[:al]Ramazani, muaj i bekuar[:]

[:al]Në gjithë botën më shumë se 1 miliardë myslimanë në datën 27 maj 2017 nisin agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit,  muajit të nëntë sipas kalendarit islam, që zgjat 29 ose 30 ditë, bazuar në vëzhgimet pamore të hënës së re dhe sipas llogarive të shumta nga hadithet profetike

Shkruan: Doc. Dr. Abdulxhemil NESIMI

Termi ramazan vjen nga arabishtja ramaḍān,  që d.t.th. vapë ose thatësirë, që nënkupton shmangien e ushqimit dhe të lëngjeve, marrëdhënieve seksuale, fjalëve dhe sjelljeve të këqija dhe gjërave të tjera të ndaluara në Islam.

Ky muaj është i bekuar dhe i potencuar në Kuran,  të cilin besimtarët e presin me padurim, madje kur hyn ky muaj, ia numërojnë ditët se sa kanë kaluar dhe sa kanë mbetur. Në veçanti,  në këtë muaj njerëzit e devotshëm,  të cilët e kuptojnë esencën e agjërimit,  janë të kujdesshëm, para se të fillojë ky muaj përgatiten shpirtërisht dhe moralisht, kurse me hyrjen e këtij muaj ata sikur ringjallen shpirtërisht, i përgëzojnë të tjerët për ardhjen e këtij muaji.

Agjëruesi  përpos që kryen një obligim fetar,  në të njëjtën kohë solidarizohet me të varfrit, si dhe ndan ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët. Thjesht thënë, agjërimi në Islam nuk është mbetje pa ngrënë e pa pirë, do të ishte tezë shumë e gabuar nëse e vlerësojmë agjërimin vetëm në këtë aspekt, përkundrazi, shprehja kuranore “që të bëheni të devotshëm”,  që ndodhet në fund të ajetit të agjërimit,  ku thuhet se agjërimi është obligim (farz),  flet për domethënien e agjërimit.

Duke pasur parasysh se midis rajoneve të botës ekzistojnë ndryshime të rëndësishme, ku në një kohë në hemisferën veriore kemi dimër, kurse në hemisferën jugore vazhdon stina e verës, në qoftë se agjërimi do të bëhej në një stinë të caktuar sipas kalendarit diellor, atëherë, myslimanët që jetojnë në disa zona do të agjëronin gjatë gjithë jetës në stinë të nxehtë dhe me ditë të gjatë, kurse një pjesë tjetër e myslimanëve do të agjëronin përherë në ditë të shkurtra dimri. Kjo llogaritje, pra, siguron që myslimanët të agjërojnë në stinë të ndryshme dhe të mësohen me vështirësitë e secilës stinë të vitit, për t’i eliminuar disavantazhet.

Lashtësia e agjërimit

 

Agjërimi i muajit Ramazan është detyrim islam dhe një nga pesë shtyllat kryesore të tij. Për agjërimin islam, i Plotfuqishmi zgjodhi muajin e bekuar të Ramazanit, i cili në shpirtin e myslimanit zë një vend të posaçëm, ngase në këtë muaj zbritën ajetet e para kuranore,  të cilat i barti shpirti besnik (Xhibrili) deri në zemrën e besnikut, Muhamedit (a. s.).  Megjithatë, agjërimi është shumë i hershëm; njëherësh, lashtësia e agjërimit flet për rëndësinë e tij dhe për faktin se në shpirtin e njeriut përherë është ushqyer ndjenja për adhurimin e Allahut fuqiplotë në forma të ndryshme.

Agjërimi, ashtu siç shprehet Kurani famëlartë, është një ibadet, që ka ekzistuar edhe në religjionet tjera para zbritjes së Kuranit dhe që shkon deri në kohë shumë të vjetra, të cilën lashtësi e përshkruan ajeti i agjërimit:

O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), të një të varfëri; ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po qe se dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (El Bekare: 183-184)

Shprehja kuranore “Ditët e caktuara” i referohet muajit të Ramazanit,  gjatë të cilit filloi shpallja e Kuranit, si udhërrëfyes për njerëzinë dhe si dëshmi e qartë që shpie në rrugën e drejtë dhe që e ndan të vërtetën nga e pavërteta.

