PËRUROHET HAFIZI ARITON ZEQIRI NGA STRUGA

108
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai të Dielën më 11.07.2021, në Xhaminë Lulishte në Strugë, mori pjesë në manifestimin e duasë së hifzit të hafizit të ri, Ariton Feta Zeqiri, të kryer pranë muhafizit Hfz. Shafi ef. Osami, profesor në Medresenë Isa Beu.
Hafizi Ariton Zeqiri, lindi më 25.02.1999 në fshatin Dollogozhdë të Strugës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Medresenë Isa Beu. Që në vitin e parë në Medrese, ai filloi hifzin te profesori Hfz. Shafi ef. Osmani. Hifzin e ka filluar më 21.10.2015, ndërsa e ka përfunduar më 03.03.2019. Ndërkaq provimin e hifzit e ka mbrojtur në seanca dëgjimore nga data 22, 23 dhe 24 Prill 2019, para komisionit profesional të përbërë nga: Hfz. Shafi ef. Osmani, Hfz. Sheval ef. Azizi dhe Hfz. Muharem ef. Loki, ndërsa provimin e hifzit e kaloi me sukses të shkëlqyeshëm.
Aktualisht Hfz. Ariton ef. Zeqiri është student në vitin e dytë në Univerzitetin e Ezherit në Kajro – Fakulteti i Sheriatit, drejtimi Fikh Hanefi.
Në këtë manifestim të mirëfilltë të organizuar nga Myftinia e Strugës, mysafirët u pritën nga Myftiu i Myftinisë së BFI Strugë Mr. Salim ef. Sulejmani me bashkëpunëtorët e tij nga Myftinia e Strugës, ndërsa prezent përveç Reisul Ulemasë ishin edhe: Kryetari i Kuvendit të BFI Fejsal ef. Kadriu, Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Tetovës Dr. Qani ef. Nesimi, Myftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli, Myftiu i Kërçovës Qamil ef. Rushiti, Myftiu i Maqedonisë Lindore Mr. Nasir ef. Rexhepi, Myftiu i Dibrës Reshat ef. Kaçallniku, Myftiu i Ohrit Samet ef. Hajdari, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Dr. Abdilkerim ef. Iseni, Myftinjtë paraprak të Strugës H. Mushteba ef. Shehu, dhe H. Miqail ef. Osmani, Prodekani i Fakultetit të Shkencave Islame Dr. Muaz ef. Agushi, udhëheqës të sektorëve të ndryshëm të Rijasetit të BFI, profesorë nga FSHI dhe Medrseja Isa Beu, hoxhallarë të Strugës e rrethinës, si dhe një numër i madh i xhematit dhe mysafirë nga vendi e nga jashtë.
Këtë manifestim e moderoi referenti i Myftinisë së Strugës Musa ef. Biba, ndërsa Kryetari i Komisionit profesional vlerësues, Hfz. Shafi ef. Osmani, prezantoi të dhënat për hafizin e ri si dhe bëri një rezyme mbi punën dhe angazhimin e komisionit dhe rezultatet e arritura nga hafizi Ariton Zeqiri.
Fillimisht fjalën përshëndetëse e morri Myftiu i Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, e sidomos familjen e hafizit të ri Ariton Zeqiri. Mes tjerash Myftiu i Strugës tha se: “Kjo ditë është një ditë gëzimi jo vetëm për Strugën por për të gjithë, sepse shoqërisë sonë i është shtuar një hafiz, një mbrojtës i Kuranit Famëlartë pas 100 viteve, që nga vdekja e dy hafizave të njohur Mulla Rexhep ef. Sulejmanit, babai i Sali Hoxhës dhe pas vdekjes së Hfz. Sabit Shehu, babait të Myftiut paraprah Mushteba ef. Shehut, Hfz. Aritoni është hafizi i vetëm në Myftininë e Strugës. Të gjithë myftinjtë e BFI janë këtu, jo vetëm për ta përkrahur Hafizin e ri, por për ti dhënën një mbështetje e përkrahje kultivimit të hifzit edhe në territorin e Strugës.”
Fjalën kryesore e mbajti Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, e posaçërisht hafizin e ri dhe tërë familjen e tij në veçanti. Reisul Ulema me nota të larta dhe fjalë miradije e vlerësoi punën dhe koordinimin e Myftinisë së Strugës me në krye Myftiun e nderuar të Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani, si në organizimin e jetës fetare në këtë Myftini ashtu edhe në ngritjen e kuadrove të reja të cilët do ta vazhdojnë rrugën dhe amanetin e paraardhësve tanë edhe në të ardhmen.
“Tre librat e para të shenjta, pësuan ndryshime, u fut dora dhe mendja e njeriut. I vetmi që ngeli autentik, origjinal, ashtu siç i zbriti Muhamedit a.s., është Kurani ynë i dashur. Dhe dikush do të pyes e si ndodhi kjo? Tri të tjerat të deformohen e Kurani të ngel i pandryshuar?
Tri mënyra u përdorën. E para ishte: posa zbriste Kurani nëpërmjet Xhibrilit, as’habët menjëherë regjistronin e shkruanin nëpër sende të ndryshme.
E dyta metodë ishte: sapo zbriste një ajet i Kuranit Famëlartë, analizohej, shpjegohej dhe praktikohej në jetën e përditshme. Praktikimi i Kuranit.
Dhe e treta e më e fuqishmja. Pasi që regjistrohej e praktikohej, menjëherë mësohej përmendësh nga as’habët e Muhamedit a.s. dhe kjo metodë ishte dhe quhej Hifz i Kuranit Famëlartë. Dhe kjo vazhdoi në të katër anët e Botës të jetë shkolla dhe institucioni shumë i rëndësishëm për ta mbrojt Kuranin Famëlartë, gjeneratë pas gjenerate deri në kohën në të cilën ne sot jetojmë. Dhe hifzi i Kuranit Famëlartë sot bëhet metoda më bashkëkohore, më e nevojshme më e domosdoshmja, domethënë nuk është më hifzi demode, përkundrazi është institucion shumë i domosdoshëm në kohën në të cilën ne sot jetojmë, sepse sot ekziston ashtu teknologji e cila e vërtetë është se është në shërbim të vlerave të mira, por nëse i qaset ndonjë deponimi apo shkatërrimi ka fuqinë të bëjë deformime të ndryshme dhe po bën deformime te ndryshme ndaj veprave origjinale. Vetëm tek Kurani Famëlartë nuk ka asnjë birë që mund të futet. A e dini pse? Sepse janë hafizat e Kuranit Famëlartë që e mbrojnë atë. Që e kanë në trurin e tyre dhe kjo forcë që mban gjallë dhe fuqishëm origjinalitetin e Kuranit Famëlartë, sot e kemi para nesh. Është hafizi jonë i nderuar Ariton efendi Zeqiri” tha mes tjerash në fjalimin e tij Kryetari i BFI H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, para të pranishmëve në xhaminë Lulishte në Strugë.
Fjalimin e plotë të Reisul Ulemasë dhe manifestimin në tërësi mund ti ndiqni në linkun më poshtë:
Ky manifestim përfundoi me duanë e bërë nga Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili dhe dhënien e diplomave dhe dhuratave nga Kryetari i BFI-së Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe Myftiu i Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani, ndërsa Myftiu i Tetovës, Dr. Qani ef. Nesimi i priu faljes të namazit të drekës.