PËRUROHET HAFIZI HASIB EMRULLAHI NGA HOTLA E KUMANOVËS

Të Dielën më 01.08.2021, në Restorantin BLERO në Hotël, me një program të begatshëm nën organizimin e Myftinisë së Bashkësisë Fetare Islame të Kumanovës, u bë ceremonia e duasë së hifzit të hafizit të ri, Hasib Nizamedin Emrullai, të kryer pranë muhafizit Hfz. Abdulkadir ef. Abazi.
Hafizi Hasib Emrullahi, lindi më 08.08.2005 në fshatin Hotël të Kumanovës. Hifzin e filloi më 23.04.2018, ndërsa e ka përfunduar më 23.03.2020. Ndërkaq provimin e hifzit e ka mbrojtur në gjashtë seanca dëgjimore nga data 26.07.2021 deri më datën 31.07.2021, para komisionit profesional të përbërë nga: Hfz. Bajram ef. Ajeti-Kryetar, Hfz. Seid ef. Abazi dhe Hfz. Muhamed ef. Jashari – anëtarë, ndërsa provimin e hifzit e kaloi me sukses të shkëlqyeshëm.
Mysafirët në ceremoninë e duasë së hifzit u pritën nga nikoqiri, Myftiu i Myftinisë së BFI Kumanovë H. Abedin ef. Imeri me bashkëpunëtorët e tij, ndërsa pjesëmarrës në këtë tubim ishin: Drejtori i Sektorit për Arsim dhe Shkencë pranë Rijasetit të BFI Prof. Jusuf ef. Zimeri i cili në këtë manifestim prezantoi në vend të Reisul Ulemasë H. Hfz.Shaqir ef. Fetai, i cili ndodhet në udhëtim zyrtar, Drejtori i Agjencionit për Standard Hallall pranë Rijasetit të BFI H. Muhamer ef. Veseli, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Dr. Abdilkerim ef. Iseni, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame Dr. Shaban ef. Sulejmani, Kryetari i Komunes se Likoves z.Erkan Arifi, profesorë nga FSHI dhe Medrseja Isa Beu, hoxhallarë të shumtë e mysafirë si nga vendi ashtu edhe nga jashtë.
Pas leximit të disa ajeteve Kur`anore nga hfz. Vaid Isufi dhe pas disa tekbireve, moderatori Seid ef. Abazi i përshëndeti të pranishmit dhe në emër të Myftinisë së Kumanovës i falënderoj për pjesëmarrjen e tyre në këtë dua të hifzit duke ju dëshiruar çaste të këndshme.
Në fillim, në emër të familjes së hafizit të pranishmit i përshëndeti dhe ju dëshiroi mirëseardhje Ajhan Emrullahu. Në vazhdim në emër të xhamisë së fshatit Hotël të pranishmit i përshëndet imami i xhamisë njëherit edhe mualimi i hafizit hfz. Abdulkadir Abazi i cili ju dëshiroj mirëseardhje.
Kryetari i Komisionit Vlerësues Hfz. Bajram Ajeti, në emër të komisionit për dëgjimin dhe vlerësimin e hifzit i përshëndeti të pranishmit dhe u dëshiroi mirëseardhje në këtë eveniment historik për fshatin Hotël. Ai vlerësoi lartë punën dhe suksesin e hafizit të ri. “Të nderuar të pranishëm ne si komision hafizin e ri e kemi dëgjuar nga fillimi deri në mbarim dhe po të kishte patur notë më të madhe se shkëlqyeshëm do ta kishim notuar, ne si komision hafizit të ri i japim notën e shkëlqyeshme (5) pesë dhe i dëshirojmë suksese të mëtejme”.
Në vazhdim fjalën përshëndetëse e mori Kryetari i Komunës së Likovës z. Erkan Arifi, i cili tha: Të nderuar të pranishëm shfrytëzoj rastin që në emër të Komunës së Likovës dhe në emrin tim personal t`i uroj familjes, fshatit Hotël dhe Myftinisë së Kumanovës daljen e hafizit të ri duke i dëshiruar suksese të mëtejme. Me fjalë përshëndetëse të pranishmit i përshëndeti edhe h. Rexhail Aziri.
