PERSONALITETI I MUHAMEDIT (A.S.) NGA KËNDVËSHTRIMI KURANOR – Dr. Selver ef. Xhemaili
Referimi i Prof. Dr. Selver ef. Xhemaili në panelin shkencor kushtuar Muhammedit a.s. organizuar nga Bashkësia Fetare Islame e RMV
PERSONALITETI I MUHAMEDIT (a. s.) NGA KËNDVËSHTRIMI KURANOR – Nga Dr. Selver ef. Xhemaili
Feja islame, në thelb, është përmbledhje dhe burim i të gjitha vlerave njerëzore. Por, nëse nuk vendoset në mënyrë të drejtë baraspesha midis dijes, besimit, ibadetit dhe etikës; nëse në fe përzihet hamendja, lakmia, interesi, keqpërdorimi; fetaria nuk do të prodhojë vlera, por do t’i konsumojë vlerat ekzistuese.
Jam i lumtur që organizatori i këtij paneli vendosi që edhe unë të marr pjesë në këtë eveniment fatlum kushtuar ditëlindjes së Muhamedit (a. s.). Por, që në fillim dëshiroj të theksoj se në këtë aktivitet jemi kyçur me plot vetëdije se ne me shpjegimet tona nuk mund t’i shtojmë ndonjë vlerë personalitetit të tij të lartë, por, përkundrazi, duke e përmendur, duke shpjeguar për të dhe duke e përkujtuar personalitetin e tij, fjalët tona fitojnë vlerë. Pikërisht për këto motive ndjehem i privilegjuar që m’u dha rasti të flas për të zgjedhurin e Allahut (xh. sh.).
Islami që u kumtua nga Kurani është gabim, është vështirë, të kuptohet pa Muhamedin (a. s.). Por, njëkohësisht, është mënyrë e gabuar përpjekja për ta kuptuar personalitetin e tij pa iu referuar fjalës hyjnore, Kuranit famëmadh. Në fakt, çdo përpjekje për ta kuptuar Kuranin apo Islamin në tërësi pa Muhamedin (a. s.) mund të na çojë në përfundime të gabuara, po edhe çdo përpjekje për ta kuptuar personalitetin e Muhamedit (a. s.) pa iu referuar Kuranit, do të na çonte në përfundime të gabuara. Këto dy çështje janë të pandara, njëjtë si mishi me thoin, apo fara me tokën. Pra, burimi më i mirë prej ku mund ta njohim personalitetin e Muhamedit (a. s.) është burimi hyjnor që e ka dërguar atë si pejgamber dhe, pa fare dyshimi, Kurani është nga i njëjti burim. Kurani është burimi më objektiv, më origjinal dhe më i vërtetë për të na treguar personalitetin e Muhamedit (a. s.). Është më objektivi, ngase në përshkrimin e tij është i mbrojtur nga ndjenjat njerëzore dhe teket individuale. Është më origjinali, ngase mes Kuranit dhe Muhamedit (a. s.) nuk ka ndonjë distancë kohore, hapësinore apo potenciale. Është burimi më i vërtetë, ngase Kurani është burimi i vetëm që si burim dije dhe njohjeje nuk ngjall kurrfarë dyshimi në mesin e besimtarëve. Apo, të themi ndryshe, sikurse neve që na e ka mësuar Kuranin i Dërguari (a. s.), ashtu edhe Kurani na e tregon personalitetin e tij, madje duke na e bërë të ditur edhe arsyen dhe qëllimin pse pikërisht është përzgjedhur Muhamedi (a. s.).
Morali, veçori e pamohueshme
Pra, arsye pse ai është zgjedhur si pejgamber është morali i bukur i tij – veçori që çdokush e di dhe askush nuk e mohon dot. Surja El Kalem, brenda së cilës gjendet ajeti që thekson se i Dërguari (a. s.) qëndron mbi një moral të mrekullueshëm, është ndër suret e para të shpallura. Dhe, si duket në fillim do t’i jenë parashtruar kritika sikur: Pse ti të jesh pejgamber? Pse nuk është filan personi apo tjetri? Cila është veçoria jote? Dhe, fillimi i kësaj sure u jep përgjigje kritikave të këtilla, duke thënë: “Ngase vërtet ti je në një shkallë të lartë të moralit!” (Kuran: 68/4)
Morali i mrekullueshëm edhe përpara pejgamberllëkut të tij kishte lënë gjurmë të thella te çdonjëri që e njihte atë. Personaliteti i tij ka qenë shëmbëlltyrë prej së cilës është mahnitur çdokush. Dihet fort mirë se nga ana e mekasve, atij edhe para Islamit, për shkak të sinqeritetit që kishte, i ishte dhënë emri el-Emin (i sinqerti, besniku).
