Një milion dollarë për shërim në Turqi

reisi Sulejman ef Rexhepi

Javën e kaluar në Ankara për herë të parë u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi në mes Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve pranë Qeverisë së Republikës së Turqisë. Nga BFI na njoftojnë se një kohë të gjatë janë munduar të vendosin kontakte me këtë institucion, që fatmirësisht më në fund u realizua dhe u konkretizua me nënshkrimin e marrëveshjes për kurim të personave të varfër dhe me probleme sociale dhe marrëveshja për restaurim të monumenteve historike nga periudha e Perandorisë Osmane. Në protokollin e nënshkruar në mes DPV dhe BFI-së, theks i veçantë i vë thellimit të bashkëpunim në mes këtyre dy institucioneve, duke pasur parasysh se Maqedonia dhe shtet tjera të Ballkanit një kohë të gjatë kanë qenë pjesë e Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim, në kuadër të këtij institucioni, bëhet shërimi pa pagesë i personave të varfër dhe me probleme sociale, të cilët jetojnë në Republikën e Maqedonisë. “Në suaza të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfit në Republikën e Turqisë ekziston një fond, një dikaster që do të merret me një ndihmë njerëzore- humanitare jashtëzakonisht me rëndësi për kurimin e njerëzve nevojtarë nga këto troje. Konkretisht, bëhet fjalë për njerëzit të cilët janë të rrezikuar nga aspekti social dhe ekonomik, ndërsa nga ana tjetër të rrezikuar nga aspekti shëndetësor dhe janë të pasiguruar këtu te ne. Përmes nesh do të sigurohet mundësia që këta njerëz të shkojnë të shërohen në repartin e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfit, e cila disponon me një spital privat të vetin. Të gjithë pacientët që do të shkojnë përmes BFI-së, do të shkojnë në atë spital i cili llogaritet një prej spitaleve më me peshë në Republikën e Turqisë”, tha Sulejman Efendi Rexhepi, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë. Sipas Efendi Rexhepit, me këtë marrëveshje do t’u lehtësohet shumë zgjidhja e problemit asaj kategorie të njerëzve, të cilët me vite të tëra presin ndihmë nga Fondi Shëndetësor i Maqedonisë. Për numrin e të sëmurëve të cilët do të shërohen gjatë një viti në Turqi do të vendos komisioni i përbashkët i punës, i përbërë me anëtarë nga të dyja palët. Zgjedhja e të sëmurëve të cilët do t’i nënshtrohen kurimit, do të jetë përgjegjësi e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë ( pala e cila do t’i dërgon të sëmurit). “Me këtë detyrë ne do ta ngarkojmë sektorin humanitar pranë institucionit tonë, respektivisht Organizatës Humanitare ” Hilal”, e cila është më e përgatitur për menaxhim me segmentin human. Numri i pacientëve që do t’i dërgojmë do të varet nga shuma e parëve të cilat do të ndahen nga buxheti i paraparë për shërim të personave të varfër me probleme sociale. Për këtë vit më njoftuan se janë ndarë 1 milionë dollarë për qytetarët e Maqedonisë, me të cilat do të udhëheq BFI, shumën e njëjtë në dispozicion e kanë edhe Shqipëri, Kosova dhe Bosnja. Marrëveshja është nënshkruar për një afat kohor prej 4 vitesh, mirëpo në rast se 6 muaj para se të skadon afati i marrëveshjes nuk i lajmërojmë për ndërprerjen apo diçka të ngjashme, marrëveshja automatikisht vazhdohet edhe për katër vite tjera”, theksoi Reisi Rexhepi. Duke shikuar situatën momentale të popullatës dhe diskriminimin që ju bëhet myslimanëve në Maqedoni, preokupim parësor i BFI do të jenë pikërisht kjo kategori e njerëzve, por nuk përjashtohet as mundësia që të dërgohet edhe pacient i etnisë dhe konfesionit tjetër jo mysliman. Kriteret të cilët duhen t’i plotësohen nga ana e paciente janë: i sëmuri duhet të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë, të ofrojë dokument përkatës për sëmundjen që e ka, e cila sëmundje nuk mund të shërohet në spitalet dhe sistemin shëndetësor të vendit. I sëmuri me dokument duhet të vërteton se nuk ka mundësi të bëjë pagesën për shërim dhe se nuk posedon asnjë far sigurimi shëndetësor ose krahas sigurimit që ka, nuk është në mundësi të shërohet nga vendi që dërgohet. Pacienti në asnjë mënyrë nuk do të trajtohet në suaza të Ligjit për sigurim social dhe shëndetësor të vendit nikoqir dhe se i sëmuri nuk do të dërgohet në bazë të ndonjë kontratë ndërkombëtare për sigurim social apo ndonjë marrëveshje bilaterale në sferën e shëndetësisë. Marrëveshja tjetër e nënshkruar ka të bëjë me restaurimin e disa xhamive në Shkup, Ohër dhe Manastir. ” Xhamia e Isa Beut është e para në të cilën do të intervenohet tërësisht në detaje, me ekspertë të kësaj fushe. Në të kaluarën kjo xhami ka pasur edhe Medresenë për femra, projekt i cili është pranuar gjithashtu nga DPV të Republikës së Turqisë që gjatë restaurimit të xhamisë të rindërtohet edhe medreseja. Gjithashtu vendi i ndërtimit të medresesë është i harmonizuar me Planin Detal Urbanistik të Komunës së Çairit. Në një të ardhme të shkurtë pritet që të restaurohen edhe xhamia e Jahja Pashës, Sulltan Muratit, së bashku me shkollën e mesme që ka qenë afër, minareje e xhamisë së Ali Pashës në Çarshinë e Ohrit dhe xhamia Mahmut Beut në Manastir”, deklaroi kryetari i BFI-së Sulejman Rexhepi. Duke llogaritur se gjendemi në muajin prill, nga BFI shprehen se do të përshpejtojnë me punët për konstituimin e komisionit i cili do të merret me shqyrtimin e aplikacioneve për shërim dhe sa më shpejt të dërgohen pacientët e parë për në Turqi.

Comments are closed.