Nga ajeti i cituar më lart shihet se agjërimi ka qenë i obliguar edhe para ardhjes së Muhamedit (a. s.). Disa nga ata popuj janë shfarosur, e disa jetojnë edhe sot, siç janë kinezët, indianët, persianët, egjiptianët etj.

Në ungjijtë (sipas Mateut dhe Lukës) gjithashtu flitet për agjërimin. Dispozitat e agjërimit në Dhiatën e Vjetër (Bibël) janë të paqarta, mirëpo dihet se Musai (a. s.)  agjëronte nga dyzet ditë.

Fakti se institucioni i agjërimit haset edhe te popujt paganë, flet se edhe këtyre popujve u kanë ardhur pejgamberë me urdhëresa të njëjta ose të ngjashme, të cilat i ka shpallur edhe Kurani. Ndërkohë që disa popuj agjërimin e kuptonin si vetëmundim – duke mos ngrënë asgjë për një kohë të gjatë (brahmanët, budistët), të tjerët hanin, duke e lënë vetëm mishin dhe dhjamin e kafshëve (të krishterët).

Për sa i përket agjërimit në Islam,  ai është i një natyre krejtësisht tjetër nga ai që zbatohej më herët. Së pari, me agjërim kryejmë një obligim ndaj Zotit dhe i përgjigjemi urdhrit të Tij. Njëherësh, kjo është edhe esenca e vetë agjërimit, me anë të të cilit shprehim bindjen, devotshmërinë dhe sinqeritetin tonë ndaj Krijuesit.

Në vitin e dytë pas mërgimit të Muhamedit (a. s.) nga Meka në Medinë (623624)  ishin ajetet e Kuranit në suren El Bekare (ajetet: 183-185 dhe 189) hapi i parë në rrugën e themelimit të praktikës së pavarur, të re, të agjërimit për bashkësinë islame, plotësimi dhe përcaktimi i rregullave rituale të së cilës do të mbetej detyrë e juridiksionit të mëvonshëm.

Është fakt i pamohueshëm se myslimanët kanë agjëruar edhe para kësaj date, por jo në muajin Ramazan, ngase agjërimi në këtë muaj nuk ishte i detyrueshëm para zbritjes së ajeteve që flasin për obligueshmërinë e agjërimit. Më parë Pejgamberi (a. s.) agjëronte ditë të caktuara,  edhe atë tre ditë në çdo muaj: ditën e 10, 20 dhe 30 (“jeni të obliguar për) Ditë të caktuara”. (El-Bekare : 184) Njëherësh,  kjo ishte si parapërgatitje për myslimanët që kur të zbresin ajetet që obligojnë agjërimin e këtij muaji,  të jenë të përgatitur.

Në muajin Sha’ban të vitit të dytë hixhrij Muhamedit (a. s.) i zbresin ajetet kuranore, të cilat e bëjnë obligim agjërimin e këtij muaji për gjithë myslimanët, të cilët i plotësojnë kushtet për agjërim:

“Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë.” (El-Bekare: 185)

Që nga viti i dytë hixhrij myslimanët agjërojnë muajin e Ramazanit si obligim të domosdoshëm. Ata e aplikojnë atë me një devotshmëri të panjohur më parë, me vullnet dhe dashuri, me një disiplinë të lartë e të pashembullt në historinë e agjërimit.

Përkufizimi i agjërimit në Islam

 

Agjërimi është një nga pesë shtyllat mbi të cilat sendërtohet Islami. Është një institucion edukativo – moral,  që synon edukimin fizik dhe shpirtëror të njeriut.

Fjala agjërim (es-seum – gj. arabe), sipas konceptit islam do të thotë: të përmbajturit, të larguarit, heqje dorë nga të ngrënët, të pirët dhe nga marrëdhëniet intime, që nga agu i parë e deri në perëndim të diellit.

