Qeveria turke, krahu ynë i djathtë

Intervistë e Reis-ul-Ulemasë së BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, për agjencinë e lajmeve INA
reisi-ina

Ne e kemi projektin e Xhamisë Burmali dhe një kopje të tij ia dorëzuam z. Bozdag dhe atij Gormez, kthimin e tokës së së cilës BFI e kërkon me vite, pra ajo t’i takojë institucionit amë dhe legjitim. BFI ka projekt të gatshëm për të filluar rindërtimin e Xhamisë Burmali,  me ç’rast ne ndjehemi të habitur se si Qeveria mori guximin që t’ia shet truallin një shtetasi të huaj, kur edhe BFI ka ofruar po aq para për ta blerë tokën e vet shumëshekullore.
INA: Bashkësia Fetare Islame pati rastin që me një prani madhështore nga Turqia,  që ishte e përfaqësuar nga zëvendëskryeministri turk dhe kryetari i Dianetit,  të bëjë hapjen e Xhamisë së Mustafa Pashës pas rikonstruksionit të saj. Si do ta vlerësoni këtë nivel të nderimit të kësaj ceremonie?
Reis-ul-Ulema: Bashkësia Fetare Islame është institucion që ka histori, traditë dhe kredibilitet dhe gëzon autoritet të lartë gjithandej. Pjesëmarrja e zv.kryeministrit të R. së Turqisë dhe të kryetarit të Dianetit tregoi respekt të rrallë ndaj BFI dhe muslimanëve të kësaj ane. Autoritete të larta shtetërore turke kemi pasur në kontinuitet,  përkatësisht kohë pas kohe nga e kaluara e largët. Ne si institucion kemi pasur përkrahje të parezervë kur edhe idenë tonë për rekonstruktimin e “Musatafa Pashës” ia kemi shpalosur ish -presidentit të ndjerë Turgut Ozal, i cili na dha dritë jeshile për një bashkëpunim në atë drejtim. Përkrahja e lidershipit turk vazhdon edhe sot e kësaj dite, si me Kryetarin e shtetit Abdullah Gyl e me Kryeministrin Rexhep Taip Erdogan, po ashtu edhe me të gjithë bashkëpunëtorët e tyre. Interesimi i autoriteteve turke ka qenë tejet i madh,  bie fjala, për trashëgiminë kulturore islame në Ballkan dhe në veçanti në Maqedoni. Ne gjithnjë kemi bashkëpunuar me zyrtarët më të lartë në aspektin qendror dhe atë lokal. Sigurisht që trashëgimia kulturore islame, të cilën e kemi mbi pesë shekuj në këto troje,  është vlerë e shoqërisë sonë muslimane dhe e institucionit të BFI-së. Gjatë lëshimit në përdorim të “Mustafa Pashës” nderimi i kësaj ceremonie ishte tejet i madh me prezencën e zv.kryministrit, z. Bekir Bozdag dhe kryetarit të Dianetit, prof. dr. Mehmet Gormez. Është tejet me rëndësi të theksoj se Xhamia e Mustafa Pashës është një vepër me arkitekturë impozante për qytetin e Shkupit dhe në veçanti me pozitën e saj që ka në Kala të Shkupit. Ajo është xhami e rrallë në Ballkan dhe si e tillë ka histori të madhe mbi pesëshekullore.
INA: Në takimet me zv.kryeministrin turk, z. Bekir Bozdag dhe kryetarin e Dianetit, z. Mehmet Gormez, cilat ishin temat e shtruara, në qendër të vëmendjes?