Myftiu i Kumanovës H. Abedin ef. Imeri gjithashtu u dëshiroi mirëseardhje të gjithë mysafirëve të cilët me prezencën e tyre e begatuan këtë ceremoni, e në theks të veçantë përfaqësuesin e Kryetarit të BFI në RMV Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef.Fetait – Prof. Jusuf ef Zimeri.
Në fjalimin e tij, Myftiu i Myftinisë së Kumanovës H. Abedin ef. Imeri mes tjerash tha: I nderuari përfaqësues i BFI-së Jusuf ef.Zimeri, e nderuara familje Emrullahu, të nderuar hoxhallarë, mysafir dhe ju të gjithë që jeni prezent në këtë vend, kam nderin që në emër të institucionit që përfaqësoj dhe në emër të të gjithë hoxhallarëve dhe në emrin tim personal familjes Emrullahu t`i uroj daljen e hafizit të ri hfz. Hasip Emrullahi. Të nderuar të pranishëm, sot fshati Hotël, Myftinia e Kumanovës dhe Bashkësia Fetare Islame është pasuruar edhe me një hafiz, lus Allahun e Madhërishëm që hafizin ta ruaj nga çdo e ligë dhe rreziku, kurse mualimin e tij hfz. Abdulkadir ef. Abazi i cili po jep një kontribut të madh në përgatitjen e hafizave të ri lusim Allahun e Madhërishëm që t`i japë shëndet dhe suksese në kryerjen e kësaj pune të shenjtë.
Në emër të Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të pranishmit i përshëndeti Drejtori i Sektorit për Arsim dhe Shkencë pranë Rijasetit të BFI, Prof. Jusuf ef. Zimeri, i cili e përgëzoi hafëzin e ri dhe i dëshiroi suksese dhe shëndet të mirë në të ardhmen. Ai gjithashtu foli për rëndësinë e institucionit të hifzit në vendin tonë dhe për rëndësinë që ka kjo lëmi në islam në përgjithësi duke garantuar jetëgjatësi të Kuranit Fisnik deri në ditën e kiametit.
Mes tjerash, Prof. Jusuf ef. Zimeri tha: I nderuari Mufti i Muftinisë së Kumanovës Abedin ef.Imeri, të nderuar të pranishëm kamë nderin që në emër të Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetait t’i përcjelli selamet e tij, i cili për momentin gjendet në udhëtim zyrtarë. Të nderuar të pranishëm, në emër të Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai në fillim familjes Emrullahu, fshatit Hotël, Myftinisë së Kumanovës dhe Bashkësisë Fetare Islame t`iu uroj daljen e hafizit të ri duke e lutur Allahun e Madhërishëm që hafizit t`i japë shëndet dhe jetë të lumtur dhe suksese. Të nderuar të pranishëm, lehtë është për ta mësuar Kur`anin por më vështirë është ruajtja e tij, ngase nëse nuk e lexon për çdo ditë mundet të harrohet, prandaj të mësohet Kur`ani përmendësh është farz kifaje, por për ta ruajtur është farzi ajnë. Urime hafizin e ri Zoti e bekoftë hafizin dhe e ruajt nga të këqijat e kësaj bote.
Në fund pas leximit të sureve të shkurta iu bë duaja e hifzit të cilën e bëri hfz. Irfan Abazi.
Pas duasë Hafizit në emër të Reisul Ulemasë hfz. Shaqir ef. Fetai “Çertifikatën për kryerjen e Hifzit” ia dorëzoi Jusuf ef. Zimeri si dhe një dhuratë simbolike, ndërsa Myftiu Abedin ef. Imeri në emër të Muftinisë së Kumanovës Hafizit i dhuroi një Kur`an dhe një libër për Historikun e Myftinisë si dhe një dhuratë simbolike, kurse mualimit hfz. Abdulkadir Abazit në emër të Myftinisë i dhuroi Mirënjohje për punën e tij që është duke bërë në Xhaminë e Bardhë-Hotël. Si dhe një dhuratë ja dhuroj Muhafizit dhe anëtarëve të komisionit
Pas ceremonisë familja e hafizit për mysafirët shtroi drekë.

Comments are closed.