Pushoi së rahuri zemra e H. Jakup ef. Selimovskit

VEPRAT MADHËSHTORE DHE GUXIMI E BEJNË TË MES NESH
Në agimin e ditës së Xhuma më 29 Mars 2013 ndërroi jetë H. Jakub ef. Selimovski, Drejtori i Sektorit për Arsim dhe Çështje Fetare pranë BFI-së. I lindur në Kërçovë, veprimtarinë e tij e realizoi në Sarajevë e Shkup, kurse ndërroi jetë në Stamboll të Turqisë. Kjo ecuri nga qendra në qendra flet për karakterin e tij të fuqishëm dhe forcën e arsyes duke qenë shërbëtor i denjë i fesë Islame dhe shoqërisë myslimane. Varrimi i të ndjerit u bë ditën e shtunë më 30.03.2013 në namazin e Ikindisë në qytetin e lindjes- Kërçovë. Në prani të shumë figurave dhe personaliteteve të shquara nga vendi dhe jashtë në mënyrë tradicionale por me nderimet më të larta të institucionit fetar bashkësi fetare Islame në krye me Reis ul Ulemanë, H. Sulejman ef. Rexhepi i cili njëherit ia fali namazin e xhenazes. Dhjetëra personalitete fetare, politike dhe publike, si dhe qindra qytetarë, si dhe krerë fetar nga vendet e ish Jugosllavisë kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të H. Jakub ef. Selimovski. Në saje të këtij ceremoniali para të pranishmëve u prezantua në mënyrën të shkurtër bibliografia e ef. Selimovskit në shqip, turqisht dhe maqedonisht, duke ia bashkangjitur edhe telegram ngushëllimet që kanë arritur nga kryetari i shtetit të R.M , dr. George Ivanov, krerët e bashkësive fetare në Maqedoni dhe nga qendrat islame të diasporës. BFI në shenjë nderi dhe respekti falënderoi Dijanetin e R. Turqisë gjegjësisht kreun e saj Prof. Dr. Mehmet Gormez i cili ndihmoi pa masë merhumin gjatë ditëve të kurimit të tij në Stamboll. Gjithashtu nga Dijaneti turk u organizua në ditën e xhuma në xhamin Fatih të Stambollit që t’i falet namazi i xhenazes në shenjë respekti për kontributin që ka dhënë H. Jakup ef. Selimovski në ruajtjen e vlerave fetare dhe kultivimit të jetës dhe kulturës islame në Maqedoni, në ish Jugosllavin dhe më gjerë.

Para të pranishmëve për H. Jakup ef. Selimovskin u dëshmuan disa nga shumë aktivitetet dhe kontributet e tij të dhënë për fenë Islami:
الرَّحِيمِ الرَّحْمَنِ للّهِا بِسْمِ
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit
رَاجِعونَ إِلَيْهِ وَإِنَّـا لِلّهِ إِنَّا قَالُواْ مُّصِيبَةٌ أَصَابَتْهُم إِذَا الَّذِينَ
“Të cilët kur i godet një e pakëndshme thonë: ‘Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai do të kthehemi.” (Bekare 156)

