Të hënën më 21.06.2021, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai mori pjesë në manifestimin e duasë së hifzit të hafizit të ri, Ensar Çajani, të kryer pranë Muahafizit Hfz. Sadudin ef. Sulejmani, imam pranë xhamisë Murat Pasha- Çarshi e Vjetër.
Hafizi Ensar Çajani është nxënës i vitit të katërt në Medresenë Isa Beu. Ai ka lindur më 14.06.2002, në Shkup, hifzin e ka filluar më 20.06.2018, ndërsa e ka përfunduar më 17.03.2021 . Ndërkaq provimin e hifzit e ka mbrojtur me 6 seanca dëgjimore nga data 4 qershor deri më datë 11 qershor 2021, para komisionit profesional vlerësues të Myftinisë së Shkupit, i përbërë nga: Hfz. Shafi Osmani, Kryetar i komisionit, Hfz. Sheval ef. Azizi, anëtar dhe Hfz. Xhemail ef. Nuhiju anëtar, ndërsa provimin e hifzit e kaloi me sukses të shkëlqyeshëm.
Mysafirët në këtë manifestim të organizuar nga Myftinia e Shkupit u pritën nga Myftiu i Myftinisë së BFI Shkup Dr. Qenan ef. Ismaili me bashkëpunëtorët nga Myftinia e Shkupit, ndërsa prezent ishin: Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Evzal ef. Sinani, Myftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli, Myftiu i Kërçovës Qamil ef. Rushiti, Myftiu i Ohrit Samet ef. Hajdari, Kryetari i Kuvendit të BFI Fejsal ef. Kadriu, Kryetari i OH Hilal Fadil ef. Ramadani, Përgjegjësi i sektorit për marëdhënie me Botën arabe Ismet ef. Ademi, Përgjegjësi i sektorit për kulturë Musanif ef. Rufati, profesorë nga FSHI dhe Medrseja Isa Beu, hoxhallarë të Shkupit e rrethinë, si dhe një numër i madh i xhematit dhe mysafirë nga vendi e nga jashtë.
Të dhënat për hafizin i prezantoi Rexhep ef. Imeri, referent në Myftininë e Shkupit, i cili gjithashtu e moderoi këtë manifestim, ndërsa Kryetari i Komisionit profesional vlerësues, Hfz. Shafi ef. Osmani, bëri një rezyme mbi punën dhe angazhimin e komisionit dhe rezultatet e arritura nga hafizi Ensar Çajani.
Fillimisht fjalën përshëndetëse e morri Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, e sidomos familjen e hafizit të ri. Mes tjerash Myftiu i Shkupit tha se për Shkupin e për të gjithë, kjo është një ditë e veçantë, një ditë gëzimi. Sot na shtohet edhe një hafiz, një mbrojtës i Kuranit Famëlartë.
Fjalën kryesore e mbajti Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, e posaçërisht hafizin e ri dhe tërë familjen e tij në veçanti. Gjithashtu Reisul Ulema e vlerësoi lartë punën dhe koordinimin e Myftinisë së Shkupit me në krye Myftiun e nderuar të Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili dhe Komisionin e Hifzit, në përgatitjen e hafizlerëve të rinj.
“Sot Ensar ef. Çajani radhitet në gjeneratat e hafizëve të mëdhenj gjatë tërë historisë, që ato gjenerata na lidhim me Muhamedin a.s., sot me hafizin ne jemi bashkë me Muhamedin a.s., me as’habët e Muhamedit a.s., dhe ata na shohin sot, na ndjejn, janë të gëzuar, që kan larg, këtu, jemi të lidhur me kohën dhe vendin ku ata të dashur kanë jetuar. Dhe ata janë të gëzuar dhe thonë, vërtetë sakrifikuam, vërtetë u munduam, vërtetë e humbëm pasurinë, vërtetë e humbëm jetën, por shikoni ku ka shkuar islami, atje larg në Ballkan dhe Evropë dhe atë jo vetëm thonë jemi mysliman elhamdulilah, ata shkollohen, krijojnë universitete, ndërtojnë xhami, kanë medrese, kanë Fakultet të Shkencave Islame, por kanë edhe hafiza të Kuranit Famëlartë. Dhe hafizat janë si yjet në qiell. A i keni parë natën? Yjet e qiellit janë njejtë si hafizat këtu në tokë”, mes tjerash Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve në xhaminë Murat Pasha në Çarshinë e Vjetër.
Fjalimin e plotë të Reisul Ulemasë dhe manifestimin në tërësi mund ti ndiqni në linkun më poshtë:
https://www.facebook.com/bfinmk/videos/2998571460422495
Ky manifestim përfundoi me duanë e bërë nga Myftiu i Kërçovës, Qamil ef. Rushiti dhe dhënien e diplomave dhe dhuratave nga Kryetari i BFI-së Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, ndërsa Myftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli i priu faljes të namazit të Iqindisë.
Comments are closed.