OH “Hilal” ndërmori aksion humanitar për jetimët

Të martën më 15 Maj, 2012, Organizata humanitare “Hilal” e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame në RM, ndërmori një aksion humanitar për të ndihmuar jetimët dhe skamnorët e rajonit të Komunës së Likovës dhe Kumanovës.
Me fillimin e stinës së Pranverës, filloi edhe stina e humanizmit për këtë Organizatë, ku gjatë shpërndarjes së ndihmave u paralajmërua një stinë e mbushur me plot aktivitete humanitare nga aktivistët e OH “Hilal”
Me këtë rast kryetari i OH “Hilal” – Mustafa Dauti edhe një herë përsëriti amanetin dhe Obligimin e marrë nga BFI-ja dhe u kujtoi të gjithë të pranishmëve se: “Humanizmi është dashuria ndaj të tjerëve dhe veçori e karakterit të mire, prandaj çdo mysliman i vërtetë doemos duhet ta ketë të zhvilluar ndjenjën e humanizmit ndaj njerëzve”. Ai më tej bëri të ditur se po vazhdohet me punë në segmentin më të rëndësishëm të kësaj organizate, pra në realizimin e aktiviteteve socialo-humanitare, të cilat për momentin janë më se të nevojshme, pasi kriza ekonomike ka bërë të veten.
dsc01626
Aksioni humanitar u zhvillua nga objekti i Muftinisë së Kumanovës, ku edhe vepron edhe dega e OH “Hilal” për Kumanovë dhe rrethinë, me ç’rast u ndanë disa tonelata me artikuj ushqimorë për 310 familje.
Në këtë aksion, përveç Kryetarit të OH Hilal Mustafa Dauti dhe operativën e tij, i pranishëm ishte edhe Kryetari i Shoqatës së Ulemave Rexhep ef. Ziberi dhe Kryetari i Degës së OH Hilal –Kumanovë, Orhan ef. Fejzuli.
dsc01631
Kreu i “Hilal”, ef. Dauti para të pranishmëve shpjegoi se Bashkësia Fetare Islame  në Kushtetutën e saj,  si parim kryesore i ka  vënë vetes për obligim  që të pengojë dhe zbutë vuajtjen njerëzore kudo qoftë, të mbrojë jetën dhe shëndetin, të sigurojë respekt dhe dinjitet për qenien njerëzore, të punojë për avancimin e mirëqenies shëndetësore dhe sociale të njerëzve, të nxitë angazhimin vullnetar dhe gatishmërinë e përhershme për dhënien e ndihmës si ndjenjë universale për solidaritet dhe humanizëm.
“Duke u bazuar në këtë porosi të Allahut xh.sh, Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame dhe Organizata Humanitare Hilal gjithmonë do të kontribuon për përmirësimin e sigurisë sociale të qytetareve, posaçërisht të personave të cilët nën ndikimin e disa faktorëve të pavolitshëm të jashtëm kanë nevojë për ndihmë për tejkalimin e problemeve me të cilat ballafaqohen”, potencoi ef. Dauti në një prononcim për mediumet, I cili edhe një herë publikisht I falënderoi donatorët, e posaçërisht vëllezërit tanë në diasporë, gjegjësisht Unionin e Imamëve në Zvicër si dhe Qendrat Fetare Islame në Zvicër, të cilët e mbështesin fuqishëm OH “Hilal”.
Sektori për Informim I BFI-së 

Comments are closed.