QËNDRIMI I BASHKËSISË FETARE ISLAME

LIDHUR ME NDODHITË E FUNDIT
Të nderuar të pranishëm,
Me të vërtet jetojmë në një kohë shumë të ndjeshme duke bashkëjetuar me shumë bashkësi etnike të cilat kanë trashëguar shumë besime fetare. Kjo ka bërë që me vite të ndërtohet një bashkëjetesë e cila është ndërtuar duke besuar në njëri tjetrin, duke i dhënë hapësirë që të shprehet edhe tjetri që ka një besim tjetër dhe i përket një komuniteti tjetër etnik.
dsc00751
Por për fat të keq, ne trashëgimtarët e kohës bashkëkohore si duket jemi treguar trashëgimtarë të padenjë ndaj asaj që ka mbijetuar deri më sot si një e mirë e përgjithshme.
Gjithnjë e më tepër në kohën dhe vendin tonë margjinalizohet islami dhe Bashkësia Fetare Islame. Me këtë bëhet në fillim një segregacion dhe më pas vjen deri te diskriminimi i lirive dhe të drejtave fetare të përfaqësuesve të Islamit.
Kur e themi këtë, shumicës prej jush, ndoshta do t`ju dukemi se jemi verbalist dhe gjërat i themi ashtu vetëm në formën deklarative, por këtë e argumentojmë në bazë të veprimeve disavjeçare në këtë hapësirë ku jetojmë dhe parandjejmë se situatat që lindin si rezultat i Karnevalit të Vevçanit janë pasojat e një sjellje të tillë disavjeçare të institucioneve shtetërore dhe vetë Qeverisë së Maqedonisë ndaj BFI-së dhe islamit.
Ne këto ditë të gjithë flasim për pasoja, por që të zvogëlohen këto kemi përshtypjen se duhet një shikim më të thuktë t`u hedhim arsyeve se pse ndodh kjo.
1. Projekti 2014 definitivisht u tregua se është një etnik dhe njëkonfesional në zemrën e një metropole shumëetnike dhe shumëkonfesionale dhe në një shtet si Maqedonia shumë më shumë etnike dhe shumë më shumë konfesionale. Xhamia e Burmalisë së bashku me Urën e Gurit kanë qenë themelet e urbanizimit të anës së djathtë të lumit Vardar. Xhamia e Burmalisë paraqiste një gurthemel i idesë për Sheshin e Shkupit deri kur struktura militante serbe e shkatërroi atë në vitin 1925 dhe ndërtoi një objekt po ashtu militant mbi themelet e një vendi të shenjtë. Sot kur me paratë e popullit, Sheshit të Shkupit i jepet pamje e re, disa objekte kanë logjikë por disa janë krejtësisht të palogjikshme dhe bëhen për të vetmen arsye që të pamundësohet ndërtimi i Xhamisë së Burmalisë në vendin e saj historik. Kjo tregon pa tolerueshmëri ndaj kulturës dhe fesë islame në Sheshin e Shkupit.
 2. Djegia e Çarshi xhamisë së Prilepit në vitin 2001 si rezultat i hakmarrjes ndaj popullatës së pambrojtur myslimane por edhe ndaj të vetmit objekt reprezantiv të kulturës islame në qytetin e Prilepit. Djegia e saj nga persona ende të paidentifikuar prej organeve të rendit edhe përkundër 12 viteve të kaluara, paraqet atak që i bëhet islamit sidomos me pengimin që bëhet për rindërtimin e saj si qendër shpirtërore islame edhe përkundër përpunimit të elaborateve nga Enti për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, edhe revizionin e kryer nga Qendra konservatore nacionale, edhe dy vendimet e lëshuara nga Enti për mbrojtjen e trashigimisë kulturore, edhe përkundër Memorandumit për bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, edhe përkundër donimit të parave nga BFI-ja në buxhetin e shtetit për këtë arsye, edhe përkundër publikimit të tenderit dhe zgjedhjes së artistit, përsëri pengohet në mënyrë të qëllimshme rindërtimi i saj nga liderë lokal, por për ne të mbështetur edhe nga liderë shtetërorë. Islamofobi par ekselans.
