Një jetë të tërë në shërbim të popullit dhe islamit, Prof. Remzi ef. Rexhepi

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë pranuam lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta e profesorit të nderuar Remzi ef. Rexhepi, por duke u bazuar në fjalët e Profetit Muhamedit a.s. “Vërtet e Allahut është gjithçka që merr, gjithçka që jep dhe çdo gjë tek Ai është deri në një afat të caktuar, prandaj le të bëjë durim dhe të kërkojë shpërblimin tek Allahu”, andaj me zemër të thyer dhe pikëllim të madh, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me organet dhe institucionet e saja edukativo arsimore, ngushëllon familjen e profesorit të ndjerë, drejtorinë e Medresesë Isa Beu, këshillin edukativo arsimor, profesorët, edukatorët, nxënësit dhe miqtë e shumtë që i kishte i ndjeri Prof. Remziu, i cili tërë jetën e tij ia përkushtoi edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja, brez pas brezi, Medresesë dhe Islamit në përgjithësi.
Poashtu, edhe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame H. Hfz. Shaqir ef. Fetai përcolli mesazhe prekëse dhe ngushëllime të sinqerta, në faqen e tij personale në rrjetet sociale.
“Me keqardhje dhe dhimbje të thellë morra lajmin e ndërrimit jetë të shokut dhe hoxhës tonë H. Remzi ef Rexhepit. Jetoi dhe veproi tërë jetën në shërbim të familjes, popullit dhe islamit. Me dekada veproi në SHMI “Medreseja Isa Beu” në Shkup. Ishte modest, me kulturë të nivelit të lartë, i urtë, i afërt me njerëzit, gjithmonë i gatshëm në kryerjen e detyrave të tij dhe më gjërë. Unë e kam patur shok të ngushtë sepse kemi krye bashkë Medresenë e Alaudinit në Prishtinë. Në këto momente të rënda Drejtorit të SHMI “Medresesë Isa Beu” në Shkup, Këshillit arsimor, Muftinisë së Shkupit, në veçanti familjes së ngushtë në emër të BFI e RMV dhe në emrin tim shprehi ngushllime të thella duke ju lutur Allahut Fuqiplotë t’ju jep durim të paluhatshëm, ndërsa rahmetliut t’i falë xhennetin e amshueshëm” tha Reisul Ulemaja në profilin e tij në facebook.
E lusim Allahun Fuqiplotë, që rahmetliun ta shpërblejë me xhennet, ndërsa familjarëve sabrin.

Comments are closed.