Të mërkurën më datë 15 maj 2013 Organizata Humanitare Hilal e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame në bashkëpunim me Kompaninë Kozhuvçanka ndërmorën një aksion humanitar me ç’rast shpërndanë 300 pako për skamnorët e Shkupit dhe rrethinës.
Përpara se të fillonte shpërndarja e pakove, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi pranoi Drejtorin Gjeneral të Kozhuvçankës, z. Mitko Jançev, të cilit në emrin e OH Hilal i dorëzoi një mirënjohje për bashkëpunimin dhe për angazhimin e tij dhe kompanisë që ai drejton në sferën e humanizmit. Gjithashtu Kryetari i BFI-së të pranishmëve u shpërndau edhe nga një ekzemplar të Kuranit të Famshëm në gjuhën maqedonase. Më pas, në prezencën e mediumeve të vendit u bë edhe shpërndarja e pakove, të cilat ishin në përbërje të produkteve ushqimore, materialeve higjienike dhe pijeve freskuese të shoqëruara me nga një pako të ujit të famshëm të kompanisë Kozhuvçanka.
“Më lejoni që fillimisht ta përshëndes Drejtorin Gjeneral Mitko Jançev, bashkë me stafin e tij të cilët gjenden sot në selinë e BFI-së dhe po donojnë këto ndihma për skamnorët e regjistruar në BFI”, tha mes tjerash Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili shtoi se: “Kompania Kozhuvçanka iu përgjigj pozitivisht kërkesës tonë për tu dalë në ndihmë familjeve që kanë në nevojë nga Shkupi dhe rrethina, e për këtë u jemi mirënjohës.
Në fjalimin e tij, z. Mitko Jançev, falënderoi Reisul Ulemanë dhe Organizatën Humanitare Hilal për bashkëpunimin e parezervë. “Falënderoj Kreun e BFI-së H. Sulejman ef. Rexhepin dhe Organizatën Humanitare Hilal, të cilët na ndihmuan parezervë në shpërndarjen e ndihmave. Ne si kompani jemi drejtuar në adresën e qëlluar dhe prandaj e kemi ndërmarrë këtë hap në sferën e humanizmit”, tha mes tjerash Drejtori Gjeneral i Kompanisë Kozhuvçanka.
Më tej, Kryetari i Organizatës Humanitare Hilal, Mustafa ef. Dauti njoftoi të pranishmit për përbërjen e pakove mënyrën e shpërndarjes.
“Sot po bëjmë shpërndarjen e 300 pakove humanitare, të cilat përbëhen nga produkte ushqimore, materiale higjienike dhe pije freskuese. Lista është e përbërë nga emrat e 300 kryefamiljarëve, ndërsa shpërndarja bëhet në formë vetanake, apo të organizuar. Këshillat e xhamive të ndryshme të Shkupit, kanë sjellë listat me emrat e nevojtarëve që jetojnë në rajonet e tyre dhe kështu në formë te organizuar u dërgohen paketat. Gjithashtu një numër i madh i skamnorëve kanë ardhur vetë pasi që u kemi bë thirrje nëpërmjet telefonit. Urojmë që aksione të tilla të ndërmarrim edhe në të ardhmen, me qëllim që sadopak të zbusim varfërinë në vendin tonë”.
Comments are closed.