Pra, morali i tij ishte prodhim i formatimit hyjnor, të cilin e kishte ndërtuar Allahu Madhëriplotë. Me fillimin e shpalljes kuranore, morali i tij i mrekullueshëm kishte kaluar përmes kullueses së Kuranit dhe kishte marrë një pamje edhe më të mrekullueshme nga ç’ishte. Në këtë kontekst, Kurani nuk është vetëm njoftues në lidhje me personalitetin e Muhamedit (a. s.), por ai njëkohësisht është edhe ndërtues i personalitetit të tij. Aisheja (r. a.), e cila aludon në këtë të vërtetë, kur e kanë pyetur për moralin e të Dërguarit (a. s.), është përgjigjur kështu: “Ju a nuk e lexoni Kuranin? Morali i tij ishte Kurani.” Morali i tij ishte Kurani, sepse ai ishte forma e Kuranit, e transformuar në njeri.
Dhe, siç dihet, pranë parimeve dhe bindjeve fetare, morali është një ndër shtyllat themelore të fesë. Posedimi i bindjeve të shëndosha, respektimi i kufijve të vendosur nga Allahu i Madhërishëm dhe zbukurimi me vete dhe vlera morale të shëndosha, krijon një personalitet dhe shoqëri madhështore. Nuk duhet harruar se vendosja e moralit dhe e edukatës në tokë ka qenë misioni parësor i të dërguarve të Zotit, ku i dërguari i fundit i fesë islame, Muhamedi (a. s.), ka thënë se jam dërguar për ta përsosur moralin te njerëzit. Prandaj, duke marrë parasysh të gjitha veçoritë e bukura të tij, vetitë e larta morale Allahu Madhëriplotë njerëzisë ia prezanton si “shembulli më i bukur”. Në të dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun. (Kuran: 33/21)
Figura e të dërguarit të Allahut është për të gjithë shembulli më i përsosur. Ai është shembull si prijës fetar, si kryetar shteti; është model me durimin e tij në kohët dhe rrethanat më të vështira. Ngase, personaliteti i Muhamedit (a. s.) ka bashkuar në vetvete përsosurinë morale etike që është në gjendje t’u japë përgjigje të gjitha kërkesave. Personaliteti i tij mund tu bëhet prijës dhe udhëzues i të gjitha etapave të jetës së njerëzve, të ndodhur në situata të ndryshme. Orientimi i tij është një dritë ndriçuese dhe e pagabueshme për çdo njeri që kërkon rrugën e drejtë. Ai është prijësi dhe mësuesi i vetëm i të gjithë njerëzimit. Rrethi mësimor i tij përbënte një kompleks që mblidhte individët më të ndryshëm të çdo shtrese njerëzore. Ai i mësoi ithtarët e vet që t’i duan dhe t’i respektojnë krijesat për hir të Krijuesit.
Ai i shndërroi njerëzit injorantë e vrasës në njerëz të kulturuar e qytetëruar; nga njerëzit me karakter mëkatar nxori njerëz të bindur; nga këta formoi një shoqëri jashtëzakonisht të mirë, në të cilën jetonin me dashurinë dhe respektin ndaj Allahut (xh. sh.). Ai ishte ngushëllimi i bonjakëve e i të vetmuarve. Me gjithë pozitën e vet tejet të lartë, ai u kujdes personalisht për njerëzit më të thjeshtë, më të zakonshëm e me nevojtarë, duke i ndihmuar ata më shumë me mëshirën dhe me dhembshurinë e tij të gjerë. Kurani famëlartë në suren Enbija, në ajetin 107, këtë fakt do ta shprehë kështu: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.”
