OH Hilal ndihmon refugjatët që tranzitojnë nëpër Maqedoni

Zbutja e golgotës Siriane

Organizata Humanitare Hilal, e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame dhe e cila njëherit është një ndër organizatat më aktive në vend, të Hënën më datë 15.06.2015 ndërmori një aksion humanitar për të ndihmuar refugjatët nga Siria dhe Iraku të cilët tranzitojnë nëpër vendin tonë, për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Ditë më parë, mediumet e vendit bënë të ditur se qindra refugjatë të cilët po tranzitojnë nëpër vendin tonë po përballen me golgotën më të madhe të udhëtimit të tyre. Shpesh herë ata po bien pre e kriminelëve që i plaçkitin, dhe nuk janë të vogla rastet kur ata po trajtohen jo njerëzisht nga zyrtarë të vendit tonë, me përbuzje të madhe dhe padrejtësi të paparë, madje kishim edhe shumë raste ku jeta e tyre përfundonte pikërisht në këtë autostradë të vdekjes, e cila fillonte nga kufiri me shtetin fqinj Greqinë e përfundonte me të hyrë në Serbi. Shumë individë që nuk kanë as din e as iman, u përpoqën të përfitojnë nga dhembja e tyre, duke e shndërruar vendin tonë në një arenë të padëshirueshme për personat që i ka braktisur edhe fati.
Duke pasur parasysh se BFI në një periudhë jo të largët përjetoi një sulm të pandershëm nga individë të cilët tashmë janë inkriminuar me aktet e tyre, pastaj edhe konfliktit e përgjakshëm që ndodhi në lagjen e trimave në Kumanovë, OH Hilal e kishte të pamundur që të reagon menjëherë për tu dalë në krah këtyre njerëzve për të cilët po reagojnë edhe institucionet më në zë në Botë, siç është Agjencia Amnisti Internacional, një prej organizatave më të mëdha të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, e cila ka deklaruar se liderët maqedonas duhet të ndihen të turpëruar nga gatishmëria e tyre pothuajse inekzistente për të ndihmuar refugjatët sirianë. Kjo Agjenci madje ka kritikuar edhe liderët e vendeve të BE-së.
Sipas të dhënave, vetëm dhjetë vende anëtare të BE-së kanë ofruar që të pranojnë refugjatët sirianë dhe në total, numri i përgjithshëm që këto vende kanë vënë në dispozicion është vetëm për 12 mijë persona. Ndërsa qendra për strehim të refugjatëve në Gazi Babë, tashmë është e stërmbushur dhe sipas të dhënave nga mediumet tanimë është shndërruar në një qendër vuajtje për këta njerëz të cilët të mbyllur më keq se në burgjet më të izoluar të vendit.
Aktualisht, shifra e refugjatëve të larguar nga Siria po i afrohen 2,5 milionë banorëve, të sistemuar kryesisht në vendet kufitare, ku janë shndërruar në një barrë tejet të rëndë për buxhetin e këtyre shteteve.
Një numër i madhe i këtyre refugjatëve, në mënyrat më të vështira, duke ecur në këmbë, apo duke huazuar biçikleta, kanë vendosur që të drejtohen nëpër vendet e Evropës. Tërë rruga nacionale që lidh Greqinë dhe Serbinë është shndërruar në një golgotë të vërtetë për këta refugjatë. Pamjet ku dhjetëra njerëz, me këmbë të përgjakura ecin në këmbë apo me biçikleta në çdo cep të rrugës, tashmë janë bë pamje normale, por ajo çka bie në sy, është se askush nuk përpiqet të kujdeset për ta, për ti ndihmuar në formë të organizuar ti transportojë nga njëri cep i vendit, në cepin tjetër. Ata janë lënë në mëshirën e fatit të tyre dhe në mëshirën e keqbërësve, numri i të cilëve dita ditësh po shtohet, për shkak të mungesës së autoriteteve për të siguruar një qarkullim të sigurt për këta njerëz. Shpesh herë, refugjatët ankohen se policia nuk i lejon të udhëtojnë me trena, apo autobusë. Madje ka pasur shumë raste kur shoferët e makinave që i kanë transportuar të dënohen apo të akuzohen për tregti me njerëz, apo akuza të tjera të cilat e pamundësojnë ndihmën ndaj këtyre njerëzve.
Për këtë Arsye, disa ekipe të OH Hilal të udhëhequra nga Kryetari i saj, Mustafa Dauti ndërmorën një aksion, nga Gjevgjelia e deri në Kumanovë, duke shpërndarë pako me ushqime të ndryshme, sanduiçë, pashteta, bukë, lëngje e gjësende të ndryshme, ushqime speciale për fëmijë, me qëllim që tu dilet në ndihmë këtyre njerëzve të cilët po kalojnë nëpër vendin tonë për ti shpëtuar vdekjes dhe për të gjetur një jetë më të mirë… Aksionet e tilla siç informojnë nga kjo organizatë humanitare, do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, duke pasur parasysh se dita ditës po ngrihen temperaturat, ndërsa qarkullimi i tyre gjithmonë po bëhet më i rëndë.
Shërbimi për Informim i BFI

hh hhh hilal

Comments are closed.