OH “Hilal” e ka institucionalizuar shpirtin tonë human

mustaf....
OH “Hilal” e ka institucionalizuar shpirtin tonë human

“T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë; por, t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni.” (El Bekare, 271)

Nga Mustafë Dauti

Muaji i Ramazanit, përveç që është Muaj i Agjërimit, është edhe muaj i mëshirës, i rahmetit. Jo rastësisht Allahu (xh. sh.) mëshirën në këtë muaj e ka ngritur në nivelin e agjërimit, ibadetit, që bëhet ekskluzivisht për Të. Allahu i porosit të gjithë ata që, për shkaqe shëndetësore apo për shkaqe të tjera nuk mund të agjërojnë, mund ta kompensojnë këtë, duke ushqyer një të varfër për çdo ditë agjërimi. Domethënë, humaniteti, solidariteti me një të varfër është i përmasave të një lutje që bëhet për Krijuesin tonë të Plotfuqishëm.
Së këndejmi, jemi dëshmitarë se, pikërisht në këtë muaj del në sipërfaqe, si asnjëherë më shumë, shpirti ynë human. Gjatë këtij muaji shpërthen solidariteti dhe dalin në shesh vetitë tona humane. Shikuar nga ky prizëm, ashiqare shihet që, krahas shtimit të aktiviteteve fetare me qëllim për ta shënuar denjësisht këtë Muaj të Bekuar, ne obligohemi që ta shtojmë po kaq edhe aktivitetin tonë për humanitet dhe solidaritet. Dhe ne, myslimanët e Maqedonisë, e bëjmë këtë. Viteve të fundit, ndonëse po duken si risi, megjithatë, po organizohen disa aktivitete të mira me iftare të përbashkëta për skamnorët, me kuzhina popullore enkas për ata që agjërojnë, por që nuk kanë se me çka të bëjnë iftar!
Por, ky gjest human, në asnjë mënyrë nuk guxon të na hutojë dhe të na bëjë që të kënaqemi me kaq. Sepse, varfëria është një kategori shumë shtresore, prek në mënyra të ndryshme, shpërfaqet në mënyra nga më të trishtueshmet. Madje, ka familje që e ndjejnë për turp që të dalin e të shtrijnë dorën e lëmoshës. Pikërisht këtë familje duhet pasur nën përkujdesje dhe kjo mund të arrihet jo duke e detyruar atë të vijë te ne, por duke shkuar ne tek ai i varfër apo tek ai i ngratë.
Shqiptarët, popullata jonë myslimane, sapo ka dalë në selamet ka insistuar në institucionalizimin e humanitetit, të cilin e kemi në shpirt. Shqiptari mysliman e di shumë mirë peshën e varfërisë, trishtimin e skamjes, ndaj dhe gjithnjë është angazhuar që të funksionojnë bamirësi që përkujdeset për të varfrit, pa e vënë në siklet dhuruesin për ta fshehur dorën që jep.
Institucioni i Bashkësisë Fetare Islame në RM këtë kërkesë të shtresës së kamur e ka zgjidhur përmes formimit të organizmave të vet humanitarë, të cilën së fundmi e ka ngritur edhe në Organizatë Humanitare të pagëzuar “HILAL”. Shumëkush mendon se OH HILAL është një organizatë klasike, e cila merret me shpërndarjen e ndihmave humanitare. Kjo po se po, por, ka edhe një mision tjetër shumë kombëtar. Humaniteti është akt individual. Këtë akt mund ta kryejë çdonjëri që ka pak mundësi më të mira se një i varfër. Humanitet do të thotë kur heq dorë nga një pjesë e pasurisë sate, për t’ia zbutur sado pak momentin e vështirë një të varfri. Por, mos të harrojmë se nëse ekziston një vend akumulues i tërë asaj që e jep dora e shtrirë, atëherë mundësitë e ndihmave humanitare do të jenë edhe më të shumta, më të shpeshta dhe më të gjithanshme. OH HILAL i BFI-së ka dëshmuar se ndihmën e ofruar nga të pasurit ka ditur fort mirë ta menaxhojë, edhe atë nga një paketë modeste me disa artikuj ushqimorë e deri në shtëpi të reja. Kjo, falë pikërisht humanizmit të institucionalizuar. Me këtë gjest, jo vetëm që zgjatet dora e ndihmës, por, mbi të gjitha, ruhet, kultivohet dhe dëshmohet shpirti humanitar i shqiptarit mysliman. Vetëm ndihma e shpërndarë përmes organizatës humanitare mund të ketë efektin e duhur. Përmes institucionalizimit të aktivitetit humanitar, në asnjë mënyrë nuk synohet që të vihet në pozita të vështira akëcili i varfër, por, synohet të demonstrohet shpirti human, i cili ka rrënjët në traditat kombëtare, si dhe në rregullat e shenjta fetare islame.
Opinioni i vendit është dëshmitar se OH HILAL gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit gjithnjë ka zhvilluar aktivitete masive humanitare, kjo falë donatorëve të ndryshëm, falë qytetarëve tanë, të cilëve Zoti ua ka dhënë pasurinë dhe falë shpirtmirëve që nuk i zë gjumi nëse nuk e bëjnë një akt human. Po e theksojmë, falë donatorëver dhe assesi nuk ia lejon vetes të prek në kontribute të tjera, siç janë fitri e zeqati, të cilat i takojnë ekskluzivisht BFI-së, që me këto kontribute mirëmban institucionet fetaro-arsimore si dhe zhvillon jetën islame në vend.
Edhe në prag të këtij muaji OH HILAL i ka aktivizuar të gjitha kapacitetet e veta që të jetë në shërbim të vullnetit human dhe të shkojë në çdo shtëpi të familjeve të varfra, për t’ua zbutur sado pak brengën e mospasjes. Obligimi ynë fetar e kombëtar është që mos të lejojmë asnjë pjesëtar tonin që, të paktën, në këtë muaj të ndjehet i vetmuar.
Ajetin që e sollëm në krye të shkrimit mund ta zbatojmë pa kurrfarë problemi përmes OH HILAL. Kushdo që jep një lëmoshë haptazi, bën mirë; por, nëse atë lëmoshë e jep fshehurazi, do të bëjë edhe më mirë. Askush nuk ka nevojë që të fsheh dorën, që të ngurrojë apo që të sikletoset vetë gjatë dhënies së ndihmës. OH HILAL vepron në emër të të gjithë myslimanëve të vendit, por edhe të donatorëve. “… Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni!”

(Autori është Kryetar i OH HILAL)

Comments are closed.