Drejt Allahut (xh. sh.) dhe drejt njerëzisë
Thirrja e Muhamedit (a. s.) botëkuptimit fisnor të injorancës i hapi dy dritare: atë vertikale dhe atë horizontale; njëra – drejt Allahut dhe tjetra – drejt gjithë njerëzisë. Nga dritarja vertikale njeriu lidhet me Allahun me anë të besimit dhe të devotshmërisë. Përmes dritares horizontale njeriu lidhet me krijesat e tjera me moral dhe me edukatë. Matësi i devotshmërisë në fushën e fesë u përkufizua me bamirësi dhe me vepra të mira ndaj tjetrit.
Njeriu, me anë të ndërhyrjes hyjnore (vahjit), duke u zgjedhur mes qenieve të gjalla, është i obliguar me rindërtimin material dhe shpirtëror të tokës. Njeriu është krijuar me prirje dhe i hapur ndaj të vërtetës, ndaj të drejtës, ndaj të bukurës dhe ndaj të mirës dhe kjo përbërje është përforcuar me ndërgjegje, me vullnet dhe me mendje. “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.” (Kuran: 17/70) Kështu, pra, duke e nderuar njeriun, fuqia absolute i jep një pozicion të posaçëm atij mes qenieve të tjera. Këtë epërsi të njeriut e ka ekuilibruar përmes përgjegjësisë së tij. Për arsye se njeriu është i përgjegjshëm – i janë dhuruar aftësi përmes të cilave do ta çojë në vend përgjegjësinë. Mendja është në krye të këtyre dhuntive të dhuruara nga Krijuesi.
Nga ana tjetër njeriu, sa të jetë tëhuajësuar nga mendja e kthjelltë, po aq është tëhujësuar nga vetvetja; aq sa është tëhujësuar nga vetvetja, po aq është tëhujësuar nga Allahu dhe mesazhi i Tij. Dhe, pikërisht, sa herë që njeriu është larguar nga njerëzorja dhe hyjnorja, Zoti Madhëriplotë ka dërguar mesazhe përmes pejgamberëve, me të cilët e ka ftuar njeriun drejt njerëzores dhe hyjnores.
Njeriu nuk është qenie e dalluar nga gjallesat tjera vetëm pse mendon apo logjikon. Ai nuk manifestohet si qenie e mirëfilltë njerëzore vetëm kur mendon, por edhe atëherë kur shikon, kur dëgjon, kur dëshiron, kur dashuron, kur ndjen etj. Kur shikon një pikturë, ky nuk është vetëm një akt shqisor (natyror), ngase aty hyjnë në lojë edhe imagjinata, mendimet, ndjenjat e dëshirat. Së këndejmi, edhe në veprimet etike, me mendjen gërshetohen edhe ndjenjat e dëshirat. Në anën tjetër, parimet mendore nuk garantojnë a apriori karakterin njerëzor të veprimeve të tij. Janë parimet hyjnore që e formatojnë personalitetin e shëndoshë njerëzor. Me intelekt të zhveshur nga çfarëdo ndjenje apo larg parimeve hyjnore, njerëzit kanë kalkuluar dhe realizuar krimet më monstruoze. Shekulli XX (po edhe sot), me krimet masive të regjimeve totalitare, e dëshmon këtë më së miri.
Tani përballë aktualitetit bashkëkohor, edhe në këtë përvjetor të lindjes së tij le të kujtojmë përpjekjet që bëri i dërguari i Allahut një jetë të tërë. Të kujtojmë që ai është i dërguar i Zotit, që përcillte mesazhin hyjnor “kush vret ndokënd,…, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve”. (Kuran: 5/32) Le të kujtojmë për një moment se ai ishte i Dërguar si mëshirë për botët. Ai mësoi ithtarët e vet të përshëndeten me paqe, po edhe të bëhen gjeneratorë të paqes. Le të mendojmë qëndrimet e tij plot dhembshuri kur, në kohët më delikate e më të rrezikshme për të, përderisa i ishin vërë në dispozicion malet për të mundur dhe shkatërruar armikun, ai kurrë nuk u soll ashpër me njerëzit; madje, edhe kur mbeti në fushë të luftës me dhëmbë të thyer dhe me fytyrën tërë gjak, ai s’mallkoi, por uroi për të mirë. Vetëm momenti i çlirimit të Mekës, ku i fali edhe armiqtë më të përbetuar të tij, tregon personalitetin e tij madhështor, të brumosur me frymëzim hyjnor.
