yni do merret parasysh nga ju vëllezër, si vazhdimësi e bashkëpunimit tonë.
Allahu qoftë me ne dhe le të n’a udhëzojë permanent dhe përherë në rrugën e drejtë të përparimit të Islamit dhe të popullit tonë.
Këtu e përfundoj fjalën time me përshëndetjen më të përkryer Islame —Esselamu Alejkum— Përshëndetje kjo në vehte ngërthen Paqën, Mëshirën e të Madhit Zot, dhuntit e Tija dhe Sigurin Apsolute për gjithë njerzimin.
Ju faleminderit që patët durimin të përcjellni fjalën time. Për gjithmonë ju shoqërofshin mirësitë e Allahut të Madhëruar.
Comments are closed.