Reis-ul-Ulema: Si zakonisht,  brenga e autoriteteve të larta të shtetit turk janë për pozitën e shoqërisë muslimane këtu në Ballkan, njashtu edhe për muslimanët e Maqedonisë. Mbi të gjitha,  brengë e krejt neve është trashëgimia kulturore islame,  element i cili flet për kulturën dhe historinë tonë fetare në këto troje. Ky njëherit është edhe element që e mbron identitetin tonë fetar. Gjatë këtij takim me këto dy personalitete të larta, zv.kryeministrin turk dhe kryetarin e Dianetit, iu shpreha falënderime për prezencën e tyre në hapjen e Xhamisë së Mustafa Pashës, xhami e cila ka qenë funksionale dhe neve nuk na ka shqetësuar aq shumë, ngase kam pasur dije se do të jetë përsëri në shërbim të besimtarëve tanë muslimanë, por më tepër më brengos fati i disa xhamive që në të kaluarën kanë qenë funksionale dhe tani është vështirë t’i rikthejmë në përdorim apo të disa që janë rrënuar nga sistemet politike e për të cilat tani kemi konteste me pushtetin. Këtu e kemi fjalën për Çarshi-xhaminë në qendër të Prilepit, si dhe për Burmali-xhaminë,  e cila ka qenë në qendër të kryeqendrës tonë, Shkup. Sa i takon Çarshi-xhamisë në Prilep,  nuk na mundësohet të fillojmë me rindërtimin e xhamisë,  përkundër faktit që BFI veç më ka bërë pagesën e paraparë për fazën e ndërtimit të xhamisë për vitin 2010.
Ne e kemi projektin e Xhamisë Burmali dhe një kopje të tij ia dorëzuam z. Bozdag dhe atij Gormez, kthimin e tokës së së cilës BFI e kërkon me vite, pra ajo t’i takojë institucionit amë dhe legjitim. BFI ka projekt të gatshëm për të filluar rindërtimin e Xhamisë Burmali,  me ç’rast ne ndjehemi të habitur se si Qeveria mori guximin që t’ia shet truallin një shtetasi të huaj, kur edhe BFI ka ofruar po aq para për ta blerë tokën e vet shumëshekullore.
INA: A patët rastin të përcillni shqetësimet e BFI dhe juve si udhëheqës i saj lidhur me sfidat, problemet dhe pengesat me të cilat po ballafaqoheni, sidomos me çështjen e moskthimit të vakëfeve dhe shqetësimet tjera që ka komuniteti musliman në Maqedoni?
Reis-ul-Ulema: Institucionet më të larta të shtetit turk, por edhe institucionet ndërkombëtare,  qofshin të botës islame apo ato joislame,  ne gjithnjë i kemi njoftuar me problemet tona,  përkatësisht me kontestet që i kemi me qeverinë lidhur me vakëfin, objektet fetare dhe trashëgiminë kulturore islame. Ne para disa muajve kishim përkrahjen e plotë të Organizatës së Konferencës Islame, e cila doli me deklaratë në mbrojtje të Xhamisë Burmali dhe të kërkesës së BFI për rindërtimin e saj. Bile, për çështje të Vakëfit ne kemi lëndë edhe në Strasburg, nga i cili institucion i drejtësisë kërkojmë që prona t’i kthehet BFI-së.
