Reagim ndaj Karnevalit të Vevçanit

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë ndjehet thellësisht e prekur me ofendimet ndaj fesë islame në Karnevalin e Vevçanit si dhe ndaj Kuranit Famëlartë që është dhuratë e Krijuesit të botëve për njeriun dhe që është libri udhëzues për të gjithë myslimanët në botë.
 dsc00751
Edhe gjatë këtij gjoja Karnevali ne ishim dëshmitarë të faktit se në një vend i cili pretendon se mbron lirinë, nën pretekstin e mbrojtjes së lirisë drejton qytetarët e saj kundër qytetarëve tjerë vetëm e vetëm pse besojnë islamin.
Realizimi i një veprimi të tillë ofendues ishte një mjet garant për arrogancën qeveritare në përpjekjet e saj për të përçarë fetë e shenjta dhe në përpjekjet për të ofenduar të njëjtat.
Fatkeqësisht, islamofobia është në rritje dhe duket se është e lidhur edhe me një urrejtje irracionale që persona të caktuar ushqejnë në shoqërinë tonë kundër asaj çfarë Islami dhe myslimanët përfaqësojnë. Në rastin tonë, islamofobia gjendet e prezantuar dhe trashëguar në kulturën tonë, nëpërmjet artit, literaturës, medias dhe debateve publike, ku Islamin dhe myslimanët i trajtojnë si `të huaj’ dhe kundërshtarë të qytetërimit.
Është për të të ardhur keq që në Maqedoninë e ditëve tona islamofobia shpesh gjendet e kombinuar me propagandën e Qeverisë siç është rasti në Karnevalin e Vevçanit ku Qeveria e Maqedonisë për çdo vjet ndan nga 50 mijë euro. Përveç kësaj në këtë Karneval gjëja më e shëmtuar ishte edhe pjesëmarrja e kreut shtetërore si Ministreshës të kulturës, deputetë të pushtetit dhe opozitës maqedonase si dhe kryetari i Komunës së Vevçanit.
Është me të vërtet për tu habitur se edhe pse kanë kaluar dy javë nga ky karneval asnjë nga kreu shtetërorë nuk e pa të arsyeshme që të japë ndonjë sqarim ose të distancohet nga  veprimet e këtilla kundër islame.
Kreu shtetërorë heshti edhe me ofendimet që ju bënë shqiptarëve dhe turqve në Nish dhe Beograd gjatë Kampionatit evropian të hendbollit Euro 2012 ku lojtarët e Përfaqësueses së Maqedonisë dhe tifozë të tyre të cilët shkuan në Beograd me parat edhe të shqiptarëve dhe turqve, kanë brohoritur dhe kënduar këngë raciste antishqiptare dhe antiturke. Këto akte i kapërcen kufijtë e kësaj lirie, sepse luan me dinjitetin e gjithë myslimaneve të cilët sot përbëjnë gati gjysmën e popullatës në Maqedoni.
Çdo ligj dënon sharjen e feve apo shpifjen ndaj tyre e cila nuk mund të llogaritet në kuadër të lirisë së të shprehurit, ngase sharja në këtë rast konsiderohet armiqësi ndaj personit tjetër. Fanatizmat kulturore të çdo ane qofshin, dalin jashtë respektimit të këtyre normave dhe kontribuojnë në përplasjen e qytetërimeve.
Prandaj  kërkojmë ngritjen e procedurës penale bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë. Në të kundërtën, do të konsiderojmë se edhe kreu shtetërorë është mbështetës isjelljeve të këtilla të organizatorëve.
Me këtë rast, iu bëjmë thirrje myslimaneve që të mos bien pre e këtyre nxitësve të provokimeve me qëllime dashakeqe për Islamin, për të ardhmen e Evropës dhe për paqen në botë. Qëndrimi i myslimaneve duhet të jetë i matur. Besimi ynë nuk na lejon t’i përgjigjemi këtyre sulmeve me të njëjtat armë.

Comments are closed.