Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e Çelebi Xhamisë në Strugë

nga TikaShkup- 24 qershor. Sot, në Bashkësinë Fetare Islame u nënshkrua marrëveshja në mes të Reisul Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepit, drejtorit të TIKA-s për Maqedoni, Teoman Tirjaki si dhe të drejtorit të firmës ekzekutuese “Star-M Inxhinjering – Shkup”, Mazllum Hasan, për rindërtimin e Çelebi Xhamisë si dhe të objekteve të tjera përcjellëse në Muftininë e Strugës.

Me këtë rast, H. Sulejman ef. Rexhepi, shprehu kënaqësinë e posaçme për bashkëpunimin e ngrohtë dhe shumë të suksesshme që BFI e ka me TIKA-n turke.

“Bashkëpunimi ynë është i sukseshëm sepse gjithnjë ka qenë, është dhe do të jetë me qëllim të pastër. Falënderoj publikisht TIKA-n për tërë atë kontribut të paçmueshëm që po e jep në restaurimin e monumenteve kulturo-historike islame që datojnë qysh nga periudha Osmane. Sot, me firmat tona të hedhura në këtë dokument bashkëpunimi, po dëshmojmë se aktivitetet tona të përbashkëta do të vazhdojnë dhe se gjithnjë do t’ia dalim me sukses”, theksoi H. Sulejman ef. Rexhepi.

Nga ana tjetër, drejtori i TIKA-s në Maqedoni, Teoman Tirjaki, ka falënderuar në mënyrë të veçantë ef. Rexhepin për gatishmërinë e tij si dhe në besimin e plotë që gjithnjë e ka shprehur ndaj TIKA-s përgjatë restaurimit të objekteve shumë të rëndësishme për historinë islame dhe për muslimanët e Maqedonisë.

“Ne, si TIKA, veprojmë këtu në të mirë të monumenteve historike që i kemi të përbashkëta. Momentalisht jemi të angazhuar në restaurimin e xhamisë në Manastir. Që nga dita e nesërme do të jemi në veprim edhe në ngritjen e Çelebi Xhamisë në Strugë dhe, shpresojmë që deri në vitin 2015 të përfundojmë me këto aktivitete që i kemi dhe, me ndihmën e Zotit, duke u mbështetur edhe në këtë nivel bashkëpunimi që e kemi me BFI-në, do të vazhdojmë edhe me sërë aktivitetesh të tjera restauruese”, u shpreh në fund të fjalës së vet z. Tirjaki.

Comments are closed.