[:al]Ramazani, rast për të përmirësuar moralin dhe edukatën tonë[:]

[:al]Agjërimi është shkolla më e mirë e ngritjes së moralit; njëherësh, mundësi për ta hequr veten prej veprimeve të këqija, nga punët e ndaluara.

Shkruan: Dr. Shinazi MEMEDI

Muaj i Ramazanit, përveç tjerash, është muaj i agjërimit, që është një ibadet me dobi të shumta, siç është ngritja e moralit.

Shumë dijetarë kur janë marrë me moralin, kanë ardhur në përfundim se lumturia e njeriut buron nga morali i mirë,  i zbukuruar me veti të pëlqyeshme. Ata besonin që morali bëhet shkak i ngritjes së zhvillimit material dhe shpirtëror të shoqërisë njerëzore.

Nga pikëpamja e fesë islame, morali nuk është një çështje relative,  por ai posedon rregulla dhe standarde të caktuara dhe vlerat morale janë pjesë e pandryshueshme e fesë.

Nuk ka dyshim se në fetë hyjnore, mirësia, drejtësia, sinqeriteti dhe besnikëria janë vlera të larta,  ndërsa në anën tjetër dhuna, shtypja, padrejtësia, egoizmi, xhelozia dhe gënjeshtra konsiderohen si antivlera, pa marrë parasysh nëse shumica e shoqërisë i pranon ato ose i refuzon.

Morali në Islam është i bazuar në shpallje,  kurse shpallja është nga Allahu, Krijuesi i Gjithësisë.

Allahu i madhëruar  njerëzit i ka krijuar me natyrë të njëjtë dhe kjo veçori është argumenti më i fuqishëm për të vërtetuar se bazat etike dhe morale janë të njëjta dhe të pandryshueshme. Njeriu nga natyra i vlerëson dhe pranon vetitë si: sinqeritetin, bujarinë, trimërinë, drejtësinë etj.

Faktori përcaktues në zhvillimin e një shoqërie të ngritur mbi bazat e moralit dhe karakteristikave që u cekën më lart pa mëdyshje se është edukimi.

Koncepti fetar mbi edukatën

Ky koncept na mëson se edukimi është pjesë përbërëse e jetës. Për aq sa një shoqëri i kushton rëndësi edukimit, po aq e respekton dinjitetin e personalitetit njerëzor. Nga edukimi varet e ardhmja e individit, e ardhmja e çdo bashkësie shoqërore apo fetare, por edhe e tërë njerëzimit.

Prandaj, për edukimin si proces të formimit të personalitetit të atij që edukohet me të gjitha kualitetet fizike, intelektuale, estetike dhe të punës,  me synim të përgatitjes së tij të shërbejë për të mirën e shoqërisë dhe të vetvetes,  ka kuptim të flitet vetëm nga aspekti i fesë.

Edukimi, ndërkaq, edhe është pikërisht ajo kategori në të cilën manifestohet baraspesha e materiales dhe shpirtërores te njeriu dhe rreth njeriut, në të cilën bazohet stabiliteti i individit, i familjes, i bashkësisë dhe i civilizimit dhe në të cilën liria njerëzore nuk është sprovë, por dhuratë e Allahut të madhëruar.

Prandaj, është e qartë që edukimit duhet kushtuar shumë më tepër rëndësi në çdo bashkësi familjare dhe në përgjithësi në çdo bashkësi njerëzore.

Çdo gjë e thënë mbi edukimin në përgjithësi, me siguri vlen edhe për edukimin fetar, sepse ai i jep qetësi qenies njerëzore, ngjall tek ajo vlera dhe realitete të reja.

Jeta praktike e edukatorit sipas parimeve fetare është më bindëse dhe më e pranuar për brezat e rinj sesa ligjërimet teorike.

Nga mënyra e interpretimit të njeriut dhe nga konceptimi i rolit të tij në botë, përkatësisht nga përcaktimi i tij kozmik, përkufizohen edhe modelet e edukimit.

Nga ndryshimet e të kuptuarit të këtyre aspekteve, janë përkufizuar dy modele themelore të praktikës edukative, edhe atë: 1. modeli shoqëror dhe 2. ai personal.