Përpos që kemi alarmuar institucionet relevante për objektet fetare dhe pronën e nacionalizuar të BFI, ne gjithnjë kemi qenë në fokusin e mediave, duke kërkuar nga pushteti qendror dhe ai lokal kthimin e tyre, bile-bile kemi organizuar edhe debate publike lidhur me nenin nga Ligji për denacionalizim. Mes tjerash, në fund të muajit mars në Shkup nën organizim të BFI u realizua Takimi V i liderëve të bashkësive fetare islame të Ballkanit,  ku temë fundamentale ishte “Denacionalizimi i Vakëfit dhe përvoja nga shtetet tjera”. Gjithashtu,  vlen të theksohet se BFI lidhur me pronat dhe gjithë atë që e tangon këtë institucion përkrahje të parezervë ka pasur edhe nga diaspora,  përkatësisht nga qendrat shqiptare-islame në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
INA: Sa janë të njohur me tentimet e institucioneve kulturore maqedonase për të zhdukur origjinën dhe trashëgiminë e tempujve fetarë islamë në Maqedoni? Këtu kemi raste të modifikimeve apo tentimeve për të humbur origjinalitetin e
monumenteve dhe objekteve,  ndër të cilat është edhe Ura e Gurit në Shkup, apo objekte të tjera të trashëgimisë së vjetër islame në këto troje…
Reis-ul-Ulema: Bashkësia Fetare Islame është institucion tejet serioz dhe në kontinuitet ka përcjellë çdo gjë që ka të bëjë me institucionin tonë, me zhvillimin e jetës fetare islame, me avancimin e institucioneve edukativo-arsimore të BFI, me pronën dhe gjithë atë që i takon këtij institucioni. Ne kemi raste të shumta që pushtetet,  në të kaluarën, por edhe tani, të kenë tendenca që ajo që i takon kulturës islame të mos i kthehet BFI-së,  me pretekst se është e interesit të përgjithshëm,  siç e kemi Suli-Hanin, Kapan-Hanin, Bezistenin etj. Gjithashtu,  nuk kemi heshtur edhe për Jeni-xhaminë në Manastir, për Urën e Gurit në Shkup, për rastin më të fundit që e kishim,  ndërtimin e fshehtë,  brenda natës,  të Kishës në Kala të Shkupit, ku BFI reagoi ashpër. Për këtë objekt edhe Qeveria turke reagoi,  përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, duke iu tërhequr vërejtjen autoriteteve të Shkupit që të mos ngacmojnë ndjenjat fetare të qytetarëve në këtë shtet multietnik dhe multifetar. Ministria e Kulturës e RM në mënyrë tinëzare bën përpjekje që të grabit nga trashëgimia kulturore islame, përkatësisht tendencat e tyre në disa raste janë që të ndryshojnë formën dhe stilin arkitektonik të objekteve fetare islame.
INA: Cili ka qenë premtimi apo mesazhi i tyre në këtë drejtim?
Reis-ul-Ulema: Bashkësia Fetare Islame gëzon autoritet të lartë tek institucionet ndërkombëtare,  edhe atë për hir të së vërtetës që e flet dhe për transparencën që ka ndaj të gjithëve. Natyrisht se shteti dhe qeveria turke gjithnjë janë afër nesh dhe ata gjithnjë janë shprehur se e përkrahin plotësisht BFI-në në çdo qëndrim dhe çështje.
INA: A do të ketë nisma të përbashkëta që BFIM të jetë në qendër të vëmendjes dhe të rolit në organizimin e evenimenteve fetare dhe ndërfetare në Evropën Juglindore?
Reis-ul-Ulema:  E kaluara flet shumë për BFI; atë e kanë dëshmuar faktet në cilësi të organizimeve fetare dhe rajonale në aspektin fetar. Përvoja që kemi,  neve nuk do të na ndalë këtu,  por do të vazhdojmë edhe më tej në këtë drejtim. Në shenjë të zgjedhjes për kryetar të Dianetit të Turqisë,  prof. dr. Mehmet Gormez-it,  organizuam një manifestim fetar, së shpejti kemi në plan të organizojmë edhe iftar të përbashkët me liderët fetarë të Ballkanit në Shkup, etj.
INA: Jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit; besimtarët ndoqën mesazhin tuaj me rastin e këtij muaji të shenjtë. Keni ndonjë gjë të veçantë me të cilën t’iu drejtoheshit besimtarëve ?
Reis-ul-Ulema: Meqë jemi në muajin më të dalluar të vitit sipas kalendarit islam – ky muaj njihet si muaj i ibadetit (adhurimit), shkencës, moralit, respektit, tolerancës, humanitetit – andaj me plot sinqeritet dhe dashamirësi desha që të gjithë pjesëtarëve të fesë islame t’iu dëshiroj agjërim të lehtë, bereqet dhe mirësi të shumtë gjatë këtij muaji. Dhashtë Allahu që të gjithë besimtarët e fesë islame,  qofshin në vendlindje apo diasporë,  të kenë mirëqenie, harmoni dhe begati familjare.  (INA)
09.08.2011, Shkup

Comments are closed.