Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Nis ndërtimi i vakufit historik në Strugë

Të enjten, më 24.09.2020, Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në RMV H. Hfz. Shaqir ef. Fetai mori pjesë në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit të një objekti historik, ku dikur njihej si i vetmi vakëf i qytetit të Strugës, në qendër të këtij qyteti.
Me një ceremoni modeste, Myftinija e Strugës, nën udhëheqjen e Myftiut të respektuar Mr. Salim ef. Sulejmani dhe në prezencën e Kreut të BFI H. Hfz. Shaqir ef. Fetai të shoqëruar nga myftinjtë: i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Kumanovës H. Abedin ef. Imeri, Myftiu i Ohrit H. Samet ef. Ajdari, Myftiu i Velesit Niazi ef. Murati, Myftiu i Manastirit Amit ef. Rasimi, Myftiu i Dibrës Reshat ef. Kaçballniku, Myftiu i Prilepit, Shefket ef. Imeri, përfaqësues nga Myftinia e Kërçovës, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë njëherit Drejtor i sektorit për diasporë, Dr. Selver ef. Xhemaili, Sekretari i Përgjithshëm i BFI Irsal ef. Jakupi, drejtorë të sektorëve pranë Rijasetit të BFI, profesorë të Medresesë Isa Beu dhe Fakultetit të Shkencave Islame, besimtarë dhe dashamirë të islamit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i BFI Strugë Mr. Salim ef. Sulejmani pasi i përshëndeti të gjithë të pranishmit, foli rreth historikut të këtij objekti, i cili edhe pse objekti i vetëm i vakëfit në qytetin e Strugës, në kohën e monizmit pati fatin që të nacionalizohej dhe të rrëmbehej nga pronari i saj legjitim Bashkësia Fetare Islame. Por pas një punë të pandërprerë e të palodhur, Myftinia e BFI Strugë, me në krye Myftiun Mr. Salim ef. Sulejmani arriti që ta kthejë në pronësinë e pronarit legjitim në vitin 2013.
“Në një periudhë kur vakëfi shkelej, kur vakëfi tjetërsohej, kur vakëfi nacionalizohej në forma të ndryshme, edhe ky objekt i vetmi vakëf i qytetit të Strugës, e pati fatin e nacionalizimit. Mirëpo, falë dashurisë për rrugën e Zotit, për fenë e Zotit dhe për objektet që janë ndërtuar në emër të Zotit, haxhi Et’hemi, babai i i z. Beshirit, haxhi Bajrami, haxhi Azmiu dhe të tjerët, Shaban Tateshi dhe shumë të tjerë të cilët tani nuk më kujtohen, kanë bërë luftë për të ruajtur të vetmin objekt i cili ka qenë vakëf i nacionalizuar i Myftinisë së Strugës, në forma nga më të ndryshmet, në lufta nga më të ndyshmet, presione, halle, derte nga më të ndryshmet derisa erdhi dita në vitin 2013, kur marr myzhde nga haxhi Myshtebai, ish sekretar i Myftinisë dhe ish Myfti i Myftinisë së Strugës, kur më tha se, nga sot e tutje: ai objekt i shumë përfolur i shumëvuajtur me shumë halle është pronë e Bashkësisë Fetare Islame, është pronë e Vakëfit të Myftinisë së Strugës” tha Myftiu Mr. Salim ef. Sulejmani, duke u utur që, ata të cilët kontribuuan para 70 a 80 viteve të ndërtohet ky objekt sado i vogël, Allahu fuqiplotë ti shpërblejë me Xhenet, si dhe duke e falënderuar Komunën e Qytetit të Strugës, me në krye z. Ramiz Merko e cila bëri një nder të madh për BFI duke përshpejtuar dokumentacionin dhe projektimin e projektit gratis.
Kreu i BFI H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, pasi përshëndeti nikoqirin, Myftiun e Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani, myftinjtë e tjerë dhe të pranishmit, në fjalimin e tij foli rreth përshtypjeve të para për vendosjen e gurthemelit. “Kudo që veprojmë, ne jemi një dhe çdo ndërtesë që bëhet për hir të Allahut është e të gjithë neve dhe kjo pjesëmarrje këtu tregon se do të jemi pjesëmarrës në ndërtimin e kësaj” tha Kreu i BFI, duke shtuar më tej se: “Kjo është ndërtesa e Allahut Fuqiplotë, është vakuf, është burim i të mirave materiale për të shpjeguar fjala e Allahut Fuqiplotë dhe se kjo do të jetë një bazë që do të nxis edhe më fuqishëm formimin e vakëfeve në territorin e Myftinisë së Strugës. Kjo vepër është me vlerë shumë të madhe. Nëse më pyetni sa e madhe është, nuk do të dija t’ju tregoj, nuk do të dija ti numëroj të vlerat e kësaj, sepse vepra e Allahut Fuqiplotë nuk është brenda matematikës njerëzore. Ajo është jashtë numrave të matematikës së kësaj Bote, andaj është një vepër madhore që kanë dobi të gjallët e kësaj bote. Ka dobi shpjegimi i islamit. Ka dobi forcimi i islamit, ka dobi prezantimi i islamit, ka dobi mbajtja e islamit si amanet në kohën në të cilën ne jetojmë. Islamin e kemi amanet nga Allahu Fuqiplotë, e kemi amanet nga gjeneratat që dhanë gjithçka, mendjet e tyre, pasuritë e tyre, trupin e tyre, jetën e tyre që islami të kalojë dhe transferohet këtu në Ballkan, këtu në Maqedoninë e Veriut, këtu në Strugë. Dhe për këtë islam kanë sakrifikuar gjeneratat para nesh dhe e kemi obligim që ta mbrojmë. Prandaj ndërtimi i kësaj ndërtese të vakufit është një ndër detyrat që e kryejmë sot për ta mbajtur këtë amanet këtu në Ballkan dhe Evropë. Popujt që kaluan para jush, do të kenë atë që ata ndërtuan, atë që ata fituan, atë që ata zhvilluan. Ju do ta keni atë që në kohën tuaj do ta ndërtoni dhe zhvilloni. Ju nuk do të pyeteni për atë që kanë punuar të parët e juaj, ju do të pyeteni sot çka jeni duke punuar. Ju sot çka punoni. Ju sot ringjallni vakufin e atyre që punuan dhe ju sot ju thoni atyre – ata janë zgjuar sot, ata janë gëzuar sot, sepse ju ringjallni, zmadhoni dhe forconi veprën e atyre që kaluan para jush. Dhe ju u tregoni atyre se ne nuk ngelim vetëm në atë që ju keni vepruar. Ne vazhdojmë të ndërtojmë rrugën e juaj ashtu siç e keni filluar siç e keni zbatuar. Ne vetëm mund ta zmadhojmë ta zbukurojmë dhe ta fuqizojmë, me qëllim që të jemi bartës dhe prezantues të denjë të islamit”.
Në fund, duanë e gurthemelit e bëri Myftiu i BFI Shkup, Dr. Qenan ef. Ismaili.
Gjithashtu në protokolin e hudhjes së gurthemelit të ndërtesës së re të Muftinisë së Strugês ishte edhe vizita e Xhamisē së bukur të Lulishtes, e cila është në përfundim e sipër. Bukuri e rrallë e punuar në mënyrën më të bukur ku mysafirët falēn edhe namazin e drekës.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni