Po Islamit të mirëfilltë

164

Po Islamit të mirëfilltë

Çdo realitet, sado lart të arrijë, ai bart në vetvete faktorët e ndryshimit të tij. Besimtar i fortë me vetëdije të plotë është ai që mund t’i dallojë këta faktorë dhe të njohë mënyrën e shfrytëzimit të tyre në atë mënyrë që i bën ata pikënisje të ndryshimit drejt një realiteti tjetër, i cili lidhet me vlerat e besimit.

shaban sulejmaniShaban SULEJMANI

Islami është sistem që i sqaron paqartësitë dhe që mënjanon çdo lloj pengese që qëndron para njeriut, duke bërë që atë ta çlirojë nga frika, nga iluzionet e besëtytnitë, të cilat, fatkeqësisht, e kanë prangosur një besimtar, në disa vende, në disa shoqëri, që t’i “shohë të vërtetat” ashtu siç janë. Myslimani i vërtetë është myslimani realist.
Por, vallë, me cilin koncept të këtij realizmi?
Ai është realizmi që bashkëpunon me realitetin e vërtetë, që nuk ndërhyjnë në të besëtytnitë e kota, thjesht sepse njerëzit janë mësuar me to dhe duke i vlerësuar si pjesë të realitetit. Ai është realiteti i zhveshur nga frika e përhershme nga konfliktimi me të padrejtën, frikë që sjell si rrjedhojë dorëzimin para saj, është realiteti i cili nuk i dorëzohet të padrejtës edhe pse ajo mund të ketë imponuar veten dhe është bërë diçka e zakonshme, përderisa ka mundësi për ndryshimin e saj.
Islami ndriçon vetëdijen e njeriut derisa të griset “mjegulla” e paditurisë, situatat nebuloze dhe gjithçka që pengon mes tij dhe realitetit të vërtetë.
Mendimtari e dijetari i madh islam Sejid Kutub ka thënë se fenë nuk e orienton realiteti cilido qoftë ai, që ky ta pranojë e të kërkojë për të një bazë ose një vendim ligjor, por ai ballafaqohet me realitetin që ta peshojë atë me peshoren e vet, të pranojë atë që vlen e të hedhë tej atë që nuk vlen. Ai prodhon një realitet tjetër nëse nuk e dëshiron atë dhe ky realitet që prodhon është vetë realiteti.
Për fat të keq, ka ende shumë myslimanë të dobët dhe mendjelehtë që nuk e logjikojnë realitetin veçse si një dorëzim para rrethanave të tij. Shpesh të tilla rrethana apo ngjarje të realitetit të cilave i dorëzohen nuk kanë ndodhur me të vërtetë, por ata duan të rehatojnë veten nga pesha e konfliktit me të thjesht duke shfaqur disa ide se ky realitet në disa rrethana qëndron mbi ta.
Shpesh këtyre rrethanave para të cilave dorëzohen u janë shkërmoqur shtyllat më të rëndësishme dhe janë para rrënimit e mund të shuhen në çdo moment; veçse këta njerëz akoma qëndrojnë të dorëzuar para tyre, duke i pranuar si një dukuri të realitetit që ua ka imponuar veten të gjithëve.
Realizmi i vërtetë është të njohim se realiteti të cilit po i rrënohen shtyllat më të rëndësishme dhe është gati në rënie ku do të ishte injorancë, pamaturi, madje edhe çmenduri ta pranosh atë si diçka e mirëqenë. Më e logjikshme do të ishte të pranohet realiteti i ri, konturat e të cilit fillojnë të shfaqen te faktorët që ndikojnë në rënien e realitetit të mëparshëm, dhe të punohet me këtë realitet të ri.
Ky realitet i ri, që e imponon veten ndaj realitetit të mëparshëm të zvetënuar me tërë mundësitë aktive që fsheh dhe një prezencë të fortë, është vetë një dukuri realiteti, të cilën me të vërtetë duhet ta pranojmë.
Ka një dallim të madh mes realitetit që i dorëzohemi dhe atij reformator.
E para është të pranosh realitetin ashtu siç është dhe të ndjehesh i pafuqishëm para tij, t’i dorëzohesh asaj që ai do prej teje dhe rrymës së tij kudo që të shtyn ajo.
Njerëzit e vetëdorëzuar që e justifikojnë dobësinë dhe nënshtrimin e tyre me faktin e realitetit, ia dorëzojnë veten në mënyrë poshtëruese rrethanave të tij. Edhe nëse këto rrethana i kanë shtyrë ata që t’u rrëshqasin këmbët në ndonjë prej humnerave të tij, ata i dorëzohen plotësisht kësaj rrëshqitjeje, edhe nëse u jepet ndonjë mundësi e re për t’i rezistuar asaj apo për t’u ndalur në një pikë të caktuar prej së cilës do të mund të rikthehen aty ku kanë qenë më parë.
Ai dorëzim poshtërues që kanë pranuar i ka bërë ata të mos duan të shpenzojnë asnjë përpjekje duke preferuar rehatinë në atë rrëshqitje të plotë në humnerë, drejt së cilës po bien.
Përkundrazi, realizmi reformator është ai që bashkëpunon me realitetin ashtu siç është në të vërtetë, pa imponuar ndonjë formë të paracaktuar. Ai është realizmi që beson në Allahun (xh. sh.), në fuqinë, vullnetin dhe caktimin e Tij dhe që çdo gjë për të mund të ndryshojë sipas ligjeve të Allahut në këtë botë.
