Obligimi i besimtarëve, dritë e arsimit

Intervistë: Ibrahim Idrizi, drejtor i SHMI Medreseja Isa Beu- Shkup
Marrë nga aspekti social, Kurban-Bajrami paraqet gëzim për të gjithë pjesëtarët e besimit islam. Ndonëse të gjithë muslimanët nuk kanë mundësi të presin kurban, atëherë Mëshira e Allahut  ka dashur që të gjithë ata që kanë mundësi për të prerë kurban  t’i obligojë me këtë detyrë dhe në këtë mënyrë të tregojnë dashuri konkrete dhe solidaritet ndaj të varfërve, të afërmve dhe,  para së gjithash, ndaj  Bashkësisë Fetare Islame, respektivisht  institucioneve të saj edukative-arsimore, shprehet drejtori i Medresesë Isa Beu në Shkup.
ibrahimii
Intervistoi: Valbona ZUNÇE
Hëna e Re: Jemi në prag të festës së Kurban-Bajramit. Cili është qëllimi i Kurbanit dhe si duhet ta kuptojnë besimtarët këtë akt?
-Festa e Kurban-Bajramit paraqet momentin më madhështor dhe shumë domethënës  për çdo besimtar islam. Të gjitha festat në fenë islame kanë domethënien e vet dhe janë të ndërlidhura ngushtë me ndonjë rast të kryerjes së ndonjë detyrimi-obligimi (farzi, vaxhibi etj.). Kështu që edhe kjo festë,  përveç tjerash,  është e ndërlidhur ngushtë,  në mënyrë të drejpërdrejtë,  me urdhëresën e prerjes së Kurbanit,  që paraqet shkallën më të lartë të përkuljes, nënshtrimit dhe dëgjueshmërisë ndaj  Allahut (xh. sh.).
Therja e Kurbanit,  veç tjerash,  përmban në vete domethënien pedagogjike-humanitare dhe atë sociale. Pra, të gjitha obligimet fetare, veç tjerash,  kanë për qëllim të edukojnë dhe të përgatitin muslimanin për kryerjen e veprave të mira dhe të dobishme, në të mirën dhe dobinë e bashkësisë  islame të tij.   Pra, kjo urdhëresë islame ka kuptimin dhe rëdësinë shumëdomethënëse  dhe qëllimi i tij final është fitimi i Mëshirës së Allahut  (xh. sh.) dhe afrimin me Allahun  fuqiplotë (Tekarrub-Ilall-llahi), ngase edhe vetë fjala KURBAN  do të thotë  afrim. Marrë nga aspekti social,  mund të themi se Kurban-Bajrami paraqet gëzim për të gjithë pjesëtarët e besimit islam. Ndonëse të gjithë muslimanët nuk kanë mundësi të presin kurban, atëherë Mëshira e Allahut  ka dashur që të gjithë ata që kanë mundësi për të prerë Kurban  t’i obligojë me këtë detyrë dhe,  në këtë mënyrë,  të tregojnë dashuri konkrete dhe solidaritet ndaj të varfërve, të afërmve dhe,  para së gjithash, ndaj  Bashkësisë Islame, respektivisht  institucioneve të saj edukative- arsimore (Medresesë Isa Beu dhe Fakultetit të Shkencave Islame).
Hëna e Re: BFI vite me radhë mban në jetë tempullin e shenjtë të dijes dhe të diturisë, Medresenë Isa Beu në Shkup dhe degët e saj në Tetovë, Gostivar e Shtip. Në ç’mënyrë tjetër ndihmohet ekzistenca e këtij tempulli? 
