Promovimi i veprës ” Për Fe dhe Atdhe” Reisul Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi.

Promovohen veprat “Për Fe dhe Atdhe” të Sulejman ef. Rexhepit

Në hotelin “Aleksandër Palace” në Shkup, më 22 nëntor, 2019, në Ditën e Alfabetit Shqip, është promovuar kompleti i veprave “Për Fe dhe Atdhe” të autorit Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Janë këto veprat: “Për Fe e Atdhe” (intervista), “Vetëm Krijuesit tim i përkulem” (intervista), “Përkulem para idealit kombëtar e fetar” (intervista, opinione), “Shtigjeve të dritës” (kumtesa, ligjërata, fjalime), “Frymëzime të shenjta” (fjalime, hytbe, mesazhe, vlerësime) dhe “Heshtja si zhurmë” (kolumna).

Promovimi ka filluar me një pjesë nga Kurani i shenjtë, interpretuar nga hfz. Xhemail Nuhiu, dhe me këndimin e Himnit Kombëtar nga medresantja Rabije Sulejmani. Me fjalë përshëndetëse janë paraqitur: Bujar ef. Spahiu, Kryetar i Komunitet Mysliman të Shqipërisë; dhe Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Ahmet ef. Sadriu. Për librat e botuar folën Skënder Hasani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, publicisti dhe botuesi nga Shqipëria Fahri Balliu dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, prof. dr. Shaban Sulejmani.

Kjo vepër – tha Bujar ef. Spahiu – tregon qartë kontributin e Sulejman Rexhepit në shërbim të fesë dhe të atdheut, duke filluar nga vitet ’90 e gjer më sot. I tërë materiali është përmbledhur kujdesshëm në gjashtë vëllime. Veprat janë një vlerë e shtuar për të gjithë ata që duan të udhëtojnë në kohë dhe të njihen me periudhat e rrugëtimit të BFI-së me në krye Sulejman Rexhepin si Reis’ul-Ulema.

Moderatori, mr. Muzemil ef. Osmani, vuri në dukje një thënie të Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmani, i cili në fillimet e tij ka thënë: “Po të mos ishte Sulejman Rexhepi, nuk do të ishte Universiteti i Tetovës. Dyert e xhamive dhe të mejtepeve kanë qenë të hapura për Universitetin e Tetovës falë Sulejman Rexhepit.”

Filozofia fetare e Sulejman Rexhepit, u tha me këtë rast, është të ruajë dhe të kultivojë Islamin burimor, shqiptar. Ndërsa filozofia e tij politike është: pa fe nuk ka atdhe – dy filozofi të cilat pa dyshim bartin emrin e Sulejman Rexhepit.

Në fund, në emrin e vet dhe të institucionit që udhëheq foli vetë autori, Sulejman ef. Rexhepi, i cili falënderoi për pjesëmarrjen e gjerë dhe tha se binomi për fe dhe atdhe e ka udhëhequr në jetë dhe kësaj do t’i mbetet besnik deri në fund.

Në promovim kanë qenë të pranishëm zv/Kryeministri Bujar Osmani, ministri i Arsimit Arbër Ademi, përfaqësues të jetës shoqërore-politike, kryetarë komunash, mysafirë nga diaspora etj., prej nga Reis’ul-Ulemasë iu dorëzua edhe një mirënjohje për kultivimin e Islamit burimor

 

Comments are closed.