S’ka dyshim se modeli shoqëror historikisht është përfaqësuar në një shkallë shumë më të gjerë. Qëllimet e tij janë që të krijojë (arsimojë, formojë, edukojë),  para së gjithash,  anëtarin e një bashkësie të caktuar, d.m.th. të prodhojë qytetarë në masë, si një lloj instrumenti për realizimin e planeve vetanake, shoqërore, shtetërore etj.

Të krijosh, d.m.th. të arsimosh, të edukosh njeriun, si detyrë themelore e procesit edukativ socialisht të centralizuar, do të thotë ta formosh atë në pajtim me planet e drejtpërdrejta të shoqërisë dhe me sistemin e themeluar mbi premisat ideologjike dhe vlerat sociale.

Kuptimi i edukimit të njeriut varet nga kuptimi i jetës së njeriut, e kuptimi i jetës së njeriut varet nga themelet mbi të cilat mbështetet dhe nga qëllimet finale drejt të cilave ai synon.

Edukimi dallon varësisht prej vendit dhe mjedisit ku jetojmë. Në shumicën e vendeve perëndimore, edukimi ka për qellim ngritjen dhe zhvillimin ekonomik te atij vendi; njëherazi ata luftojnë që të jenë sa më të edukuar,  me synim të arritjes se famës, pasurisë e të tjera.

Përderisa në Islam edukimi ka për qëllim ngritjen e njerëzve moralisht, e me këtë kuptojmë ngritjen dhe zhvillimin e tij në të gjitha sferat e jetës, si rrjedhojë, qëllimi i edukimit në fenë islame është shumëdimensional.

Kjo do të thotë që të ndodhesh në rrafshin e synimeve, në fushën e veprimit, në atë të kushteve për të realizuar këtë veprim ose në rrafshin e efekteve dhe produkteve të këtij veprimi edukativ.

Koncepti i edukatës në Islam

Ky edukim është i veçantë, sepse, në dallim nga të tjerët karakterizohet nga gjerësia dhe universaliteti si i qëllimeve,  ashtu edhe i mjeteve. Ai nuk lejon që njeriu të shpërndajë e të humbë energjinë nga mjetet e shumëllojta prej të cilëve secili ka qëllimin e vet të veçantë.

Islami ka vetëm një rrugë-atë kuranore, ku bashkohen edhe mjetet edhe qëllimet.

Ai përfshin të gjitha aspektet e ekzistencës njerëzore, që dëshiron t’i bashkojë në një dhe të bëjë nga ai një personalitet të kompletuar. Qëllimi dhe synimi i tij themelor është zhvillimi i drejtë i trupit, i mendjes dhe shpirtit, krijimi i një harmonie mes tyre.

Islami si sistem i jetës dhe i moralit dallon nga të gjitha sistemet tjera me atë që respekton të gjitha nevojat themelore të njeriut. Ai e kënaq në mënyrë të barabartë çdo aspekt të personalitetit njerëzor, i plotëson nevojat e tij pa i dhënë prioritet njërit nga tjetri.

Islami e shikon qenien njerëzore në mënyrë integrale; njeriu në vete ka tri aftësi: trupore, shpirtërore dhe mendore. Të gjitha këto kërkojnë përmbushjen e nevojave të tyre.

Etika islame përpiqet t’i kënaqë në mënyrë të barabartë që të tri këto aftësi,  në mënyrë që të mos vijë deri te çrregullimi i personalitetit njerëzor dhe edukimi i keq. Të gjitha këto së bashku përbëjnë natyrën njerëzore, në bazë të së cilës Allahu i madhëruar i krijoi të gjithë njerëzit dhe i udhëzoi të përqendrohen në besim – fe.

”Përqendrohu në vetveten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fe), feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu; ajo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Er-Rum, 30)

Morali është bazament për ngritjen e civilizimit njerëzor:

Muhamedi  (a. s.) në këtë hadith na udhëzon për çështjen që përmirëson jetën  individuale dhe rregullon sistemin shoqëror. Kjo këshillë është sjellja me njerëzit me moral të mirë. Sjellja me njerëzit në atë mënyrë që dëshiron që të tjerët të sillen me të. Duhet vazhduar kështu derisa njeriu të ndihet i afërt me të tjerët, t’i dojë njerëzit, por edhe ata ta duan.

