Opinion: Puçistët e vetëdekonspiruar

Populli shqiptar, përgjithësisht, i gëzohet sulmeve, lëvizjeve revolucionariste, përpjekjeve të reja! Sulmi i sotëm në BFI i puçistëve është i vetmi të cilin mbarë popullata shqiptare, anekënd botës, e kanë pritur me ankth, me trishtim e të përlotur, me një dëshirë të flaktë që kurrë të mos kishte ndodhur! Tani kur me padurim po pritet zbardhja e njollës më të rëndë që iu mvesh, ajo e “Monstrës”! Kush janë këta që po dëshirojnë ta amortizojnë këtë problem? Kush ua dha këtë detyrë? Haram ju qoftë

Mbledhja e sotme e Rijasetit, që për shkak të kushteve të jashtëzakonshme u deshët të mbahet në lokalet e Fakultetit të Shkencave Islame, në sipërfaqe nxori dy të vetmet të vërteta: 1) Kompaktësinë absolute të Rijasetit, angazhimin e të gjithë organeve të BFI për ta dëshmuar unitetin dhe për ta legjitimuar tërë punën e parreshtur të Reisul Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi, në zhvillimin e jetës fetare islame në vend. 2) Aspiratat djallëzorë të dy-tre personave verbërisht të sëmurë për karrierë, të cilët, fatmirësisht u vetëdekonspiruan deri në palc duke na u shpërfaqur në dy kreatura monstruoze: a) në anarkistë të zgjebosur (çka thotë islami për anarkistët?) dhe në masha të atyre shërbimeve të cilat tash e sa kohë, pa pushuar, e sulmojnë simbolin e unitetit fetar islam të vendit, Bashkësisë Fetare Islame dhe kryetarin e saj.
Po kush janë këta puçistë? Në fakt, është pikëpyetje se sa mund të quhen puçistë të gjithë ata që vetëdekonspirohen përmes veprimit të tyre anarkist? Po çka dëshirojnë të arrijnë tipat e tillë, të cilët në mungesë absolute të kapaciteteve intelektuale përdorin mekanizmin e thyerjes dhe të shkatërrimit. Asgjë! Tipat e tillë nuk kanë synim, por detyrë, nuk kanë ideal por urdhër, nuk kanë vizione por kanë dizgjina, nuk kanë tru por kanë tutor që i dikton kah duhet të shkojnë dhe çka duhet të bëjnë.

Se çka duhet të bëjnë kjo tashmë u pa! Duhet ta shkatërrojnë Bashkësinë Islame, duhet ta thyejnë e ta copëtojnë, ta uzurpojnë e ta vjedhin me nja 40 hajdutë të tjerë. Këta puçistë, a iu treguan hajdutëve se për një mision të tillë djallëzor, për përdhosjen e një institucioni të kategorisë kushtetutare dënimi lëvizë prej 10-15 vjet burg? Është mirë që të vetënënshkruajnë burgim të përjetshëm, sepse nuk i kanë lënë kund vend fytyrës së tyre dhe nuk ka solucion që mund t’ua pastrojë. U bënë berbat, për gjynah! Dy-tre persona të ndëshkuar për mosdisiplinë të ngriten dhe të kundërpërgjigjen me forcën e shkatërrimtarit, me forcën e kujdestarit të përhershëm të rrënimit të BFI-së, vërtet kjo nuk do koment. Kësaj loje i vie erë e përzierjes konspirative të më shumë shërbimeve, ndërsa aletët sapo i gjetën. Po këto shërbime u desht të llogarisin se kurtonët janë për njëpërdorim, pasi të hidhen nuk i shërbejnë askujt, as qenit madje.

