[:al] Presidenti i Shqipërisë Z. Ilir Meta mysafir te Reisi[:]

[:al]

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi të shtunën më 7 Prill 2018 u takua me Ekselencën e Tij, Presidentin e Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta.
Në një ambient të mrekullueshëm, ky ndërthuren rrezet e Diellit mbi sipërfaqen e bardhë të borës, në hotelin Scardus në Kodrën e Diellit në Tetovë, Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta dhe Zonja e Parë e Shqipërisë, znj. Monika Kryemadhi, u pritën sipas traditës me bukë e kripë e zemër, nga familja e Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepit, ku edhe ishin mysafirë të kësaj familje.
Kohë më parë, Presidenti Meta, e Dekoroi Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepin me Titullin “Kalorës i Urdhrit Të Skënderbeut” për arritjet e tij jetësore, përfshi këtu: guximin, pjekurinë dhe vendosmërinë me të cilën e ka orientuar zhvillimin dhe fuqizimin e jetës fetare islame duke i dhënë rëndësi profilizimit të saj me identitet burimor shqiptar duke u bërë jo vetëm një frymëzues shpirtëror i besimit por edhe një patriot shqiptar i vërtetë.
Në vitin 1991 Efendi Sulejmani zyrtarizoi gjuhën shqipe në Institucionet e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni dhe një vit më vonë ai ishte një nga nënshkruesit e Grupit nismëtar për themelimin e Universitetit të Tetovës. Organizata që ai drejtonte u kthye në strehën kryesore të pritjes dhe kujdesit të refugjatëve të krizës humanitare të viteve 1998-1999 nga Kosova.
Atëbotë, Presidenti Meta pat veçuar mes tjerash në fjalimin e tij për Reisul Ulemanë se:
“Gjatë aktivitetit të tij, qëndrimin e palëkundur dhe të paepur në përballimin me sukses të sfidave që vijnë nga radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi duke u bërë, në vitin 2012 ideator i Projektit ‘Stop RedTer’, një projekt bashkëkohor për parandalimin e terrorizmit dhe radikalizmit në Maqedoni, duke shmangur ndikimet çoroditëse, interpretimet ekstremiste, gjuhën konfliktuale, fenomene me pasoja ekzistenciale për të gjithë besimtarët e islamit e veçanërisht për atë mbarëshqiptar.” – theksoi Presidenti Meta.
Duke vënë në pah se bashkëjetesa mes besimeve fetare të shqiptarëve është një thesar, një pasuri dhe një vlerë e jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës theksoi se: “Ky realitet, ashtu siç na përket të gjithëve, edhe kërkon nga ne që ta ruajmë si sytë e ballit e ta mbrojmë me fanatizëm ndaj çdo fanatizmi fetar, ekstremizmi apo dogme të huaj e përpjekjeje për ta shkëputur nga brendia e saj kombëtare dhe përbashkuese.”
Dekorata “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” është e lakmueshme për çdo shqiptar kudo ku gjendet e jeton në Botë. Për të gjithë ata që i thonë nënës ‘nënë’, bukës ‘bukë’, ujit ‘ujë’, nga foshnjëria e tij e deri në frymën e fundit të jetës së kësaj Bote. Është nder dhe kënaqësi e çdo shqiptari të tillë të dekorohet me një dekoratë të tillë. Andaj Reisul Ulema Sulejman ef. Rexhepi, me dinjitet të plotë dhe krenari, sot është një titullar i këtij çmimi, bashkë me shumë njerëz të ndritur të historisë së Kombit tonë, që na shërojnë shpirtin, që na japin shpresën, kurajën, guximin dhe trimërinë.

[:]

Comments are closed.