PËRUROHEN HAFIZET E REJA ENISA ZIBERI DHE HAVA ZIBERI NË TETOVË

Të dielën më 20.06.2021, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai mori pjesë në manifestimin e duasë së hifzit të hafizeve të reja, Enisa Ziberi dhe Hava Ziberi, të kryer pranë Muahafizit Mulla Mahmud ef. Arsllani, në Xhaminë e fshatit Radiovcë të Tetovës.
Hafizja, Enisa Besnik Ziberi është e lindur më 07.02. 2009, në Tetovë, hifzin e ka filluar më 29.06.2017 ndërsa e ka përfunduar më 03.06.2020 tek Muhafizi i njohur Mulla Mahmud ef. Arsllani.
Ndërkaq provimin e hifzit e ka mbrojtur me datat 08, 09 dhe 10 Qershor 2020, para komisionit profesional të Myftinisë së Tetovës, i përbërë nga:
Hfz. Abdurahim ef. Murati, Kryetar; Hfz. Shafi ef. Ajdini; Hfz. Havzi ef. Ramadani, anëtar; ndërsa provimin e hifzit e kaloi me sukses të shkëlqyeshëm.
Hafizja, Hava Besnik Ziberi është e lindur më 11.02. 2007, në Tetovë, hifzin e ka filluar më 03.03.2017 ndërsa e ka përfunduar më 05.04.2021 tek Muhafizi i mirënjohur Mulla Mahmud ef. Arsllani.
Ndërkaq provimin e hifzit e ka mbrojtur me datat 07, 08 dhe 09. Prill 2021, para komisionit profesional të Myftinisë së Tetovës, i përbërë nga:
Hfz. Abdurahim ef. Murati, Kryetar; Hfz. Shafi ef. Ajdini; Hfz. Havzi ef. Ramadani, anëtar; ndërsa provimin e hifzit e kaloi me sukses të shkëlqyeshëm.
Mysafirët në këtë manifestim të organizuar nga Myftinia e Tetovës, u pritën nga Myftiu i Myftinisë së BFI Tetovë Dr. Qani ef. Nesimi me bashkëpunëtorë, ndërsa prezent ishin: Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Feta, Atasheu për Çështje Fetare i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Shkup, Hfz. Mustafa Mesten, Myftiu paraprak i Tetovës, H. Alifikri ef. Esati, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Evzal ef. Sinani, Myftiu i Myftinisë së BFI Strugë, Mr. Salim ef. Sulejmani, Myftiu i Myftinisë së BFI Shtip Mr. Nasir ef. Rexhepi, Prodekani i FSHI – së Dr. Muaz ef. Agushi, profesorë nga Medreseja “Isa Beu”, hoxhallarë të Tetovës me rrethinë, si dhe një numër shumë i madh i xhematit dhe mysafirë nga vendi e nga jashtë.
Të dhënat për hafizet e reja i prezantoi Kryetari i Komisionit të hifzit, referenti për arsim fetar pranë Myftinisë së Tetovës, Hfz. Abdurahim ef. Murati, ndërsa manifestimin e moderoi Mr. Xhemil ef. Sadiki.
Fillimisht fjalën përshëndetëse e morri Myftiu i Tetovës, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, e sidomos familjen e hafizeve të reja, të cilët në familjen e tyre tanimë kanë dy hafize të reja, dy motra, fakt ky që e bën të veçantë këtë manifestim.
Fjalën kryesore e mbajti Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, e posaçërisht hafizet e reja të familjes Ziberi dhe familjen e tyre në veçanti.
Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai hafizeve të reja dhe familjes së tyre iu shprehu urime të përzemërta për hifzin e kryer duke iu dëshiruar shëndet, lumturi dhe suksese në jetë.
“Historia njeh armiq të ndryshëm kundër Kuranit Famëlartë. Nuk ka pasur kohë që nuk ka pasur njerëz që me metoda më të fëlliqura të mundohen ti ndryshojnë fjalët e Kuranit Famëlartë. Ka pasur edhe në kohën e Pejgamberit Muhamedit a.s., ka pasur në çdo kohë, e deri në kohën e sodit. Sot kanë menduar se ndoshta e kanë më lehtë, sepse me teknologjinë moderne që ekziston, mendojnë se do të bëjnë ndryshim të strukturës që është e mrekullueshme të Kuranit Famëlartë. Çdo tentim në çdo strategji ju del barazi e dështuar. Dhe pranojnë dhe thonë. Ne mund të bëjmë me teknologjinë tonë çka të duam me shkronjat e Kuranit, ti lëvizim, si të duam ne. Por halli që ekziston një strukturë që nuk varet as nga teknologjia, as nga lapsi e as nga shkrimi. Ata janë forca, murri i pathyeshëm që s’mund këtë strategji ta realizojnë. Ata janë hafizët dhe hafizet e Kuranit Famëlartë. Ata janë që krejt Kuranin e kanë në mendjen e tyre. Dhe sado që të bëjmë ne tentime, kjo ushtri e hafizave është baza më e fuqishme që vjen dhe është e gatshme në çdo moment ta mbrojë çdo një germë të Kuranit Famëlartë.
Këta janë mbrojtësit të cilët e kanë futur krejt Kuranin në trurin e tyre, në mendjen e tyre dhe janë mbrojtësit më të fuqishëm të Kuranit Famëlartë. Dhe nuk i ka titulluar kot i Madhi Zot, Hafizët e Kurani Kerimit me titullin, mbrojtësit e Kuranit famëlartë dhe ua ka shkruar me titull që ta kuptojmë vlerën e mbrojtësit të Kuranit: Hafizat janë njerëzit më autoritativë, më të ndershëm, më të afërmit tek Allahu Fuqiplotë”, tha mes tjerash Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve në Xhaminë e fshatit Radiovcë të Tetovës.
Fjalimin e plotë të Reisul Ulemasë dhe manifestimin në tërësi mund ti ndiqni në linkun më poshtë:
Ky manifestim përfundoi me duanë e bërë nga Myftiu paraprak i Tetovës, H. Alifikri ef. Esati dhe dhënien e diplomave dhe dhuratave nga ana e Kryetarit të BFI-së Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe Myftiut të Tetovës Dr. Qani ef. Nesimi, ndërsa më pas, faljes të namazit të drekës në këtë ditë të veçantë në Radiovcë, i priu Myftiu i Strugës, Mr. Salim ef. Sulejmani.

Comments are closed.