Në ajetet e Kuranit të transmetuara në Mekë ky term potencohet vetëm një herë. Aty i urdhërohet Merjemit (r. a.) që të flasë nëpërmjet mbulesës me këto fjalë:

“Dhe ha, pi dhe qofsh e gëzuar (tekstualisht: me sy të freskët)! Dhe kur të shohësh ndonjë nga njerëzit, thuaj: i kam lëvduar (premtuar, dhuruar) të mëshirshmit (Zotit) agjërim. Prandaj sot nuk do të flas me asnjë krijesë njerëzore.” (Merjem: 26)

Përkatësisht, bëhet nga komentuesit e Kuranit në këtë pikë lidhja e termit saum (agjërim) me “heshtjen – samt” si shenjë e përkores (masë, kufizim-shën.), e cila është karakteristike gjatë agjërimit islam dhe në të gjitha sferat e jetës së përditshme.

Agjërim në kuptimin gjuhësor do të thotë: shmangie dhe privim, ndërsa në kuptimin fetar me agjërim nënkuptojmë: privim i vetvetes dhe ndalim nga ngrënia, pirja dhe nga marrëdhëniet intime nga agu i parë deri në perëndim të diellit, duke pasur si qëllim adhurimin e Allahut fuqiplotë.

Nga përkufizimi i agjërimit, arrijmë të kuptojmë se me agjërim nënkuptojmë kontrollin e nefsit nga ana e individit, duke bërë nijet dhe duke filluar nga agimi e deri në perëndim të diellit. Gjatë këtij intervali kohor agjëruesi qëndron larg ushqimit, pijeve, përgojimeve-me një fjalë, larg të keqes dhe të kotës. Pra, me agjërimin kemi të bëjmë kontrollimin e nefsit, të dëshirave, pasioneve e kështu me radhë.

Kush është i obliguar të agjërojë?

 

Agjërimi islam është detyrë e domosdoshme fetare për çdo mysliman dhe myslimane të moshës madhore dhe të mençur, që të heqë dorë nga ushqimi, pija, marrëdhëniet intime, nga duhani dhe veprimet e ngjashme që e prishin agjërimin që nga agimi deri në përëndim të diellit, me nijet që këtë ta bëjë në emër të Allahut, me kusht që ai nuk është udhëtar dhe që në vetvete nuk ka pengesa për agjërim.

Për të miturin agjërimi nuk është obligim, por i preferohet agjërimi,  në mënyrë që të mësohet dhe t’i bëhet shprehi agjërimi i muajit të Ramazanit.

Personi i çmendur nuk është i obliguar të agjërojë dhe po ashtu nuk e ka obligim kompensimin e tij me fidje (ushqimi ditor) edhe në qoftë se është person i rritur. Në këtë kategori bën pjesë edhe personi me të meta mendore dhe njeriu me mendje të brishtë (elm’atuh), i cili nuk i dallon gjërat.

Personi që nuk është në gjendje të agjërojë për shkak të pengesave të vazhdueshme, siç janë mosha e vjetër ose sëmundje për të cilën nuk  pritet shërim i shpejtë, është i obliguar që për çdo ditë të paagjëruar të japë fidje – të ushqejë të varfrit.

Pacienti, shërimi i të cilit pritet në një të ardhme të afërt, mund të mos agjërojë nëse agjërimi do t’i paraqet vështirësi për shëndetin e tij, por ai ato ditë të paagjëruara do t’i kompensojë pasi t’i përmirësohet gjendja shëndetësore dhe pasi të shërohet.

Gratë shtatzëna dhe nënat mëndeshë, nëse ato e kanë vështirë të agjërojnë për shkak të shtatzënisë ose ushqyerjes me gji, ose në qoftë se frikësohen për fëmijën e vet, do të ndërpresin agjërimin, ndërkaq ditët e paagjëruara do t’i kompensojnë  kur agjërimi do t’u bëhet i lehtë dhe pa frikë.

Gratë në periudhën e menstruacioneve dhe lehonisë do të ndërpresin agjërimin, por do të kompensojnë ditë të lëshuara; e në qoftë se ka ndodhur se ajo agjëronte, nuk do t’i jetë e vlefshme.

Personi i cili është i detyruar të ndërpresë agjërimin për të shpëtuar të pafajshmin nga përmbytja apo zjarri, do të ndërpresë agjërimin për këto shkaqe, për ta kompensuar agjërimin.

