Ramazani si adhurim, urtësi dhe kuptim

bejadi
Ramazani si adhurim, urtësi dhe kuptim

Me të vërtetë, Allahu nuk e shikon trupin as fizionominë tuaj, por i shikon zemrat dhe veprat tuaja. Pejgamberi (a. s.) ka thënë: “Devotshmëria është këtu, devotshmëria është këtu (duke vënë dorën në zemër).”

Dr. Bejadin AMETI

Jemi dëshmitarë se flitet shumë për muajin e bekuar të Ramazanit, por sado që të flitet, do të jetë e mangët, ngase është një pjesë e jetës, të cilën Allahu xh. sh. e bëri obligim për të gjithë besimtarët, që ata në këtë muaj të shtojnë adhurimet e të pasurohen edhe me dituri, që paralelisht të luten që të arrijnë devotshmërinë.
Besoj se nuk mjafton vetëm të mendojmë në mënyrë të kufizuar se ky muaj është vetëm për të adhuruar Allahun xh. sh. e të ndalemi aty, por kujtoj se ne duhet të mendojmë në mënyrë më të gjerë, që të kuptojmë edhe urtësitë e përgjithshme të Islamit, të fesë sonë.
Është evidente se njeriu ashtu siç angazhohet për të kërkuar diturinë, me të gjitha format dhe
metodat përkatëse angazhohet për të gjetur vendet e urtësisë, për t’i marrë ato.
Njeriu kërkon dituri për t’u pasuruar me të, ndërsa kërkon urtësi me të cilën ai është i bindur se
nuk ia ka përmbushur vetvetes dëshirat, derisa nuk ia ka ofruar pastrimin e mendimit të
ndjekjeve të pasioneve dhe kur e pastron atë, do ta kuptojë se çmimi me të cilin ai shpërblehet
nga ana e Allahut është xheneti.
Nuk është absurde të vërehet se njeriu mund të dijë e mos të jetë me diturinë e tij i urtë, apo me
diturinë e poseduar të ngrihet me të tek Allahu xh. sh.
El-Ahnef ibn Kajs-i ka thënë: “Merrja mësim (dituri) tek Malik ibn Enes-i, ndërsa merrja urtësi
tek Kajs ibn Asim-i, kështu që një ditë kur isha aty, erdhi një grup njerëzish dhe tregonin
armiqësinë që kishin, duke përmendur se kush ishte i vrarë e kush i plagosur dhe thoshin
mes vete se ‘ai ma ka vrarë këtë’ e ‘ai ma ka plagosur atë’. Atëherë i tha Kajsi djalit të tij: ‘Çohu dhe liroje djalin e axhës tënd, amnistoje vëllain tënd dhe jepja nënës së të vdekurit njëqind deve, ngase ajo është e ngratë.’ Pastaj u kthye kah djali i vëllait të tij, duke thënë: ‘E ke mbytur afërsinë tënde dhe e ke gëzuar armikun tënd; e ke humbur krenarinë dhe e ke shkëputur farefisninë tënde; e, mos e largoftë Allahu askënd nga ajo mëshirë, pos teje.” E, ajo çka kuptohet nga kjo lutje, që mos të jetë më askush i larguar nga mëshira e Zotit, ashtu si është larguar ky nga ajo mëshirë e Zotit, tjetërkush pos teje, sepse këto vepra të liga i bën vetëm ai që është larg mëshirës së Allahut.
E në këtë kontekst e kemi ajetin kuranor, ku Allahu xh. sh. thotë: (Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten dhe ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.)
Kuptohet se e ka pastruar vetveten ai që ka shpëtuar nga mëkatet dhe e ka nënçmuar vetveten
ai që e ka lëshuar veten në mëkate dhe e ka humbur atë duke e mbuluar realitetin me atë jo-
realitet dhe atë ia vesh nefsit apo egos së tij.
Zejd ibn Erkam thotë: Nuk iu them juve diç tjetër, pos atë që na e tha neve Pejgamberi (a. s.):
“Allahu im, të mbështetem dhe kërkoj mbrojtje te Ti nga paaftësia dhe përtacia, nga koprracia
dhe pafuqia dhe nga dënimi i varrit. Allahu im, m’i jep devotshmëri shpirtit tim, ma pastro
shpirtin tim, sepse Ti je pastruesi më i mirë, Ti je pronari dhe mbrojtësi i tij. Allahu im, të
mbështetem Ty nga dija e padobishme dhe zemra jo e devotshme, nga shpirti i pangopur dhe nga
lutja së cilës nuk i përgjigjesh.”
Nga ky hadith kuptojmë se sahabët i kanë kushtuar rëndësi precizitetit në transmetimin e fjalëve të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), të tilla siç kanë dalë nga goja e tij. Kuptimi i lutjes së Pejgamberit a. s. te Zoti i tij ishte që t’i japë shpirtit të tij devotshmëri dhe mbrojtje nga pasionet, nga epshet dhe nga punët e liga, e të jetë i sinqertë në jetën dhe fjalorin që përdor, prandaj lutej që të jetë i mbrojtur nga lutja e pranuar nga ana e Zotit. (Transmeton Muslimi)
