Përfundoi Konferenca për fenë dhe kombin

“Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”
Bashkësitë Islame Shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, respektivisht, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFIM), si edhe ato të trevave të tjera, si dhe përfaqësues nga komunitetet myslimane shqiptare të diasporës nga SHBA, Belgjika, Zvicra, Gjermania etj., me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe në kuadër të përkujtimit të figurave historike, që luajtën një rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e flamurit, shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar, bashkësitë tona prej disa muajsh kanë ngritur një grup pune të përbashkët për organizimin e konferencës shkencore  panshqiptare, e cila u zhvillua në datat 28-29 Shtator 2012 në Tiranë.
Në këtë konferencë, ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, si dhe zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe personalitete të tjera të larta të politikës, kulturës, artit dhe shkencat nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora.
Referuesit e kësaj konference ishin akademikë, studiues dhe pedagogë të njohur të katedrave të universiteteve më të njohura të trevave shqiptare, të cilët gjatë dy ditëve sa zgjati konferenca me punimet e tyre shkencore zbardhën rolin dhe kontributin e shumë figurave të ndritura të fesë Islame gjatë periudhës së kaluar qindra vjeçare.
Për sa i përket organizimit dhe rëndësisë së kësaj konference, e cila për një moment i shkriu kufinjtë dhe shpalosi të vërtetën ashtu siç e kanë përjetuar shqiptarët në 100 vitet e kaluara, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame të RM dhe njëherit një nga organizatorët e kësaj Konference, H. Afrim ef. Tahiri në fjalën e tij përmbyllëse vlerësoi maksimalisht punën e tre bashkësive fetare islame shqiptare, nën patronatin e të cilave u mbajt edhe kjo Konferencë.
Në vazhdim është fjala përmbyllëse e H. Afrim ef. Tahirit:
dsc04441
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
I nderuari Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, h. Selim Muça
I nderuar Myfti i Bashkësisë Islame të Kosovës h. Naim ef. Tërnava
I nderuari kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë Reis ul Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi
Të nderuar akademikë dhe studiues shqiptarë nga të katër anët e trojeve shqiptare
Të nderuar të pranishëm
Më lejoni që në emër të Këshillit Organizativ të konstatoj një përfundim të suksesshëm të kësaj Konference Shkencore Mbarëshqiptare “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar” organizuar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe në kuadër të përkujtimit të figurave historike të prijësve myslimanë nga tre bashkësitë tona islame, ku keni pasur rastin të zbardhni fakte historike, të ngrini lartë figurën dhe personalitetin e prijësve për kontributin e tyre të dhënë për iman e vatan, gjë që e përmendën shumë studiues, por mbi të gjitha patëm rastin të njihemi dhe të këmbejmë mendime e ide.
Meritë për këtë kanë tre krerët e bashkësive islame, h. Selim ef. Muça, h. Sulejman ef. Rexhepi dhe h. Naim ef. Tërnava.
Shfrytëzoj rastin të shpreh falënderime Kryeministrit Shqiptar Prof. Dr. Sali Berisha, që përkundër protokollit të tij të ngjeshur gjeti kohë për të përshëndetur këtë Konferencë dhe për të na dhënë përkrahjen morale.
Me këtë konferencë, duke folur mbi personalitetet e shquara shqiptare të kulturës islame, të cilët kryesisht ishin dijetarë, myderrizë, profesorë katedrash universitare, prijës politikë, deputetë, senatorë, ministra, kryetarë parlamenti etj, këtu në trojet tona dhe më gjerë, mbajmë bindjen që është ndriçuar një pjesë e historisë[ së lëvizjeve të mëdha kombëtare për liri e pavarësi, për ndërtimin e identitetit kombëtar, për ruajtjen e vlerave universale islame dhe trashëgimisë sonë të pasur. Kjo Konferencë edhe më na shtoi bindjen se e përbashkëta e këtyre personaliteteve ishte sublimimi i besimit dhe dashuria për atdheun.
Të nderuar të pranishëm,
Ne patëm guximin për tu angazhuar në organizimin e kësaj konference shkencore,  ngase kishim bindje se akademikët,  studiuesit, hulumtuesit, historianët si ju do të vijnë me të dhëna, dokumente dhe tema të rëndësishme, të argumentuara, që duhet të prezantohen, të cilat shumë shpejtë, para festës së 28 nëntorit të shohin dritën e botimit në një përmbledhje të punimeve të kësaj konference, të mbështetura nga tre bashkësitë islame, e cila do zë vend të rëndësishëm në bibliotekat tuaja dhe në bibliotekat kombëtare në Tiranë, Shkup, Prishtinë, etj.
Prandaj ju ftoj që kjo Konferencë të jetë shkas për bashkëpunimin tone të mëtutjeshëm për të nxjerrë nga pluhuri i harresës edhe i personaliteteve të tjera që kanë dhënë kontribut për gjuhën, kombin dhe shtetin.
Krejt në fund, në emër të Këshillit Organizativ si dhe në emër të tre bashkësive islame, urime 100 vjetorin e pavarësisë.
dsc04451
Tiranë,
29.09.2012
Afrim Tahiri
Sekretar i Përgjithshëm i BFIM

Comments are closed.