-Siç është e ditur,  Medreseja Isa Beu  punon dhe po i plotëson afër 28 vjet të funksiononimit të saj  në vendin tonë dhe me plot  bindje  dhe krenari mund të themi se ka luajtur një rol të ndritshëm  dhe të pamohueshëm  në rrugën e edukimit dhe të arsimimit  të  shumë gjeneratave të reja dhe se sot ata (nxënësit  e Medresesë) paraqiten edukatorët dhe mësuesit më të mirë në shpjegimin, qartësimin e të vërtetave të fesë islame dhe të vlerave të mirëfillta  morale njerëzore në mjediset ku ata punojnë dhe veprojnë. Duke pasur parasysh rëndësinë dhe rolin e madh që ka arsimi dhe edukimi  për një popull,  Bashkësia Fetare Islame po e zgjeron rrjetin e shkollimit  edhe nëpër qytete të tjera të Maqedonisë,  si p. sh. me hapjen e Paraleleve të shtrira për vajza në Tetovë, Shkup e Gostivar, si dhe atë për djem në Shtip. Shkollimi i nxënësve në Medrese është falas-pa pagesë dhe të gjitha harxhimet i bart Bashkësia Fetare Islame përmes  detyrimeve fetare siç janë: tubimi  i  zeqatit, sadaktul-fitrit, kurbanëve, lëkurave të kurbanëve etj. Shteti aspak nuk participon (nuk ndihmon) në mirëmbatjen e medreseve. Në këtë rast, dëshiroj  të potencoj se në këtë vit shkollor numri i nxënësve që shkollohen në Medrese arrin shifrën  afër 700 nxënës,  me 98 mësimdhënës dhe ky numër kaq i madh njëherit tregon seriozitetin dhe përkushtimin e Bashkësisë Fetare Islame  për të investuar në edukimin dhe shkollimin e bijve dhe bijave të popullit musliman në R. e Maqedonisë e më gjerë.
Pasi gjendemi në prag të festës së Kurban-Bajramit,  i thërras dhe iu bëj  apel të gjithë imamëve dhe faktorëve të tjerë që ta senzibilizojnë aksionin e dhurimit të kurbanëve për mirëmbatjen e Medresesë dhe të konvikteve të  tyre ndër  xhematin tonë këtu te ne në Maqedoni dhe  në diasporë. Përmes shkollimit dhe diturisë, të nderuar besimtarë, më së miri mund ta kuptojmë dhe ndihmojmë fenë e Allahut dhe,  në këtë mënyrë,  ta arsyetojmë qëllimin e ekzistimit tonë në jetën e kësaj bote dhe të fitojmë mirësitë e Allahut fuqiplotë në botën tjetër.
Hëna e Re: Me dhënien e parave për Kurban BFI-së,  d.m.th. ndihmohet arsimi fetar dhe nxënësit e varfër…?
-BFI është i vetmi  subjekt që përkujdeset për financimin dhe funksionimin e institucioneve të veta edukative-arsimore. Ndaj, ndër burimet financiare, pa dyshim, paraqet edhe dhurimi i kurbanëve ose i pagesave me para që i bëjnë besimtarët nëpër myftinitë e BFI-së dhe në qendrat islame në diasporë. Me këtë akt  besimtarët,  njëkohësisht,  kryejnë obligimin e tyre ndaj Allahut (xh. sh.) dhe,  në të njëjtën kohë,  kontribuojnë dhe ndihmojnë  fuksionimin  dhe mirëmbatjen e Medresesë dhe të konviteve  të saj në kuptim  të   sigurimit  të  ushqimit  dhe nevojave të tjera  për nxënësit.
Hëna e Re: Mesazhi juaj që doni t’i përcillni popullatës?
-Institucionet  arsimore, Medreseja me degët e saj dhe Fakulteti i Shkencave Islame të vetmin burim financimi e kanë zeqatin, sadakatul-fitrin, kurbanët, lëkurat e kurbanëve dhe ndihmat e tjera vullnetare, andaj ne ju bëjmë apel besimtarëve muslimanë që për të vazhduar edhe më tej të funksionojnë këto institucione arsimore, këto detyrime të tyre fetare t’i orientojnë për të ndihmuar arsimimin fetar islam të gjeneratave të reja. Obligimi i besimtarëve, pra, është dritë e arsimit tonë. Kjo e mirë është në duart e tyre dhe ne shpresojmë se ata do të veprojnë me mençuri,  ashtu si kanë vepruar deri më tash, për të mirën e të gjithë besimtarëve muslimanë të trojeve tona.
Shfrytëzoj rastin që në emër të Drejtorisë së Medresesë dhe në emër të të gjithë nxënësve të saj të falënderoj të gjithë ata që me kontributet  e tyre i ndihmojnë këto institucione,  me lutje që Allahu i mëshirshëm t`i shpërbëlejë me mirësitë e Tij në jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër.

Comments are closed.