Përurimi i veprave të Akademik Hasan Kaleshit në Kërçovë

Më 30.07.2022, në Pallatin e Kulturës në Kërçovë u përuruan veprat e Akademik Hasan Kaleshit.
Event i organizuar nga Bashkësia Fetare Islame në RMV, ku prezent ishin figura të jetës fetare dhe publike.
Ndër ta: Reisul Ulema në RMV, hfz. Shaqir ef. Fetai, Myftiu i Republikës së Kosovës mr. Naim ef. Tërnava, Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti, Myftiu i Kërçovës z. Qamil ef. Rushiti, zv. Ministri i Arsimit dhe Shkencës prof. Dr. Lulzim Aliu, Myftinjtë e Bashkësisë Fetare Islame, dr. Qenan ef. Ismaili – myfti i Shkupit, prof.dr. Qani ef. Nesimi – myfti i Tetovës, h. Sabahudin ef. Zendeli – myfti i Gostivarit, Kryetari i Komunës së Kërçovës dhe Pllasnicës, z. Fatmir Dehari dhe z. Alija Jaoski, akademikët e respektuar / autorë të librave të Hasan Kaleshit, akad. dr. Feti Mehdiu dhe akad.dr. Muhamed Mufaku, kryetari dhe kryetari i Kuvendit të KMSHZ-së, kryetari i Kuvendit të BFI-së, drejtues të institucioneve brenda vendit, imamë dhe shumë personalitete të shquara të jetës shkencore, akademike , shoqërore dhe fetare.
Akademik Feti Mehdiu foli rreth ecurisë së botimeve dhe perspektivës së prezantimit të figurës së Akademik Hasan Kaleshit, prof. Qerim Lita, foli në rolin e referuesit duke dhënë sqarime rreth të vërtetave të këtyre veprave dhe jetës së Kaleshit, akad. Muhamed Mufaku foli për planet dhe perspektivën e të ardhmes së botimeve për jetën dhe veprën e Hasan Kaleshit në gjuhë të ndryshme, dhe mr. Elez Ismaili përfundoi duke dhënë propozim konkret për emërtimin e ndonjë/disa institucioneve me emrin Hasan Kaleshi.
Gjithashtu me video mesazhe u paraqitën akad. Esat Durakoviç në gjuhën boshnjake, dr. Basem al-Zu’bi në gjuhën arabe, ndërkaq miku i Hasan Kaleshit, z. Idriz Lamaj, për herë të parë shfaqi për publikun letrën që akademik Kaleshi ia kishte shkruar 11 ditë para se të mbyllte sytë përgjithëmonë.
Në fund të aktivitetit, dy kryetarët e Bashkësive Islame dhe Kryetari i Komunës ndanë mirënjohje për autorët dhe ata që ndihmuan në realizimin e përurimit të veprave të Kaleshit.
Pas aktivitetit, kryetari i Komunës së Kërçovës shtroi një drekë modeste për mysafirët.
Fjala e rastit të Reisul-Ulemasë të BFI-së së RMV, në 100 vjetorin e lindjes së akademikut Hasan Kaleshi, mbajtur, më 30 Korrik 2022, në Kërçovë
Të nderuara të pranishëm, ….
Sot, të gjithë ne ndihemi krenar për këtë eveniment kulturor, me çrast përurojmë veprat e Dr. Hasan Kaleshit, në 100 vjetorin e lindjës së tij. Jemi krenar nga fakti se nga gjiri i popullit tonë u lind një figurë markante akademike shkencore me përmasa ndërkombëtare, u lind një nga figurat më të shquara shqiptare, i cili shquhet për kontributin e tij në shumë lëmi shkencore si filologji, albanologji, letërsi, histori, etnografi, shkencat orientale, etj.
S`ka dyshim se tabanin e rrugëtimit shkencor, në sferat e përmendura, akademiku Hasan Kaleshi e përfitoi nga gjyshi i tij, Muderisi Ali efendiu, i cili studimet e larta i kishte kryer në Stamboll, po ashtu edhe nga babai i tij, Muderisi Adem efendiu, kishte studiuar teologjinë në “Fatih”, institucioni më i lartë dhe më i njohur i asaj kohe në Stamboll. Pra, Hasan Kaleshi rrjedhë nga një familje e njohur besimtare, intelektuale e këtij nënqielli. Aftësinë e tij intelektuale, akademiku Hasan Kaleshi e tregoi qysh si fëmijë, ku krahas mësimeve fillestare, nga prindërit e mësonte edhe Hifzin dhe në moshën dhjetëvjeçare Hasani i vogël e mori titullin Hafiz i Kuranit Famëlartë.