3. Dhënia e lokacionit për ndërtimit e selisë dhe rezidencës së re për Bashkësinë Fetare Islame, edhe përkundër vendimit të Qeverisë për prioritet, edhe përkundër takimeve të shumta me ministrin e Transportit dhe lidhjeve, edhe përkundër asaj që na detyruan në harxhime financiare për të projektuar elaborate për gjithë lagjen, prapëseprapë tre vite vetëm  po na gënjejnë duke na llogaritur si të padenjë dhe injorantë.
 4. Pagëzimi i objekteve publike gjatë gurthemeleve ose lëshimit në përdorim, a që ndërtohet me të gjitha tatimpaguesit në Maqedoni, vetëm nga një bashkësi fetare, paraqet diskriminim dhe ofendim të ndjenjave të myslimanëve.
 5. Edhe përkundër asaj që ekziston një ligj i veçantë për arsimin e lartë për akreditimin e arsimit të lartë të bashkësive fetare, të dy fakultetet teologjike të dy bashkësive fetare paralelisht filluan iniciativën për të fituar akreditim të përjetshëm, por njëri e fitoi këtë të drejtë ndërsa Fakulteti për Shkencat Islame edhe përkundër që i plotëson të gjitha kushtet për fitimin e akreditimit, përsëri nuk e ka fituar të njëjtën. Ish ministri i arsimit Todorov, dy herë refuzoi që ta nënshkruaj të njëjtin.
6. Kalaja e Shkupit paraqet një hapësirë arkeologjike dhe shtresa të shumta të trashëgimisë kulturore dhe sipas gjithë standardeve ndërkombëtare, shtresat arkeologjike si zbulohen ashtu edhe duhet të prezantohen. Dhënia e përparësisë që mbi këto shtresa historike të ndërtohen objekte fetare vetëm të një komuniteti por jo edhe të komuniteteve të tjera paraqet diskriminim sa etnik aq edhe fetarë. Kalanë duhet ta lejmë të jetë kala, me të gjithë strukturën e saj arkeologjike, le të jetë një libër i hapur për të gjithë.
 7. Pengimi i vetëdijshëm i institucioneve të shtetit për denacionalizimin e objekteve kapitale të Bashkësisë Fetare Islame të cilat kanë qenë në pronësi të së njëjtës deri në vitin 1944, ndërsa posedojmë edhe tapi turke por edhe jugosllave të vjetra, vendime për nacionalizim nga sistemi komunist, paraqet edhe një atak që i bëhet islamit dhe myslimanëve me arsyen duke u thirr në Ligjin për Çarshinë e vjetër e cila e pamundëson kthimin e pronësisë të këtyre objekteve mbi BFI-në. I njëjti është sjell shumë vonë prej Ligjit të denacionalizimit dhe me këtë po manipulohet me faktet. Kurdisja e Avokatit të Shtetit për tu ankuar veçmas mbi vendimet e BFI-së që i sjellin komisionet për denacionalizim, në mënyrë të vetëdijshme pengon kthimin e pronave tona.
 Këto janë vetëm një pjesë e problemeve me të cilat ballafaqohet BFI-ja, dhe moszgjedhja e tyre i rëndon marrëdhëniet ne vend.
Të nderuar miq, Karnevali i Vevçanit, paraqiste vetëm një segment i cili dëshmon për atë që folëm deri më tani dhe lëndimit të ndjenjave të myslimanëve. Mbi të gjitha, aty punohej për nënçmimin dhe degradimin e më të shenjtës në islam, Librin e shenjtë Kur’anin.  Punoj për atak mbi moralin e gruas myslimane. Aty nuk punoj për të përqeshur funksionarët fetare, zyrtarët e BFI-së, ndonjë veprimtari nga veprimtaritë e BFI-së, por punoj për të shkaktuar fyerje ndaj fesë, a kjo është pyetja më e prekshme në islam. Të emërohet Kur’ani me organ gjinorë, besoj se të gjithë do të pajtoheni që është jo vetëm vullgare por edhe nën dinjitetin njerëzorë. Të ndryshohen teoritë është shumë e rrezikshme. Por të na ofendojnë dhe më pas të na shpallin injorantë se nuk kuptojmë asgjë nga vlerat kulturore, me të vërtet kjo del jashtë racionales. Për atë mendojme se të gjithë këto punë nuk janë të rastësishme. Në pyetje është një proces i islamofobisë me primesa antiislame.
