Promovohet vepra “Ilmihal i zgjeruar”

Prishtinë

Promovohet vepra “Ilmihal i zgjeruar”

Në amfiteatrin e Fakultetit të Studimeve Islame, më 17 prill, 2019, është promovuar vepra “Ilmihal i zgjeruar” i autorëve: Ali Zajmi, Resul Rexhepi dhe Jusuf Zimeri, e cila është përgatitur, mbikëqyrur e realizuar nga Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës (BIRK), Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH) dhe Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut (BFI.RMV). Në këtë eveniment mori pjesë kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava, kryetari i KMSH-së, Bujar ef. Spahiu, Reisi i BFI.RMV, Sulejman ef. Rexhepi, me të gjithë myftilerët, drejtorin e Medresesë Isa Beu, dekanin e Fakultetit të Shkencave Islame dhe kryetarin e Kuvendit të BFI.RMV, pastaj përfaqësues nga Bashkësitë Islame Shqiptare nga Zvicra dhe Gjermania, përfaqësues të Këshillave të BI të Kosovës, dashamirës të fjalës së shkruar, profesorë, përfaqësues të jetës politike, kulturore, studiues shkencorë etj.
Fjalë përshëndetëse mbajtën myftiu Naim ef. Tërnava, kryetari i KMSH-së Bujar ef. Spahiu, Reisi i BFI.RMV Sulejman ef. Rexhepi, fjalën promovuese e mbajti kryeimami i BIRK-ut Sabri ef. Bajgora, kurse fjalën falënderuese, Resul ef. Rexhepi.
“Rëndësia e kësaj vepre është e veçantë, jo për faktin se tek ne kanë munguar ilmihalë e doracakë për njohuritë fetare bazë, por si projekt dhe finalizim i përbashkët i bashkësive tona fetare – rikthen projektin e ulemasë sonë, të cilët në fillet e literaturës islame në gjuhën shqipe, kur shkruanin e botonin, kishin për synim lexuesin e përbashkët të të gjitha trojeve tona, por që, siç dihet, një projekt i tillë nuk u realizua dot për shkak të rrethanave shoqërore-politike e historike nëpër të cilat kaluam si popull dhe si vend” – theksoi myftiu Tërnava për projektin e ideuar, të realizuar dhe të finalizuar nga tri bashkësitë fetare islame shqiptare. 
Më pas Bujar ef. Spahiu theksoi se ky botim është një nevojë e kamotshme e botimit për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse për vite me radhë ka munguar një ilmihal zyrtar nga institucionet tona. Ilmihali do të jetë një pikë referimi i gjithë besimtarëve të vendeve tona, si dhe do të jetë pararojë e përçimit të drejtë dhe të saktë të mesazhit hyjnor, qoftë ana e akaidit dhe e edukimit fetar. 
Reisi i BFI.RMV, Sulejman ef. Rexhepi, shprehu falënderime për tri Bashkësitë Fetare Shqiptare për këtë arritje me rëndësi fetare e kulturore. “Jam i bindur: do të shërbejë sot e shumë vite të ardhme si një orientues për të gjithë ata që dëshirojnë të njihen me bazat e besimit islam. Një libër i këtillë që e kemi në dorë, i punuar me përkushtim dhe me zell nga autorët e respektuar, sigurisht që është një pikë e rëndësishme uji në detin apo oqeanin e pakufishëm të diturisë islame, që vazhdimisht po predikohet e po pasurohet, që po shpjegohet e po avancohet pikërisht nga ulemaja islame, nga dijetarët dhe intelektualët tanë” – tha mes tjerash Reisi Rexhepi.

Kryeimami Bajgora, ndërkaq, tha se projekti i ardhshëm kapital do të jetë në lëmin e fikut, apo të jurisprudencës islame, të fikhut hanefij, me titull “El-Ihtijar, li Ta’lili-l Muhtar”, në 4 vëllime, me afër 2.500 faqe. 
Krejt në fund, në emër të tre autorëve fjalë falënderuese foli Resul ef. Rexhepi, duke theksuar se që nga fundi i vitit 2015 është marrë besimi që të hartohet një Ilmihal në një version pak më të zgjeruar, me mbështetje në mësimet e shkollës juridike të medhhebit hanefij, si projekt me rëndësi drejt unifikimit të literaturës islame në gjuhën shqipe.

Comments are closed.