Gjatë shkollimit të tij, qoftë në shkollën e mesme apo fakultet, Dr. Hasan Kaleshi tregoi afinitet të madhë për nxënie të diturisë në sferat e gjuhsisë. Andaj, ai shquhet edhe si poliglotë i vërtetë sepse i zotëronte, pothuajse, të gjitha gjuhët kryesore lindore dhe perëndimore; përveç gjuhës shqipe, edhe atë serbe, kroate, boshnjake, bullgare, zotëronte për bukuri turqishten, osmanishten, arabishten, persishten, italishten, frëngjishten, gjermanishten dhe anglishten.
Përgatitja dhe aftësia e tij shkencore e bënë atë njërin ndër studiuesit më të njohur të orientalistikës, gjuhësisë, historisë, kulturës, letërsisë, ndërsa, konsiderohet amblema e shkencave orientale te shqiptarë. Se sa i përgatitur shkenctarisht ka qenë Dr. Hasan Kaleshi, tregon edhe fakti se ai ka marrë pjesë me kumtesa, studime, punime të ndryshme shkencore, në mbi 40-të simpoziume, konferenca shkencore, në Evropë, Amerikë, Azi dhe Afrikë.
Ka ligjëruar në universitete kryesore të botës: në Paris, Hamburg, Berlin, Munih, Vjenë, Stamboll, Romë, Ankara, Kajro, Nju Jork, Çikago, Athinë, Sofje, kuptohet edhe në Prishtinë, Tiranë, etj. Për rreth një çerek shekulli botoi rreth katërqind punime të ndryshme: kritika, polemika, artikuj, studime, përkthime, në disa gjuhë të huaja, si edhe në gjuhën shqipe.
Veprimtaria studimore e Dr. Hasan Kaleshit përfshihet në tri kategori kryesore:
1. Trashëgimia kulturore shqiptare – gjuha dhe letërsia shqipe.
2. Trashëgimia kulturore arabo-islame.
3. Trashëgimia kulturore osmano-turke.
Në kontributin e tij për çështjen kombëtare, vërehet se dr. Hasan Kaleshi ka qenë kritik shkencor i guximshëm. Kjo vërehet edhe në studimin e tij me titull: “Letërsia bashkëkohore shqipe në Jugosllavi”, të publikuar në vitin 1952, me qëllimin për t’ua paraqitur letërsinë shqipe sa më shumë popujve të tjerë në Jugosllavi, të cilët me shumicë mendonin se shqiptarët nuk janë veçse furraxhinjë, bozaxhi, sharraxhi.
Guximi i Dr.Hasan Kaleshitm për të thënë të vërtetën për çështjen shqiptare vërehet edhe në një tezë të re të tij, e cila ishte në kundërshtim me historiografinë shqiptare të kohës e cila me depërtimin e osmanlinjve në Ballkan dhe në islamizimin e shqiptarëve gjen vetëm elemente negative. Në këtë studim Dr. Hasan Kaleshi në tezën e vet, ndër të tjera, shkruan:
“Në kohën kur shqiptarët ishin pa shtet, pa kishat e tyre, pa traditë kulturore, pa shkolla, të rrethuar nga Bizanti në një anë, nga shteti Serb në anën tjetër, nga Venediku në anën bregdetare, me këto rrethana nuk ka pasur fare gjasa të ekzistonte si komb, me depërtimin turk në Ballkan, me shkatërrimin e Bizantit, shtetit Serb si dhe dezorientimin e kishave të tyre, pengohet asimilimi i shqiptarëve nga elementet e lartë përmendura”.
Sa më shumë të flasësh për figurën e Dr. Hasan Kaleshit, aq më shumë vërehet se shumë pak thuhet për të, në krahasim me veprimtarinë krijuese të tij. Duke i dëshiruar suksese këtij tubimi, ndihemi borxhlinjë që në të ardhmen institualisht t`i përkushtohemi sa më shumë dr. Hasan Kaleshit i cili për gjeneratat e reja është shkollë në vete.
Ju falemderit,
Reisul-Ulema i BFI-së
H. Hfz. Shaqir ef. Fetai

Comments are closed.