Me vite e vite përpjekje për ta detronizuar Bashkësinë Fetare Islame, ndërsa këto sulme janë intensifikuar sidomos kur në krye të saj vie një njeri kombëtar, një njeri i papërkulur në dëm të interesave të popullit të vet, një njeri që në palc ua njeh politikat antishqiptare e antisilame tërë asaj “aradhe luftëtarësh” kundër BFI-së. Dhe më në fund, i gjetën dy-tre individë të cilët deri dje i shkonin si zagarë pas Kryetarit aktual të BFI-së. Vërtet, a i njeh kush se kush janë këta dy-tre personat! Emrat e tyre po lakohen nëpër mediat e vendit! Po e përmendin emrin e një bukuroshi, emir i të cilit nuk do të thotë asgjë për shqiptarët dhe për muslimanët e vendit. Ky emër dikur kishte kuptim për H. Sulejman ef. Rexhepin, deri sa e kishte lënë si sekretar të BFI-së me të vetmin qëllim që t’ju japë shans edhe të rinjëve që të dëshmohen. Dhe ky, në fund, u dëshmua se është i tmerrshëm për karrierë. Po të ishte ndryshe, do ta respektonte vendimin e “babës” dhe, do ta ulte bishtin nën shalë e do ta vazhdonte punën për të mirën e islamit. Ish-myftiu i Shkupit!!! Çka thotë ky emër për islamin shkencor apo për shkencat islame, çka thotë për aktivitetet kombëtare! A mos e ka hasur kush në ndonjë punim akademik, në ndonjë ligjeratë profesionale, apo në ndonjë muhabet ku e ka ndritur vendin! Cilat janë kualitetet e tij me të cilat ai sot mund t’i japë të drejtë vetes që një million myslimanëve të vendit “t’ua përcaktojë reisin e ardhshëm”! Janë normal këta njerëz! Kështu mendojnë se do të mund të luajnë me popullatën e vendit! Po përmendet edhe një emër fare i palakueshëm, një emër që nuk e njeh askush dhe që nuk dihet se cili është kontributi i tij minimal për islamin e vendit.Njëfarë semibukuroshi! Phiiii! Dhe, këta “TRE MUSKETARË”, apo ky farë treshi-përsheshi mendojnë se do t’ua imponojnë ambiciet e tyre anarkike të gjithë teologëve të vendit, të gjitha organeve, të gjitha institucioneve të BFI-së?

Nuk bëhet fjalë këtu për kurrfarë ambiciesh të shëndosha, por, thjesht, për përpjekje për ta sendërtuar një plan shkatërrimtar të armiqve të BFI-së. E pamundshme, natyrisht që është e pamundshme, dëshpërimisht dështuese edhe një herë, sepse, gravitacioni i unitetit kombëtar ngre vetëm kah qendra, kah boshti i pathyeshëm, kah H. Sulejman ef. Rexhepi. Ky personalitet tashmë pas vetes ka histori, ka gjurmë, ka rezervuar një hapësirë të konsiderueshme të faqeve të cilat u përkasin personaliteteve të kombit. Po këta puçista? Që në hapin e parë të tyre dështuan. U skualifikuan qoftë edhe nga margjinat e ndonjë letre të thjeshtë kujtimi. Populli shqiptar, përgjithësisht, i gëzohet sulmeve, lëvizjeve revolucionariste, përpjekjeve të reja! Sulmi i sotëm i këtyre puçistëve është i vetmi të cilin mbarë popullata shqiptare, anekënd botës, e kanë pritur me ankth, me trishtim e të përlotur, me një dëshirë të flaktë që kurrë të mos kishte ndodhur!

Vërtet, çka dëshirojnë dhe ku synojnë të shkojnë këta të vetëdekosnpiruar? Se çka dëshirojnë kjo u pa, ndërsa ku do të shkojnë – o le të shkojnë në të samës, vetëm le ta lënë popullin rehat. Populli mezi po e pret të zbardhet njolla më e rëndë që iu mvesh, ajo e “Monstrës”! Kush janë këta që po dëshirojnë ta amortizojnë këtë problem? Kush ua dha këtë detyrë? Haram ju qoftë…handwriting-quill-pen-granger

Comments are closed.