Reagim për ndërtimin e xhamisë në lagjen Trizlla në Prilep

Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë përshëndet gatishmërinë e kryetarit të Komunës së Prilepit, Marjan Risteski, që të ndërtoj xhami në qytetin i cili prej vitit 2001 e deri më sot mbeti pa asnjë xhami për shkak se huliganët e dogjën Çarshi xhaminë dhe të njëjtët pas 11 vitesh vazhdojnë të mbesin pa u sanksionuar nga organet e drejtësisë maqedonase.
Por në këtë rast dyfytyrësia e kryetarit të komunës nuk njeh kufi.
Është e vërtet se BFI-ja e RM ka njohuri për kërkesën e myslimanëve të qytetit të Prilepit për të pasur një xhami, dhe ne jemi në çdo kohë me myslimanët tonë mirëpo BFI-ja e RM-së ka prioritet për sa i përket qytetit të Prilepit.
Prioriteti kryesorë i joni është rikthimi i Çarshi xhamisë së Prilepit në formën dhe përmbajtjen e njëjtë para se të digjet nga huliganë.
Gjithsesi, falënderojmë tej mase kryetarin e Komunës së Prilepit që ka shprehur gatishmërinë për të financuar ndërtimin e xhamisë, por mjafton që të japë leje për rindërtimin e Çarshi xhamisë, ndërsa ka dy vite që në xhirollogarinë shtetërore BFI-ja ka derdhur paratë e nevojshme për rindërtimin e saj.
Kryetari i Prilepit, duhet të mos luaj me ndjenjën më sublime të qytetarëve të cilët i udhëheq, besimin në Zot. Gatishmërinë për të ndërtuar xhami le ta tregoj tek Çarshi xhamia e Prilepit për të cilën ka pas edhe dy marrëveshje të lidhura deri më tani; e para në vitin 2002 kur u vendos që së bashku me Manastirin e Leshokut të rindërtohet edhe Çarshi xhamia me buxhet të siguruar nga faktori ndërkombëtarë,  dhe e dyta,  marrëveshjen e para dy viteve mes BFI-së dhe Qeverisë së Maqedonisë, marrëveshje e cila mban edhe garancinë ndërkombëtare në veçanti të Ambasadës amerikane në Shkup.
Përveç BFI-së së Maqedonisë, asnjë institucion tjetër, por edhe shoqatë joqeveritare nuk ka të drejtë të ndërtojë xhami dhe këtë të drejtë e ka sanksionuar edhe Ligji për kishën, bashkësitë fetare dhe grupet religjioze. Çdo marrëveshje tjetër për ndërtimin e ndonjë xhamie pa prezencën e përfaqësuesve të BFI-së si dhe pa pëlqimin e saj është marrëveshje inekzistente dhe që në start i është dedikuar dështimit.
Ndërsa sa i përket emrit të xhamisë, vetëm BFI-ja e RM-së ka të drejtën e emërimit të saj.
Në fund i lusim myslimanët e Prilepit, gjatë gjithë kësaj periudhe të qëndrojnë gjakftohtë dhe të mos bien pre e manipulimeve dashakeqe dhe antiislame të vetë kryetarit të komunës. Ne besojmë se do të tregohen të logjikshëm dhe do të kuptojnë paraprakisht hilet dhe prapavijën e vendimit të organeve shtetërore dhe qëllimin e tyre për të futur përçarje mes myslimanëve.
BFI e RM-së
Sektori për marrëdhënie me publikun

Comments are closed.