Çdo realitet, sado lart të arrijë, ai bart në vetvete faktorët e ndryshimit të tij. Besimtar i fortë me vetëdije të plotë është ai që mund t’i dallojë këta faktorë dhe të njohë mënyrën e shfrytëzimit të tyre në atë mënyrë që i bën ata pikënisje të ndryshimit drejt një realiteti tjetër, i cili lidhet me vlerat e besimit.
Njeriu besimtar lidhur me këtë çështje kalon nëpër tri etapa: 1) Etapa e vetëdijes së fortë dhe e largpamësisë; 2) sfida dhe përpjekja dhe 3) durimi dhe këmbëngulja.
Realiteti, para të cilit njerëzit e dobët këshillojnë të përkulesh, në më të shumtën bart faktorët e ndryshimit të tij. Dallimi i tyre ka nevojë për vetëdije të fuqishme rreth kushteve që e rrethojnë atë, si dhe mundësitë e vërteta që ai bart për këtë ndryshim.
Duke supozuar se ne jemi përpara një realiteti të fortë, që e imponon veten dhe njëkohësisht ai është një realitet i pamëshirshëm, a do të qëndrojmë para tij duarkryq, duke parë se jeta jonë po na ikën si tymi nga një zjarr i egër?
Jeta, nëse do të shtrihet në korridoret e dëshpërimit dhe fatkeqësisë, do t’i shëmbëllejë jetës në një arkivol të lëvizshëm. A s’do të ishte vdekja gjëja më e mirë se kjo?
Nëse para njeriut nuk ka asnjë mundësi tjetër veçse të jetojë një jetë pa jetë, një qëndrim i mençur i vetëm do të ishte sfidimi i këtij realiteti që i ka imponuar ta bëjë këtë jetë, cilido qoftë çmimi i kësaj sfide, sepse në cilindo rast ai do të jetë shumë më pak sa do të paguajë me të vërtetë nëse i dorëzohet atij. A ka humbje më të madhe se kur njeriu humb gjithçka është thelbësore në jetën e tij?
Ata që e blejnë botën e përtejme në këmbim të kësaj këtu, e humbin këtë botë dhe fitojnë të amshueshmen, ndërsa ata që pranojnë realitetin e pamëshirshëm e më pas e mbrojnë dhe e mbështesin atë, ata jo vetëm që e humbin jetën e kësaj bote, por edhe atë të amshueshmen.
Më tej vjen etapa e sfidës dhe e përpjekjes. Ajo nënkupton se kjo nismë nuk është lojë, se njeriu do të sfidojë një rrymë të kundërt dhe për këtë ai duhet të pranojë kushtet e kësaj sfide, të pranojë rezultatet dhe sakrificat që ajo kërkon. Duhet që ai të shfrytëzojë faktorët e ndryshimit, deri në masën më të madhe të mundshme, e përherë të shikojë cilat janë të rejat që ndodhin, në mënyrë që t’i shfrytëzojë sa më mirë, sepse asnjë nuk e di se ç’sjell fati nga gjërat e reja. Ai e ka detyrë të përpiqet që vetë të prodhojë të reja për ndryshim, sepse përpjekja e tij dhe rezultatet që ajo sjell në vetvete janë një prej caktimeve të Allahut (xh. sh.).
Nuk është kusht që të ketë sukses njëqind për qind. Sado pak sukses të ketë nga këto nisma të vështira, ajo është diçka e madhe. Vetë përpjekja në vetvete është sukses.
Përpjekja është diçka e padiskutueshme kur njeriu nuk ka rrugë tjetër veç saj. Ai duhet ose të përpiqet, ose të pranojë realitetin shkatërrues e vrasës.
Kur njeriu nuk ka rrugë tjetër veç vdekjes, qoftë kjo materiale apo shpirtërore, të rezistojë dhe të përpiqet është gjëja e vetme më logjike për të.
Më tej vjen etapa e durimit, e këmbënguljes. Njeriu, pra, patjetër duhet që të përgatitet në këtë etapë. Ajo ka lidhje me masën e durimit që njeriu besimtar shfaq në arritje të synimit të tij, në vështirësitë dhe të pakëndshmet me të cilat ai përballet. Shtylla e këtij durimi përcaktohet nga këmbëngulja që ai shfaq në luftën për të fituar të drejtat që i ka dhënë Allahu (xh. sh.) dhe pranimi e asaj që Ai i ka caktuar.
Zgjatja e konfliktit dhe e vështirësive e bën njeriun të pranojë nënshtrimin dhe njëkohësisht ndriçon shpirtrat e mëdhenj.
Mes kësaj dhe asaj ka një moment të vetëm dobësie, e cila mund të hedhë poshtë shpirtmëdhenjtë që nga majat në fundin e humnerës.
Momenti më i vështirë është pikërisht ky moment, momenti i rënies mes kulmit të qëndresës dhe fillimit të rrënimit.
Besimtarët që kanë lidhje me Allahun (xh. sh.) dhe që mbështeten fort pas Tij nuk i mposht ky moment. Ata janë të bindur se ky moment nuk i privon nga shpërblimi që Ai u ka caktuar në botën tjetër.
Ata që këmbëngulin në këtë botë që të ngrenë lart fjalën e Allahut (xh. sh.), vënien e drejtësisë dhe përmbushjen e këtij misioni që u ka caktuar atyre në këtë botë, nuk i mposht ky moment.
Kush e thotë se Allahu (xh. sh.) e lë vetëm njeriun në të tilla situata? Kush thotë se ligjet e kësaj bote janë ato që sundojnë në të tilla situata? Kush thotë se vullneti hyjnor nuk ndërhyn dhe se shpëtimi i Allahut nuk vjen andej nga nuk e pret?
Njeriu ka për detyrë vetëm të përgatitet për situatën ashtu siç duhet dhe devotshmërinë ndaj Allahut (xh. sh.) ta bëjë furnizimin e vet, ndërsa ajo që do të ndodhë e do të jetë është në dorë të Allahut (xh. sh.), ngase: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Et Talak: 2-3)