Kështu që, përfundimisht kuptojmë se pastrimi shpirtëror shpërblim të Allahut (xh. sh.) ka
xhenetin. Pejgamberit a. s. ka thënë: “Nëse vjen për t’ua kërkuar dorën e vajzës tuaj për martesë dikush që jeni të kënaqur me fenë e tij dhe devotshmërinë e tij, atëherë martojeni vajzën tuaj me të.” Mund të nxjerrim në pah, për ta diskutuar, se njeriu mund të jetë fetar, por morali dhe sjellja e tij të jetë e ligë apo e brishtë, ashtu siç mund të kuptojmë se ai fal namazin dhe agjëron Ramazanin, se i kryen obligimet që i ka për të, mirëpo është me sjellje të keqe, dhe në fjalorin e tij i vrazhdë e agresiv, e që e bën të duket njeri jo i mirë dhe jo përfaqësues i denjë i Islamit.
Kuptohet se njeriu ashtu siç kërkon të ketë dituri, duhet të ketë edhe urtësi e sjellje të mirë, saqë thuhet se do të dukej urtësia dhe sjellja e mirë si fe e tij, sepse urtësia është mbreti apo zotëria i moralit; bile, kanë thënë se njeriu i urtë është si një evlija apo një pejgamber, dhe s’është e logjikshme të jesh kërkues i diturisë, nxënës apo student, e të kesh një sjellje me kokëlartësi dhe shpirt agresiv, me fjalor të vrazhdë e zemër të ngurtë, gjë e cila bie ndesh me besimin e sinqertë. Kjo është e qartë në hadithet e Pejgamberit (a. s.), ku thuhet se gjëja më madhore në fe është morali i mirë, apo sjellja e mirë, dhe është e qartë se ai që ka sjellje dhe moral të mirë, ia kalon edhe atij që tërë kohën e harxhon në adhurime, ngase morali apo sjellja e mirë – çmimi dhe shpërblimi i të cilave është xheneti – kërkohet nga dijetarët, kërkohet nga të çiltërtit.
Për atë arsye, është edhe prej shtyllave të Islamit në përgjithësi të kërkohet ajo që është e lejuar, hallall, e të largohemi nga ajo që është e ndaluar, haram.
Transmetohet nga En-Nu’man bin Beshir (r. a.), i cili ka thënë: Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) duke thënë: “Vërtet, (e lejuara) hallalli është i qartë, si dhe (e ndaluara) harami është i qartë, e mes tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat shumë nga njerëzit nuk i dinë ato. Ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, shpëton dhe e mbron fenë dhe nderin e vet. Ndërkaq, ai që bie në gjëra të dyshimta, ai bie në haram. Ky është si shembulli i bariut që ruan kopenë rreth kullotës së ndaluar, ku pothuajse ka hyrë. Çdo mbret (sundimtar) ka nga një vend kullotë të ndaluar për të tjerët, e vendi i Allahut, i ndaluar, janë haramet (ndalesat) e Tij. Në trup është një copë mishi i cili nëse është e mirë, edhe trupi është i mirë dhe i tëri është në rregull; e nëse është e keqe, trupi është keq dhe prishet i tëri. E, ajo (copë mishi) është zemra.” (Hadithi është transmetuar përmes disa rrugëve me shprehje të përafërta.)
Është shumë e qartë se alkooli është i ndaluar, haram, gjë të cilën e di çdo besimtar, qoftë edhe ai fillestari apo jo praktikuesi i rregullt i adhurimeve të përgjithshme islame; po ashtu edhe mbytja, amoraliteti janë haram, të ndaluara; nga ana tjetër, martesa është e lejuar, hallall; apo, të blesh një veturë, të blesh një shtëpi po ashtu është e lejuar, hallall. Mirëpo, mes këtyre dy gjërave, apo dy çështjeve që janë shumë të qarta e shumë të kuptueshme, janë shumë e shumë gjëra apo pika me mijëra që mund të mendohen e të këtë bindje për to se është e lejuar, hallall, e në fakt të jetë e ndaluar, haram, ose mund të ndodhë që personi e dinë dhe ka bindje se ajo gjë është e ndaluar, haram, e në fakt mund të jetë e kundërta, ku të jetë e lejuar, hallall. Për këtë arsye shumë të qartë dhe shumë me peshë duhet të kemi kujdes të madh në këtë drejtim, ashtu siç thotë Muhamed ibn Sirin-i: ”Vërtet kjo dituri është fe, prandaj shikoni nga kush e merrni fenë tuaj.” Shikuar nga ky kënd, mendoj se problem të zakonshëm e kemi joditurinë, e nuk po shprehem e të them injorancën, ngase shumë njerëz mendojnë se kanë dituri, por me diturinë e tyre të kufizuar, jo me diturinë e mjaftueshme, me kokëfortësinë e tyre, ata pengohen të arrijnë deri tek realiteti i kërkuar, duke e humbur kështu edhe atë pak urtësi që kanë.