Për sa i përket udhëtarit, nëse dëshiron, mund të agjërojë,  e nëse dëshiron,  mund të mos agjërojë (për arsye se e ka të lejuar), por ditët e lëshuara të agjërimit do t’i kompensojë pa marrë parasysh se a ishte udhëtimi i papritur apo udhëtimi i përditshëm siç e bëjnë taksistët.

Këto janë disa performanca që kanë të bëjnë me agjëruesin, meqë është vështirë të prezantohen që të gjitha problematikat që shfaqen gjatë agjërimit dhe të privuarit nga ky detyrim fundamental i Islamit.

Vlerat dhe virtytet e muajit Ramazan

 

Për muajin e Ramazanit mund të flitet nga pikëpamje të ndryshme, duke filluar nga aspekti shpirtëror, kulturor, letrar, sociologjik etj. Kjo, për arsye se dhuratat e Ramazanit janë aq të shumta,  saqë është e pamundur të përmblidhen dhe sepse kanë forcë dhe ndikim të tillë shpirtëror në jetën e myslimanëve, që nuk mund të matet me asnjë muaj tjetër. Thjesht thënë, ditët e Ramazanit të bekuar janë të veçanta, jo të zakonshme dhe unikale. Drita e Ramazanit të bekuar veçanërisht derdhet në zemrat dhe shpirtrat e besimtarëve, të cilat kënaqësinë e tyre e gjejnë në adhurimin e gjallë të Allahut fuqiplotë.  

Për vlerat dhe virtytet shpirtërore të muajit të Ramazanit është thënë dhe shkruar shumë. Është vështirë të thuhet, apo të shtohet diç e re në këtë aspekt. Megjithatë, për hir të ardhjes së këtij muaji të bekuar e madhështor dhe mysafirit më të dashur në shtëpitë dhe zemrat e myslimanëve, është i dobishëm përkujtimi në disa vlera dhe virtyte të cilat e veçojnë nga muajt tjerë. Sepse, fjala është për muajin më të ndershëm dhe për muajin e vetëm,  emri i të cilit përmendet në Kuran. Në të i është shpallur Libri më i Ndershëm robit më të përzgjedhur të Allahut. Në Ramazan kryhet një nga ibadetet bazë që na afron nga Krijuesi ynë. Në të gjendet nata më e vlefshme në vit. Në të zbresin melaqet më të ndershme.

Vërtet Allahu fuqiplotë e ka begatuar ummetin e Muhamedit (a. s.) me muajin e Ramazanit, muaj në të cilin është zbritur Kurani, ku Allahu (xh. sh.) thotë: “Muaji i Ramazanit, gjatë të cilit (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë…” (El-Bekare: 185)

Është muaj i agjërimit, i faljes së namazit, muaj i begatshëm. Për vlerat e mëdha të këtij muaji dhe të agjërimit të tij profeti Muhamed (alejhi-selam)  i përgëzonte sahabët e tij para se të vinte ky muaj,  duke thënë: “Ju ka ardhur një muaj i bekuar, në të cilin është bërë detyrim agjërimi. Në këtë muaj janë hapur dyert e Xhenetit, janë mbyllur dyert e Xhehenemit dhe shejtanët janë lidhur në pranga. Në të gjendet një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj.”

Po ashtu transmetohet nga Tirmidhiu, Ibn Hibbani, Ibn Maxheh dhe Bejhekiu, e që është vlerësuar si hadith sahih, nga Ebu Hurejra (r. a.), se Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: “Çdo natë (prej netëve të Ramazanit) thërret një thirrës (Melaqe): “O ti, që dëshiron punë të hairit, prano (këto shpërblime që t’i ka dhuruar Allahu në këtë muaj), dhe, o ti, që dëshiron punë të këqija, pakësoji ato.”

Dobitë e agjërimit

Agjërimi i muajit të Ramazanit   është   adhurim    i pasuar me dobi shpirtërore, sociale dhe mjekësore.  Nga  dobitë  shpirtërore mund të përmendim atë se agjërimi e forcon më shumë besimtarin në sinqeritetin e tij ndaj Allahut, e bën atë më të durueshëm nga uria dhe etja dhe kjo gjë e forcon atë   më   shumë   për   sprovat   e   jetës.