Fetar, orator e mjeshtër i fjalës, i zoti i punës, predikues fetar dhe mualim, ideolog i shumë nismave dhe luftëtar i vërtet i të drejtës fetare islame në hapësirat e ish Jugosllavisë por edhe më gjerë. I këtillë ishte merhumi Haxhi Jakup ef. Selimoski.
U lind me 1946 në Kërçovë, ndërsa ka mbaruar Medresenë “Gazi Husrevbeg” në Sarajevë. Diplomon në Universitetin e Al-Azharit në Kajro më 1972 në drejtimin e “civilizimit dhe kulturës islame”.
Me tu kthyer në Maqedoni, fillon të punoj në Meshihatin e BI si referent i arsimit ndërsa shumë shpejt bëhet edhe Sekretar i Meshihatit të BI së atëhershme të Maqedonisë.
Pas vdekjes së H. Bedri ef. Hamidit, emërohet si ushtrues detyre kryetar i Meshihatit të BI së Maqedonisë në Jugosllavi, ndërsa më 1981, Rijaseti i BFI-së së Jugosllavisë e emëron kryetar të të njëjtit institucion.
Në fillim të viteve të 90-ta, Jakup ef. Selimovski zgjidhet Reis ul-Ulema i BFI-së së Jugosllavisë.
Postin e Reis –Ulemasë e ushtron gjatë një periudhe trazirash në Bosnjë dhe Kroaci.
Me shkapërderdhjen e ish Jugosllavisë, Haxhi Jakup Selimovski kthehet në Maqedoni dhe fillon punën si Drejtor i Sektorit për arsim dhe shkencë, pranë Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, deri kur edhe u bë merhum.
Haxhi Jakup ef. Selimoski, zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime, kryesisht në fushën e fesë dhe kulturës islame.
Me edukimin e tij si fetar, ai u nis nga disa parime kur’anore dhe hadithore që përcaktonin vlerat e arsimit, të kulturës dhe të edukatës. Ai e dinte se “Pa shkollim nuk ka as fe të mirëfilltë”, prandaj deri sa ushtronte detyrën e kryetarit të Meshihatit të BI së Maqedonisë në Jugosllavi, mori iniciativën për rihapjen e Medresesë së “Isa Beut” në Shkup (1983) nga e cila shkollë nxori një plejadë të tërë teologësh të cilët sot janë në pozicione të ndryshme nëpër institucionet edukativo-arsimore të BFI-së por edhe xhami dhe mejtepe të ndryshme, universitete dhe institucione të tjera.
Paralelisht zhvilloi një veprimtari intensive në fushën e edukimit fetar me frymë burimore islame duke organizuar mësimin fetarë nëpër mektebe, por duke kontribuar që ajo që mësohet edhe nëpër shkollat civile.
Duke qenë i vetëdijshëm se funksionon në një territor ku gërshetohen etnitë dhe fetë e ndryshme ai ka ushqyer gjithmonë një mirëkuptimin dhe bashkëpunimin vëllazëror më të gjithë etnitë dhe fetë dhe njihet si i tillë, kozmopolit.
Është treguar shumë aktiv si në ligjëratat e zhvilluara në shkolla e institucione, para publicistëve, në ceremoni përurimi të xhamive të cilat deri sa ishte mes nesh nuk përtonte të vrapojë për të ndihmuar dhjetëra xhami të ndërtuara jo vetëm gjatë kohës së komunizmit por edhe tani në demokraci.
Ka treguar jo vetëm aftësi, horizont e kulturë të gjerë, por edhe urti e modesti, dashamirësi e bujari sidomos për aktivitetin të tij të ngjeshur për themelimin e Organizatës Humanitare në kuadër të Meshihatit të BI së Maqedonisë në Jugosllavi, organizatë që më pas u bë sinonim i ndihmës së pashembullt të refugjatëve të Bosnjës në fillim dhe të krizës së Kosovës më pas.
Duke qenë dashamir i penës me 1987 filloi publikimin e revistës së vetme islame “Hëna e Re” në tre gjuhë, shqip, turqisht dhe maqedonisht.
Kontribut të jashtëzakonshëm pas vitit 2000 e këndej pati edhe për zhvillimin e Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, ku për disa vite nga pozicioni i anëtarit të Senatit ndihmoi në ndërkombëtarizimin e këtij institucioni edukativ dhe arsimorë.
Haxhi Jakup ef. Selimoski u dallua për nga urtësia, mençuria, vigjilenca, largpamësia, mënyra e qasjes së tij ndaj problemeve fetare dhe metodologjia e tij në të argumentuar.
Shquhej po ashtu me metodën se si i kundërvihej sulmuesve dhe atyre që kërkonin të fusnin turbulenca të ndryshme rreth disa çështjeve të ndjeshme në Islam. Thërriste për islam të pastër burimorë dhe u kundërvihej ashpër të gjithë atyre që përpiqeshin për të dhunuar atë, qofshin të huajt apo të ndihmuar nga qarqe të brendshme.
Përveç pozicioneve të rëndësishme në BFI-në së Maqedonisë dhe Jugosllavi, ai ishte anëtar i Ligës botërore islame ( 1990 – 1998), pastaj kryetar i Kuvendit të bashkësive fetare për Evropën juglindore në Vjenë (1989), pjesëmarrës në Konferencës e parë të Asociacionit euroaziatik islam ( 1992) si dhe shumë konferencave ndërkombëtare dhe rajonale ku gjithmonë paraqitej me idetë dhe konceptet e tij.
Ai me përvojën e vet, ishte një nga autorët e Kushtetutës së BFI-së, pastaj anëtarë i përhershëm i komisioneve për përpilimin e statuteve të institucioneve tona arsimore dhe rregulloreve të brendshme.
Haxhi Jakup ef. Selimoski do të mbesë si një ndër figurat më të spikatura të historisë islame të brezit të ri në Maqedoni. Do të kujtohet për vizionin dhe largpamësinë e tij, ashtu siç ishte, i nderuar nga kolegët dhe besimtarët, hoxhë e alim erudit me plot kuptimin e fjalës, udhëheqës, prijës dhe organizator i shquar, dashamirë i dijes dhe i fesë në çdo pikëpamje, me virtyte e cilësi të larta prej hoxhë e intelektuali të mirëfilltë, bajraktar në shumë fusha e segmente të jetës intelektuale islame; i nderuar ndër kolegë dhe në popull, i njohur për shumë angazhime, organizime e aktivitete të ndryshme, që do të shënonin rifillimin, riorganizimin, rimëkëmbjen dhe rritën e Bashkësisë së Fesë Islame të Maqedonisë në një kohë jo të favorshme për këtë bashkësi dhe për besimtarët e saj.
Lusim Allahun f.p. që për aktivitetin e tij të ngjeshur përplot punë të frytshme në shërbim të islamit dhe myslimanëve, që Ai ta mëshiron dhe shpërblen me xhenet. Amin!

Mesazhe ngushëllimi dhe fotografi nga ceremonia e varrimit:

3-31-2013 2-48-08 PM Bosnje George Ivanov (1) Kisha Ortodokse Maqedonase komisioni per Ceshtje fetare ne RM Komuniteti Hebrej Slloveni Still0331_00000 Still0331_00001 Still0331_00002

Comments are closed.