PËRUROHET HAFIZI BETIM IZAIRI NË ÇELLOPEK TË TETOVËS

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të shtunën më 03.07.2021 mori pjesë në ceremoninë e duasë së hifzit të hafizit të ri Betim Ramiz Izairit në fshatin Çellopek të Tetovës, të kryer pranë Muahafizit të mirënjohur, tashmë të ndjerë, Mulla Mahmud ef. Asllani.
Hafizi Betim Izairi ka lindur më 22 Janar 1999, hifzin e ka filluar më 09.06.2016 ndërsa e ka përfunduar më 16.12.2019 tek Muhafizi i ndjerë Mulla Mahmud ef. Asllani.
Ndërkaq provimin e hifzit e ka mbrojtur me datat 23, 24 dhe 25 Dhjetor 2019, para komisionit profesional të Myftinisë së Tetovës, i përbërë nga: Mr. Hfz. Ejup ef. Selmani Kryetar, Hfz. Abdurahim ef. Murati, anëtar; Hfz. Havzi ef. Ramadani, anëtar; ndërsa provimin e hifzit e kaloi me sukses të shkëlqyeshëm.
Mysafirët në këtë manifestim të organizuar nga Myftinia e Tetovës, u pritën nga Myftiu i Myftinisë së BFI Tetovë Dr. Qani ef. Nesimi me bashkëpunëtorë, ndërsa prezent ishin: Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Feta, H. Irsal ef. Jakupi, Sekretari i Përgjithshëm i BFI, Myftinjtë paraprak të Tetovës, H. Alifikri ef. Esati dhe Hfz. Nexhati ef. Limani, Myftiu i Myftinisë së BFI Shtip Mr. Nasir ef. Rexhepi, Myftiu i Myftinisë së BFI Strugë, Mr. Salim ef. Sulejmani, Drejtori i Sektorit për Diasporë në Rijasetin e BFI Dr. Selver ef. Xhemaili, Mualimi i xhamisë së Pashës, Hfz. Zulqufliu, djali i Muhafizit të ndjerë, Mulla Mahmud ef. Asllani, profesorë nga Medreseja “Isa Beu” dhe Fakulteti i Shkencave Islame, hoxhallarë të Tetovës me rrethinë, si dhe një numër shumë i madh i xhematit dhe mysafirë nga vendi e nga jashtë.
Të dhënat për hafizin e ri i prezantoi referenti për arsim fetar pranë Myftinisë së Tetovës, Hfz. Abdurahim ef. Murati, ndërsa manifestimin e moderoi Mr. Xhemil ef. Sadiki.
Fillimisht fjalën përshëndetëse e morri Myftiu i Tetovës, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, e sidomos familjen e hafizit të ri dhe Muhafizit të ndjerë Mulla Mahmued ef. Asllanit.
“E mira dhe i miri, jo që bën mirë kur është gjallë, por bën edhe shumë të mira edhe pasi të vdes.
Hfz. Betimi është bereqet i punës së hoxhës së nderuar, Mulla Mahmudit, e ne të gjithë këtu, pa përjashtim jemi të privilegjuar që të bëjmë duanë e një hafizi, që e ka përfunduar hizvin tek rahmetliu, Mulla Mahmudi. Bëjmë dua që Allahu Fuqiplotë varin t’ia bëjë një bahçe Xheneti dhe ta shpërblejë me më të mirat e tij”.
Fjalën kryesore e mbajti Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, e posaçërisht hafizin e ri dhe familjen e tij në veçanti, duke u shprehur urime të përzemërta për hifzin e kryer e duke i dëshiruar shëndet, lumturi dhe suksese në jetë.
“Vepra më e bukur që krijoi i madhi Zot është njeriu. Për të treguar se sa i bukur dhe sa i madh është njeriu, i dha emër, i tha ti je mëkëmbësi im në tokë. E përgatiti të jetë i tillë. E bëri të jetë më i forti, më i afti, më i zoti, për të qenë i tillë. Dhe mu për atë, e bëri që mbi supet e tij të mbajë amanetet e Allahut Fuqiplotë. Kur e bëri të tillë, melekët deshën të dinë pse? Ai vetëm iu tha: O melekët e mi, unë e di kush është njeriu. Unë e di më së miri se ju dhe aj t’ia lemë historisë dhe do ta shihni se kush është njeriu. Dhe do të bindeni sa i madh është njeriu. Dhe vërtetë u bindën. Por edhe ne dëshiron i Madhi Zot të na bind. Në veçanti për Kuranin Famëlartë. Sepse gjitha amanetet, qëllimet e jetës janë mu në Kuranin Famëlartë. Ajetin që e citova thotë: Sikur t’ia zbresim këtë Kuran një fenomeni më të fuqishëm material siç është kodra, kur njerëzit thonë është i fortë si kodër, simbol i forcës, i shtyllës së tokës, e që kjo kodër thotë i Madhi Zot, sikur t’ia zbritnim Kuranin do të strukej, do ta fshehte veten prej frike mos vallë do ti jepej Kurani. E din kur nuk do ta marrësh një detyrë e mundohesh ti fshihesh, se e dinë se nuk mund ta bëjnë.
Jo vetëm që do të struket, do ishte copëtuar copë më copë, nga frika, nga përgjegjësia që do të kishte ndaj Zotit.
Kurani pra, është një vepër e madhe që nuk mund ta pranojnë, as toka as qiejt e as malet. E pranoi Njeriu. Këtë amanet vëllezër të dashur, shiheni argumentin… Sot edhe në tru, edhe në shpirt edhe në zemër edhe në kokë e ka marrë i riu jonë nga Çellopeku, Hfz. Betim ef. Izairi. Andaj ky djalosh me gjithë familjen e tij sot janë shembull dhe argumentojnë fjalët e Zotit dhe sot i madhi Zot u thotë meleqeve, ja shihni kush është njeriu…” tha mes tjerash Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve në Xhaminë e fshatit Çellopek të Tetovës.
Fjalimin e plotë të Reisul Ulemasë dhe manifestimin në tërësi mund ti ndiqni në linkun më poshtë:
Ky manifestim përfundoi me duanë e bërë nga Myftiu paraprak i Tetovës, H. Alifikri ef. Esati dhe dhënien e diplomave dhe dhuratave nga ana e Kryetarit të BFI-së Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe Myftiut të Tetovës Dr. Qani ef. Nesimi, ndërsa më pas, faljes të namazit të drekës, i priu Myftiu i Myftinisë së BFI Shtip Mr. Nasir ef. Rexhepi.

Comments are closed.