Në të gjitha xhamitë respektohet apeli i Reisit

Në të gjitha xhamitë respektohet apeli i Reisit

Xhumaja e parë, pas shpalljes së pandemisë së virusit Korona (Covid-19), në të gjitha xhamitë e Bashkësisë Fetare të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kaluar me dezinfektimin e xhemateve në hyrje dhe në dalje të objektit fetar islam, në përputhje me Apelin e Kryetarit të BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, dhe të institucioneve shëndetësore të vendit për masa parandaluese kundër sëmundjes së paraqitur në nivel botëror.
Siç dihet, BFI ka dalë me disa letërqarkore në lidhje me këtë problem, ndërsa kreu i myslimanëve të RMV, h. Sulejman ef. Rexhepi, para gazetarëve është deklaruar se “dita e xhuma duhet të falet në objekt fetar, në xhami”, duke sugjeruar që “vaktet tjera besimtarët t’i falin nëpër shtëpitë e tyre”.
Ajo që dua të theksoj me këtë rast, nuk duhet askush ta vret mendjen se nëpër xhami ekziston ndonjë mundësi që mund të përhapet virusi. Komplet, xhamitë masën e dezinfektimit e kanë të përditshme – i ka thënë ai medias në Shkup një ditë më parë.
Reis’ul-Ulemaja po ashtu ka nënvizuar se “mbyllja e plotë e xhamive do të shkaktonte panik te qytetarët”.
Nga Kabineti i Kryetarit të BFI-së janë optimistë se në të 13-të myftinitë, në të gjitha xhamitë, do të bëhet kujdes maksimal që të ruhen besimtarët nga pranimi apo shpërndarja eventuale e virusit Korona.
Në traditën islame është kujdesi për higjienën personale dhe të rrethinës – siç është marrja e avdesit, gusllit etj. – megjithatë besimtarët e kanë për obligim që në rrethana të jashtëzakonshme vetë ta ngrenë nivelin e mbajtjes së pastërtisë dhe zhvillimin e riteve fetare gjithnjë ta bëjnë konform mësimeve nga Kurani i shenjtë, Sunneti i Pejgamberit (a. s.) dhe Kushtetuta, ligjet dhe rregulloret që ka BFI si institucion fetar islam në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, nëpër të gjitha xhamitë, në këtë xhuma, 13 mars, 2020, është bërë lutje që kjo sëmundje sa më shpejt t’i hiqet njerëzimit dhe të gjithë njerëzit, pavarësisht besimeve të tyre, të jenë në qetësi me veten dhe me Zotin.

Comments are closed.