Sidoqoftë, ne mbetemi të denjë në frymën e mësimeve islame. Për këtë arsye, juve dhe publikut të gjerë ju themi se protesta e BFI-së në Strugë nuk është loje politike, por nevoja që ti rikthehet vëmendja publikut për pengimin e këtyre proceseve. Të gjithë ata që me qëllim të mirë  e kanë mbështetur këtë protestë, praktikisht ata kanë dhënë mbështetje të fortë për një bashkëjetesë të barabartë mes komuniteteve dhe bashkësive fetare. Të gjithë ata që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo protestë, në fakt ata dëshirojnë që të dëmtojnë islamin dhe bashkëjetesën. Të gjitha ngjarjet tjera që ndodhën më pas, BFI-ja i dënon ashpër dhe shpresojmë se kryerësit nuk janë pjesëtarë të islamit sepse ai që ngrenë dorë mbi një objekt fetarë në thelb prej atij momenti, ai edhe nuk mund të jetë pjesëtarë i islamit.
Kur’ani shumë mirë e potencon se është e nevojshme bashkëpunimi sidomos me ithtarët e librave të shpallur Tevratit dhe Inxhillit ( Tora dhe Evangelieto)dhe kur ju drejtohet myslimanëve ju tregon se të krishterët me besimin e tyre janë më të përafërt me myslimanët, sepse në mesin e tyre ka priftërinj dhe murgj që thërrasin për të besuar në një Zot.
Është e njohur ngjarja e Kalifit të dytë të Shtetit islam, Omer ibn Hatabit, i cili kur i ka marrë çelësat e Jerusalemit, patriarku i Jerusalemit i ka sugjeruar që të falë një namaz në Kishën katedrale që sipas normave islame ajo është e mundur, por i vetëdijshëm për pozicionin që momentalisht e kryen, ai namazin e ka falur jashtë Katedrales në një hapësirë të lirë me konstatimin se “mua nuk më është e penguar të falë namaz në të njëjtën ashtu si dhe të gjithë myslimanëve, por çfarë do të ndodh pas 100 apo 200 viteve kur do të paraqitet dikush që nuk e ka kuptuar në thelb islamin dhe do thotë, Kalifi Omer fali namaz në këtë katedrale, ejani tani ta shkatërrojmë dhe mbi të të ndërtojmë xhami”.
Ja kështu paraardhësit tanë i kanë ruajtur objektet e shenjta të besimeve të tjera dhe sot ne krenohemi që në Maqedoni ka mbi 1 800 kisha dhe manastire dhe pjesa dërmuese e më të mirave me siguri se janë ndërtuar gjatë qeverisjes islame, ose se paku kanë qenë të mirëmbajtura gjatë asaj kohe. Megjithatë me xhamitë nuk ishte situata e njëjtë sepse për një shekull që nga luftërat Ballkanike e deri më sot fondi i xhamive është përgjysmuar.
Të nderuar miq, urdhëroni në mënyrë të sinqertë nga zemra njeri tjetrit mos ti pengojmë, të mos ofendojmë njëri tjetrin, lejoni që xhamitë dhe kultura islame të jetë e mbrojtur dhe e ruajtur dhe të njëjtat të rindërtohen aty ku është e nevojshme me të njëjtën pasion dhe dashuri, siç që e bëjnë për objektet tjera fetare.
Allahu f.p. do të na ndihmoj të gjithë për të mirën e Maqedonisë dhe për të mirën e gjeneratave që vijnë.
P. S
Ky qëndrim i BFI-së i është dorëzuar kryetarit të shtetit, z. Gjorgje IVANOV, si dhe është shpalosur përpara Komitetit për marrëdhënie ndëretnike në Kuvendin e R.M

Comments are closed.