OH “Hilal” ndihmon të izoluarit nga Covid-19
Me pëlqimin, mbështetjen dhe bekimin e Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, dhe të Letrës qarkore të Rijasetit të BFI-së nr. 03-130 të datës 22.03.2020, OH “Hilal” e BFI-së ka filluar më 24 mars, 2020, aksionin e madh, të përditshëm, të ndihmave me paketa ushqimore dhe higjienike për familjet me gjendje të rëndë sociale, të izoluara nga pandemia e koronavirusit (Covid-19).
Aktivistët e OH “Hilal” kanë dalë në terren dhe po shpërndajnë pako me produkte ushqimore dhe mjete higjienike për familjet e mbyllura nëpër shtëpitë e tyre shkaku i sëmundjes dhe i gjendjes së jashtëzakonshme në vend – ka theksuar kryetari i saj, mr. Mustafa ef. Dauti. Ai po ashtu ka thënë se organizata humanitare e BFI-së është duke e ndjekur nga afër situatën, janë regjistruar shumë nevojtarë që kanë nevojë për ndihmë, “Hilali” do të jetë për çdo ditë në terren që të ndihmojë për aq sa ka mundësi, duke bërë thirrje që kategori të mirëgjendura të shoqërisë t’i bashkohen aksionit, të solidarizohen me skamnorët dhe me ata që po vuajnë shkaku i shtrëngesave të pandemisë, me qëllim: kapërcimin sa më të lehtë të situatës.
Aksionet e OH “Hilal” shtrihen në të 13-të myftinitë e BFI-së në RMV dhe gjithçka shkon në bashkëpunim me kujdestarët e të gjitha xhamive në vend, të caktuar mbi bazë të Letrës qarkore të shpërndarë nga Rijaseti pas shpërthimit të hovshëm të koronavirusit në vend. Nga BFI bëjnë thirrje që njerëzit të bëjnë gajret, të ruajnë qetësinë dhe besimin dhe të presin ndihmën e OH “Hilal” dhe të Zotit të madhërishëm.
Comments are closed.