Agjërimi  e  bën  besimtarin  të  mendojë më  shumë  praktikisht  për  njerëzit  e varfër, të cilët në shumë raste kanë uri dhe i merr etja. E largon njeriun nga  mëkatet  dhe  në  të  njëjtën  kohë  e nxit besimtarin të punojë brenda këtij adhurimi e të bëjë punë të mira. E motivon besimtarin të ndihet më pranë vëllait të tij, e pastron nga veset, nga të ligat, e kështu me radhë.

Aspekti shëndetësor i agjërimit

 

Agjërimi si institucion fetar dhe si subjekt mjekësor është aq i vjetër,  sa edhe vetë njerëzimi. Në lidhje me efektin shërues të agjërimit, myslimanët përcjellin thënien e famshme të Muhamedit     (a. s.), të cilën e ka thënë para XV shekujsh e që i vë në pah vlerat kuruese të agjërimit: “Agjëroni,  që të jeni të shëndetshëm.” Shprehja “do të jeni të shëndetshëm” paraqet formën maksimale kurative për agjëruesin, në favor të trupit dhe të shpirtit të tij.

Se agjërimi është i dobishëm për shëndetin, dëshmojnë edhe shumë studime si të shkencëtarëve islamë,  ashtu edhe të tjerë.

Agjërimi si parandalim është shumë i efektshëm për shëndetin e njeriut. Njeriu duke agjëruar ndryshon orarin e punës të organeve të tretjes, i le të pushojnë organet e ushqimit. Ato pastrohen nga hedhja e mbeturinave të trupit, helmet e tubuara nga konsumimi i ushqimit, ilaçeve, pirja e duhanit etj. Organizmi e shpenzon dhjamin e tepërt, duke e zvogëluar peshën e trupit, tensionin e gjakut; me të rregullohet frymëmarrja, forcohet tonusi i zemrës etj.

Sipas Hipokratit, babait të mjekësisë: “Njeriu është mjek i vetvetes; nëse trupi nuk është i pastruar, sa më shumë ta ushqesh, aq më shumë do ta dëmtosh.”

Duhet të kemi një gjë të qartë se Krijuesi i gjithësisë nuk e ngarkon krijesën më tepër se sa duhet dhe sa mund të bartë. Nuk kërkon prej tij më shumë se sa ai mund të realizojë. Është absurde dhe e palogjikshme që të mendohet se Krijuesi do ta ngarkonte krijesën e Tij me atë që do ta dëmtonte dhe do të ishte në disfavor të tij. Kësaj,  njëherësh,  i referohet ajeti kuranor ku thuhet:

E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” (El Bekare : 185)

Aspekti  social  

Agjërimi përpos asaj që ka karakter fetar dhe moral,  ka edhe karakter human. Besimtari në këtë muaj solidarizohet më tepër se kurrë. Ai është më afër të varfrit, ngase tërë ditën kalon me stomak të zbrazët dhe është i obliguar që në këtë muaj të japë zeqatë dhe sadekatul-fitër të varfërve.

Ai që agjëron,  ndjen se si njerëzimi ka nevojë madje për një kafshatë bukë, për një gllënjkë ujë, se si i dobëti e i pamunduri është përballë Allahut, sado i fuqishëm qoftë dhe cilat do qofshin pozita dhe posti i tij.

Andaj, gjatë Ramazanit njerëzit tregojnë kujdes dhe i kushtojnë rëndësi edhe ndihmës ndaj të tjerëve, sidomos të varfërve. E para në këtë aspekt është edhe aspekti social i Ramazanit, ku myslimani pikërisht në këtë muaj e jep zeqatin.

Madje, të ftosh dikë në iftar,  e forcon akoma edhe më shumë ndjenjën e miqësisë dhe solidaritetit, ku nëpër qytete të ndryshme të botës islame shtrohen sofra të iftarit (maidetu er Rahman) për skamnorët. Qëllimi është që gjatë muajit të Ramazanit të gjithë të jenë të qetë shpirtërisht dhe të lumtur.