Përballemi me sfida shumë të rrezikshme
Andaj, ngjarjet që janë duke ndodhur në botën islame, tregojnë qartë se myslimanët në këtë fushë nuk janë duke e përcjellë shëmbëlltyrën e Muhamedit (a. s.). Jemi duke u përballur me sfida shumë të rrezikshme. Qëllimi thelbësor i Islamit është që njerëzit të cilët u takojnë racave, gjuhëve, ngjyrave, rajoneve, kulturave të ndryshme, t’i bashkojë përreth besimit, idealit, qëllimit të njëjtë; t’ua mundësojë atyre së bashku ta ndërtojnë faqen e dheut dhe të mënjanojë nga shoqëria njerëzore çdo lloj të armiqësisë dhe të përçarjes. Njeriu me anë të ndërhyrjes hyjnore, duke u zgjedhur mes qenieve të gjalla, është i obliguar me rindërtimin material dhe shpirtëror të Tokës. Mirëpo, fatkeqësisht, njerëzit sot filluan përçarjen ta quajnë fetari. Pejgamberi (a. s.) Islamin e ka përkufizuar si etikë/sjellje e mirë. Ai është i dërguar për plotësimin e virtyteve etike. Qëllimi i besimit dhe ibadetit në këtë botë është krijimi i individit etik dhe i shoqërisë etike. Në asnjë mënyrë fuqia e egër (vëllavrasja, lufta ndërmyslimane) nuk është burim i etikës. Fuqia që nuk i beson forcës etike, nuk ka mundësi të prodhojë të mirën, vlerën dhe virtytin.
Feja islame, në thelb, është përmbledhje dhe burim i të gjitha vlerave njerëzore. Por, nëse nuk vendoset në mënyrë të drejtë baraspesha midis dijes, besimit, ibadetit dhe etikës; nëse në fe përzihet hamendja, lakmia, interesi, keqpërdorimi; fetaria nuk do të prodhojë vlera, por do t’i konsumojë vlerat ekzistuese. Fetaria formale, që e ka humbur thelbin, që e ka braktisur përmasën shpirtërore, nuk mund të prodhojë vlera. Deri dje gjakun e myslimanëve e derdhnin të tjerët, ndërsa sot, fatkeqësisht, myslimanët e derdhin gjakun e njëri-tjetrit. Këto fakte të hidhura na vënë përballë pyetjeve: prej ku dhe si ka lindur një myslimanllëk i tillë? Kush i mësoi myslimanët të bëhen heronj duke vrarë myslimanë? Nga cilat burime u ushqyen dhe dolën në mejdan myslimanët që i drejtojnë armët ndaj njëri-tjetrit duke bërtitur “Allahu ekber”? Te cili pejgamber e morën këtë model të vepruarit?
Andaj, pavarësisht se rreth personalitetit të Muhamedit (a. s.) janë shkruar vëllime e vëllime librash, janë mbajtur konferenca e konferenca, gjendja e myslimanëve aktualisht dëshmon se akoma ka nevojë të bëhen studime serioze për t’u kuptuar thelbi i mësimeve dhe personaliteti i Muhamedit (a. s.). Edhe më tutje është e patjetërsueshme që ta hulumtojmë, ta njohim dhe ta ndjekim më mirë Pejgamberin e mëshirës, të dashurisë dhe të paqes.
Tema është publikuar edhe në numrin e tetorit 2021 të revistës “Hëna e Re”
Literatura e konsultuar
1. Ahmeti, Sherif, Kurani, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Medinë, 1993.
2. Shejh Vehbi Sulejman Gavoçi, Muhamedi (a. s.), jeta dhe vepra, Logos A, Shkup, 2011.
3. Muhammed Hamidullah, Muhamedi (a. s.), jeta dhe vepra, vëll. I-II, Logos A, Shkup, 2011.
4. Martin Lings, Muhamedi, jeta e tij sipas burimeve të hershme, Logos A, Shkup, 2011.
5. Osman Nuri Haxhiq, Muhamedi (a. s.) dhe Kurani, vështrim në historinë e kulturës islame, Logos A, Shkup, 2011.
6. Mustafa Islamoglu, Tre Muhameda; dy imagjinarë, një i vërtetë, Logos A, Shkup, 2011.
Comments are closed.