OSBE e shqetësuar për Xhaminë Burmali

Të mërkurën, 25 maj, një delegacion i OSBE-së,  i përbërë nga zv/ambasadorja Natalya Drozd dhe Piere Oldoni, shef i Njësitit Monitorues,  vizitoi Bashkësinë Fetare Islame dhe u takua me Reis-ul-Ulemanë,  H. Sulejman ef. Rexhepi.
Reis-ul-Ulema ef. Rexhepi fillimisht të pranishmit i njoftoi me veprimtarinë e BFI-së dhe me rolin e saj në ruajtjen e unitetit të të gjithë muslimanëve në vend,  si dhe kontributin që BFI po jep në vazhdimësi për zhvillimin e tolerancës dhe të bashkëjetesës në Republikën e Maqedonisë.
Në këtë frymë, mysafirët e OSBE-së shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me Xhaminë Burmali dhe kërkuan qëndrimin e BFI-së rreth kësaj çështjeje.
dsc00804
Reis-ul-Ulemaja e siguroi ambasadoren e OSBE-së se Bashkësia Fetare Islame asnjëherë nuk do të heqë dorë nga Xhamia Burmali dhe se BFI ka kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë që t’i ndahet toka, njësoj dhe me kushte të njëjta, siç i është ndarë Kishës Ortodokse Maqedonase vendi në qendër të Shkupit.
Nga ana tjetër, nëse dikush tenton që ta zaptojë dhe të ndërtojë ndonjë objekt “militarist” – siç ishte “Oficerski dom”, atëherë Bashkësia Fetare Islame e RM, do t’i thërrasë të gjithë muslimanët e vendit që të dalin në mbrojtje të historisë dhe kulturës islame në vend dhe nuk do të lejojë askënd që ta varrosë këtë kulturë.
Gjithashtu, temë e bisedës me miqtë e OSBE-së ishte edhe fushata zgjedhore dhe qëndrimi i BFI-së në këtë aspekt. Reis-ul-Ulemaja, ef. Rexhepi,  i siguroi mysafirët se BFI është një institucion apolitik dhe nuk do të avancojë asnjë parti politike apo politikan gjatë fushatës zgjedhore. Por, nga ana tjetër, BFI është e interesuar që në vend të ketë zgjedhje të qeta dhe demokratike, për shkak të aspiratave dhe interesave më madhore të vendit.

Comments are closed.