Një prej ibadeteve që kryhet gjatë këtij muaji është edhe namazi i teravisë. Teravia është një namaz që falet vetëm mbrëmjeve të Ramazanit, edhe atë pas faljes së namazit të jacisë. Nuk është namaz i detyrueshëm; vetëm se,  falja e këtij namazi konsiderohet sevap. Sipas bindjeve tona, nuk mund të imagjinohet Ramazani pa faljen e teravisë, edhe pse i Dërguari i Perëndisë ka munguar nga falja e tij nga frika se mos u bëhet obligim myslimanëve. Imazhin na e përcjell bashkëshortja e tij, Aishja (r. a.): “Kishte dëshirë që të kryejë diçka, por distancohej nga frika që mos të bëhej obligim për myslimanët.”

Nuk është vetëm kjo.  Në agjërim ka edhe urtësi të tjera,  të cilat shkenca ende nuk i ka zbuluar dhe do të mbeten si enigmë për të ardhmen, ngase agjërimi do të jetë i detyrueshëm derisa të ekzistojë gjithësia.

Agjërimi kultivon tek njeriu virtytin e çiltërsisë shpirtërore, për arsye se individi kur agjëron, këtë akt ia dedikon Zotit të Gjithësisë. Individi që e kryen këtë ritual në mënyrë të përpiktë, pa dyshim është një njeri që mund t’i disiplinojë dëshirat dhe pasionet e tij nga ngacmimet instiktive materiale. Ky person karakterizohet si një personalitet dhe karakter i lartë devocioni. Agjërimi njeriut i rikujton Allahun fuqiplotë dhe tek agjëruesi zhvillon ndjenjën e përgjegjësisë.

Mbi të gjitha, agjërimi është sprovë e mirë morale që e pastron njeriun nga veset, që e largon individin nga shëmtitë dhe mbjell tek ai shprehi të mira. Ai që agjëron dhe qëndron për një kohë të kufizuar larg të mirave që na i ka dhuruar Krijuesi,  e kupton edhe më mirë vlerën e këtyre mirësive. Qëndrimi larg mirësive që ia ka falur Perëndia njeriut ka për qëllim kuptimin, ruajtjen dhe të falënderuarit e Zotit për gjithë këto mirësi që i ka falur. Kjo sprovë morale që vazhdon për gjatë një muaj rrënjos në zemër frikën ndaj Allahut.

Ramazani, muaj i triumfit të besimtarëve

 

Duhet ta kemi të qartë se muaji i Ramazanit nuk është muaj i stagnimit, i shpenzimeve, i mbushjes së strajcave dhe stomakut. Aq më pak,  muaj i pushimit, i rehatisë dhe i gjumit, duke e ndryshuar orarin e ditës me të natës-ditët t’i kalojmë në gjumë, netët në lojë, duke shikuar telenovela apo në faqet e facebook-ut.

Nëse shfletojmë faqet e historisë sonë të lavdishme,  do të kuptojmë se arritjet dhe ngjarjet më të mëdha të myslimanëve kanë ndodhur pikërisht në këtë muaj. Lirisht mund të themi se muaji Ramazan është muaj i ngjarjeve më të rëndësishme që njeh historia islame.

Është muaj në të cilin triumfuan myslimanët, ngase më 17 Ramazan, vitin e 2 hixhrij, myslimanët triumfojnë për herë të parë kundër idhujtarëve në Bedër. Në vitin e 8 hixhrij, po në Ramazan, myslimanët e çlirojnë Mekën. Po në Ramazan të vitit 15 hixhrij ushtria myslimane korr fitoren e njohur në Kadisije kundër  zjarrputistëve.

Një rëndësi të veçantë merr muaji i agjërimit të Ramazanit përmes thënies në Kuran, sipas së cilës pikërisht ky muaj ka qenë ai kur më 27 të Ramazanit të vitit 610, kur Muhamedi (a. s.) i kishte mbushur të katërdhjetat, zbresin ajetet e para të Kuranit famëlartë. Pra, Allahu (xh. sh.) e nderoi këtë muaj dhe e veçoi me dy gjëra: obligimin e agjërimit dhe zbritjen e Kuranit famëlartë.  Kjo ndodhi festohet gjatë natës së 27 të Ramazanit si nata e përcaktimit hyjnor, e cila natë në gjuhën arabe quhet ‘Lailatul-kadr’. Kjo festë është me orgjinë kuranore; përkujtimit të zbulesës së Kuranit i përkushtohet surja 97, kaptina e El Kadrit.