Thotë Allahu në Kuranin famëlartë: ”Dhe thonë: sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit.”
Është e qartë se njeriu ka pasur mundësi të jetë besimtar i mirë dhe banor i xhenetit, por dënimi i një injorance apo sjellja e keqe dhe vrazhdësia e tij, teksa nuk përdor urtësinë, bën që ai të jetë nga mesi i banorëve të xhehenemit, ashtu siç thuhet se injoranca është armiku më armik dhe më i keq i njeriut, apo thënë ndryshe, se njeriu injorant ia bën vetes më të keqen, çka s’mund t’ia bëjë as armiku i tij atij.
Në sunnenin e Daremiut transmetohet nga Esma ibn Ubejd se ka thënë: “Erdhën dy njerëz deri tek Ibn Sirin-i, që ishin prej pasionantëve apo prej atyre që ndjekin epshin, dhe thanë: O – Ebu Bekr – ibn Sirin, a të lexojmë para jush një hadith? Ai tha ‘jo’. Pastaj ata thanë: po të lexojmë para teje një ajet nga Kurani!? Përsëri iu përgjigj se ‘jo’, duke shtuar: ‘do të ngriheni e do të shkoni, apo të ngrihem e të shkoj unë?’ Atëherë ata shkuan dhe të pranishmit thanë: ‘O Ebu Bekr – ibn Sirin, e pse, çka të pengoi të lexonin një ajet nga libri i Allahut?’ Ai tha: ‘Unë kisha frikë se ma lexon një ajet kuranor duke mos e lexuar mirë, apo duke gabuar në leximin e tij dhe ajo pastaj të ngelë te ju ashtu.’”
Epshorët patjetër do ta humbasin rrugën e vërtetë, pa marrë parasysh se a janë dhënë pas epsheve me vetëdije apo pa të. Shpeshherë e lënë dijen duke e ndjekur epshin dhe kështu pa kurrfarë fije dyshimi bëjnë padrejtësi me fjalë dhe vepra. Të verbuar nga epshet, ata nuk mund ta njohin të vërtetën.
Thotë Ebu Kilabe: “Mos u ulni afër atyre që janë epshorë (pasues të epsheve), as mos polemizoni me ta, sepse mund t’ju zbusin në errësirën e të pavërtetës dhe të vërtetën për të cilën ju jeni të bindur se është e tillë mund t’jua veshin me të pavërtetën.”
Ndërkaq, Ibn Abbasi thotë: “Mos rrini me epshorët, sepse mexhliset e tyre janë sëmundje e zemrave të shëndosha.”
Njeriu nuk bën ta humbë karakterin e vet me ata të cilët nuk kanë karakter njerëzor. Sikur njeriu
të merrej me edukimin e çdo injoranti që takon, atë do ta lodhnin kurthet e shumta në të cilat do
të haste. Andaj, prej vetive të para me të cilat karakterizohen robtë e devotshëm të Allahut,
numërohet kjo masë mbrojtëse: “E, robtë e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë; e kur atyre
me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: Paqe!”
Pra, pakujdesia dhe epshi janë esenca e së keqes. Pasioni është një ndjenjë apo emocion shumë i
theksuar ndaj ndonjë personi apo diçkaje.
Për këtë arsye, gjithçka që njeriut ia kërkon epshi, nuk mund të jetë e arritshme.
Pejgamberi (alejhi – selam) ka thënë: “Sikur njeriu të kishte një luginë me ar, do të dëshironte t’i
ketë dy lugina (në vend të njërës). Dhe gojën e tij asgjë nuk mund ta mbushë (ngop), përveç
dheut. Atyre që bëjnë tevbe, Allahu ua pranon tevben e tyre.” (Transmetojnë Buhariu, Muslimi
dhe Ahmedi)
Hallalli e mëson njeriun të jetojë si njeri, të respektojë të tjerët, me kë të shoqërohet, kujt t’i besojë, kë ta bëjë mik, me kë të bashkëpunojë etj. Harami e mëson njeriun se cilat janë vijat e kuqe, ku duhet ndaluar, çfarë duhet pranuar e çfarë duhet refuzuar.
Sqarim ky që në shikim të parë dikujt mund t’i duket cenim i lirisë së të vepruarit, por pas një analize të thellë, bazuar në parimet e logjikës së shëndoshë jep të kuptohet se Urtësia Hyjnore i zgjidh të gjitha paqartësitë. Kështu që edhe me adhurimin e këtij muaji të bekuar të Ramazanit e kuptojmë urtësinë e këtij sistemi, ku prej disa gjërave na ka ndaluar brenda dite, e me diçka na ka obliguar brenda saj.
Gjithashtu, të mendohet se njeriu duhet të distancohet edhe nga vendet e dyshimta, nga shoqëria e dyshimtë, nga punët dhe veprat e dyshimta për të ruajtur nderin e tij, ngase ai që është në të dyshimtën – është futur në të ndaluarën.
Me të vërtetë, Allahu nuk e shikon trupin as fizionominë tuaj, por i shikon zemrat dhe veprat tuaja. Pejgamberi (a. s.) ka thënë: “Devotshmëria është këtu, devotshmëria është këtu (duke vënë dorën në zemër).”

Comments are closed.