Pasi që morali ka një vlerë të rëndësishme në jetën e popujve, ai në Islam ka një vend të posaçëm. Mjaftojnë, si argument për këtë, ajetet dhe hadithet e shumta që flasin për vlerën e moralit dhe vlerën e atij personi që cilësohet me të.

Muhamedi (a. s.) thotë:   “A t`ju informoj për njeriun më të dashur tek Allahu dhe që do të jetë më afër meje në Ditën e Gjykimit? Shokët i thanë po, atëherë Ai tha:  “Ai i cili posedon moral më të mirë.”

Të gjithë ne besojmë se ndihma e Allahut është në bashkësi dhe se moskuptimi i domosdoshmërisë së përbashkësisë sjell deri rezultatet më të këqija. Kjo bindje do të zhduket nëse nuk ekziston lëvizja e vazhdueshme në fokusimin e këtij fakti në jetët tona.

Është e pamundur që një popull të përparojë nëse individualizmi shkatërrues nuk largohet nga kraharori, koka dhe shpirti i pjesëtarëve të vet. Respektivisht, përparimi i popullit është me mësimin dhe bindjen e tyre se dëshira për të mirën e çdokujt është prej thelbit të degëve të imanit, sepse Muhamedi (a. s.) ka thënë:

“Nuk beson askush nga ju derisa nuk i dëshiron vëllait të tij atë çka ia dëshiron vetvetes.”

Duhet të kemi platformë të shëndoshë,  në bazë të të cilës duhet t’i edukojmë pasardhësit tanë, e cila është:

“Individi punon për bashkësinë, dhe bashkësia për individin, kurse të gjithë tok punojmë për Islamin! Interesat materiale te njerëzit e zakonshëm zënë vend të madh në jetët e tyre, për ç’arsye shumë prej tyre ngurrojnë të veprojnë drejt e madje edhe atëherë kur këtë munden.

Kurani fisnik na urdhëron të këmbëngulim në bërjen e të mirave deri në fund: Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të vjen ty e vërteta.” (El-Hixhr, 99)

Ndër format më kërcënuese të ngecjes në jetën e tërë njerëzisë është mosnjohja e begative të Allahut, të cilat i janë dhuruar, pas së cilave kërkojnë të drejtat e tyre nga autoritetet e ndryshme, kurse individët njëri-tjetrit i japin një lloj hyjnie e cila i përket vetëm Allahut.

“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (En-Nahl, aj. 97)

Këmbëngulja në të vërtetën dhe hulumtimi drejt saj janë të domosdoshme për baraspeshën dhe stabilitetin njerëzor. Tezat për të cilat folëm janë të domosdoshme për shkak të edukimit të shëndoshë të shpirtit njerëzor. Ne duhet patjetër ta njohim identitetin dhe përkatësinë tonë, duhet patjetër t’i njohim shembujt dhe autoritetet tona, këta hapat e parë tonët dhe synimet e largëta.

“Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj dhe lutuni për atë,  duke pasur frikë dhe duke shpresuar. S’ka dyshim se mëshira e Allahut është pranë atyre të mirëve.” (El-A´raf, 56)

Edukimi islam kërkon nga të gjithë ne që të ndjekim rrugën e Kuranit dhe Hadithit lidhur me ndërtimin e besimit, moralit dhe mirësjelljes në qenien njerëzore dhe me rrugën e ruajtjes nga shfrenimi dhe skajshmëritë tjera.

Bota perëndimore,  përkundër përparimit të madh material, megjithatë ka rënë në krizë morale të përmasave të mëdha. Kjo lajthitje e madhe jashtë fesë dhe moralit tregon se njeriu është larg udhëzimit hyjnor, përkatësisht tregon se njeriu po anashkalon dhe zhvlerëson udhëzimin hyjnor në procesin e edukimit.

Kapërcimi i kësaj gjendjeje kërkon që edukimi fetar të kthehet tek individi, në familje, në mesin njerëzor,  kudo që vepron ai; në shkolla,  në institucione të ndryshme shoqërore, politike, ekonomike, sociale, humanitare  e të tjera e të tjera. Kjo më së miri mund të arrihet gjatë muajt të Ramazanit, sepse agjërimi është shkolla më e mirë e ngritjes së moralit,  e njëherësh do ta ndalojmë veten prej veprimeve të këqija, nga punët e ndaluara e kështu me radhë.[:]

Comments are closed.