Pra, agjërimi është përgatitje e shpirtit për të lexuar Kuranin dhe për ta studiuar atë. Në agjërim shpirti gjen qetësi dhe përgatitet për të pranuar  fjalët e Allahut të Madhërishëm. Mirësitë që i arrin individi përmes agjërimit, namazit, leximit të Kuranit etj., ka një dimension të gjerë dhe i përfshinë të gjitha veprat. Studioni ajetin kuranor ku thuhet: Ti nuk do të bësh asgjë, as nuk do të lexosh asgjë nga Kurani, as nuk do të punoni kurrfarë pune, e që Ne mos të jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të.” (Junus : 61)

Agjërimi nuk është thjesht privim i vetvetes nga të ngrënët dhe të pirët. Thjesht, ky do të ishte një gabim shumë i madh nëse e vlerësojmë agjërimin vetëm në këtë aspekt.

Shprehja “që të mbroheni”, që ndodhet në fund të ajetit të agjërimit,  ku thuhet se agjërimi është obligim, flet për domethënien e agjërimit. Madje, i dërguari i Allahut thotë se agjërimi është një mburojë: “Atëherë, ai që agjëron të mos thotë fjalë të këqija. Atij që kërkon ta ngacmojë dhe grindet me të t’i thotë dy herë se është me agjërim.”

Ashtu siç e ruan mburoja të zotin nga armiku, në të njëjtën mënyrë e ruan edhe agjërimi njeriun nga të këqijat dhe gjynahet.

Agjërimi në kohën moderne

Bota sot numëron mbi 7 miliardë njerëz, ku myslimanët  e përbëjnë 1/4 e këtij numri. Mirëpo, nuk do ta tepronim nëse themi se në botë agjërojnë më tepër se sa numri që e përbëjnë myslimanët dhe atë duke agjëruar gjatë tërë vitit dhe se nuk përcaktohet i gjithë ky numër vetëm në agjërim të muajit Ramazan. Ka të atillë që agjërojnë nga shkaku i ndonjë sëmundje, disa për rënie të peshës së trupit, disa për ushtrime  fizike, të tjerët për bukuri. Lirisht mund të themi se bota sot agjëron më tepër se kurdo më parë, por pak janë ata që agjërojnë për një qëllim dhe për një kohë të caktuar.

Por, nëse e vështrojmë mënyrën dhe sjelljen e myslimanëve dhe harxhimet që bëjnë në këtë muaj, ngase muaji i Ramazanit përpos që ka karakter human ka edhe karakter ekonomik, që myslimani të kursejë gjatë këtij muaji, për fat të keq, sipas statistikave, do të shohësh se ata shpenzojnë më tepër se në muajt tjerë dhe se edhe në këtë muaj nuk e përfillin fjalën kuranore:

“Hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai ( Allahu) nuk i do ata që e teprojnë.” (El-A’raf : 31)

Nga këto veprime të duket sikur Zoti e ka falur këtë muaj për të ngrënë dhe jo për t’u uritur e për t’u kalitur?!

Duhet të jemi të vetëdijshëm se obligimet fetare nuk janë stinore, por ato janë jetike dhe nuk pranojnë reduktim. Disa nga mosdija thonë se Ramazani i fal mëkatet pa bërë kurrfarë dallimi mes mëkateve. Prandaj,  me të përfunduarit e tij vazhdojnë me avazin e vjetër.

Më habit fakti që shumë myslimanë gjatë Ramazanit, me tespihe në dorë dhe me gojën plot e shqiptojnë shehadetin,  duke menduar se në këtë mënyrë bëhet dhikër – përkujtohet Allahu (xh. sh.).  Por, pasi i ka dhënë lamtumirën Ramazanit,  ai fillon një jetë tjetër dhe më nuk është ai mysliman i Ramazanit. Vallë, a thua Ramazani vjen për t’i edukuar myslimanët vetëm në këtë muaj,  apo për t’i edukuar ata që të jenë gjatë tërë vitit si në këtë muaj. Në këtë kontekst,  na duket se Ramazani vjen për të na orientuar dhe mbrojtur fenë,  apo për të na edukuar sipas fesë? Atëherë,  parashtrohet pyetja: çfarë vlere dhe rëndësie do të kishte Ramazani që myslimanët të ishin korrektë dhe t’u përkushtoheshin ritualeve fetare vetëm në këtë muaj, duke harruar se viti ka 12 muaj.

Për atë, bamirësia është në mbikëqyrje dhe vështrim. Mbikëqyrja e Allahut nuk ka të bëjë vetëm me një punë e të anashkalojë të tjerat, por Ai i ka nën mbikëqyrje të gjitha veprat, duke filluar që nga namazi, kur myslimani është direkt në kontakt me Allahun (xh. sh.).  Po ashtu,  edhe gjatë profesionit të tij,  të cilin e ushtron gjatë jetës. Bamirësia që arrihet nga individi nëpërmjet agjërimit, namazit, leximit të Kuranit, ka një dimension të gjerë dhe i përfshin të gjitha veprat. Në Kuran thuhet: “Ti nuk do të bësh asgjë, as nuk do të lexosh asgjë nga Kurani, as nuk do të punoni kurrfarë pune, e që Ne mos të jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të.”  (10: 61)

Ardhja e Ramazanit e ndryshon gati në tërësi jetën e tërë myslimanëve. E tërë bota islame dhe të gjithë myslimanët kudo që janë e presin muajin e shenjët të Ramazanit. Gjithçka tek ta ndryshon. Të ngrënët, të fjeturit etj. Të gjithë hanë syfyr gati se në një kohë dhe çelin iftar po në të njëjtën kohë. Sikur ushqehen në një sofër. E tërë bota ndriçon nga ky mysafir i Allahut. Të gjithë lexojnë Kuran, falin namaz etj. Edhe ne, si të gjithë myslimanët tjerë e ndryshojmë jetën tonë gjatë Ramazanit.

Në kuadër të përgatitjeve për muajin e Ramazanit, Bashkësia Fetare Islame bën një sërë përgatitjesh,  që besimtarëve t’ua plotësojë dëshirat e tyre: organizon tribuna të ndryshme, lexohet Kuran,  ligjëruesit mbajnë ligjëratat e tyre, xhamitë vizitohen nga profesorë të Fakultetit të Shkencave Islame dhe Medreseja. Me siguri që këto aktivitete nuk do ta shuajnë etjen dhe nuk do t’i përmbushin të gjitha dëshirat e xhematit në tërësi, por deri diku do ta freskojnë etjen e tyre. Me një fjalë,  ky muaj madhështohet si në mjetet elektronike, po ashtu edhe në ato të shtypit.

Kjo më inspiron në thënien profetike: “Sikur ta kuptonin myslimanët urtësinë e agjërimit,  do t’i luteshin Perëndisë që i tërë viti të jetë Ramazan.”

Gëzimi i agjëruesit

 

Qëllimi final i agjërimit është mirëqenia e njeriut dhe lumturia e tij në të dy botët. A ka gëzim më të madh se sa kur besimtari çel iftar, ngase këto momente i përshkruan i Dërguar i Zotit ku në një thënie të Tij thotë: “Ai që agjëron, ka dy gëzime: kur bën iftar,  gëzohet me iftarin e tij; dhe, kur të takojë Zotin e tij,  do të gëzohet me agjërimin e tij.”  Dhe, do t’i thuhet: “Hani e pini shijshëm, ngase në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë.”  

Agjërimi është institucion që e ngre vetëdijen, që e shton vullnetin, që e rrit shpresën, që e heq depresionin dhe që jep kurajë për jetë të lumtur në të ardhmen.

Mirë se erdhe,  Muaj i Pastrimit, i Mëshirës, i Gëzimit; muaj që e largon njerëzimin nga mëkatet![:]

Comments are closed.