NË KONKURRENCË EDHE ME GLOBALIZMIN PERËNDIMOR – H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI – REISUL ULEMA I BFI TË RMV

Shkruan: H. Hfz. Shaqir ef. Fetai - Reisul Ulema i BFI të RMV

NË KONKURRENCË EDHE ME GLOBALIZMIN PERËNDIMOR

Shkruan: H. Hfz. Shaqir ef. Fetai – Reisul Ulema i BFI të RMV

Revista Hëna e Re, tetor 2021.

Do të ishte i pasuksesshëm dhe utopi zgjimi dhe ardhmëria e shëndoshë e pjesëtarëve të Islamit po qe se ata mendojnë se Kurani njëherë e përgjithmonë është zbërthyer para një mijë vitesh dhe se tash ka mbetur vetëm të këndohet, t’u lexohet të vdekurve, të zbukurohen vendbanimet, të bëhet mjet tregtie dhe të largohet nga jeta dhe zhvillimi i tij. Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë kemi bërë krim ndaj vetvetes dhe njerëzisë në përgjithësi.

 

Letrari i njohur anglez Bernard Shou thotë: “Gjithmonë e kam çmuar lart religjionin e Muhamedit (a. s.) për shkak të vitalitetit të tij të çuditshëm. Islami, si duket, është i vetmi religjion që e ka këtë aftësi të asimilimit, deri në ndryshimin e fazave të ekzistencës, nga e cila mund të bëjë thirrje për të gjitha kohët. Kam dhënë mendimin se religjioni i Muhamedit (a. s.) mund të jetë i pranuar për ardhmërinë, sikur që ka filluar të jetë i pranishëm për Evropën sot. Në shekullin e ardhshëm kjo mund të shkojë edhe më tutje, përmes njohjes së vlerës (dobisë) së këtij mësimi për zgjidhjen e problemeve të botës së sotme dhe në këtë kuptim duhet kuptuar thëniet e mia.”
Parashikimet e tyre sot po i vërteton edhe koha bashkëkohore, respektivisht ekspertët e rrjedhave politike dhe religjioze. Sipas tyre, Islami tashmë nuk është “fe e vdekur”, siç është konsideruar deri në vitet ’80; përkundrazi, Islami sot konsiderohet fe kolosale, e cila me mësimet e saj mbi Krijuesin, mbi njeriun, natyrën dhe gjithçka që e rrethon atë, ngadalë po i konkurron edhe globalizmit perëndimor. Këtë e vërtetojnë edhe personalitetet më të njohura të studimeve politike dhe religjioze. Kështu, etikologu dhe kulturologu i njohur bashkëkohor Francis Fukuyama në librin e tij shumë të njohur me titull “Fundi i Historisë” (The end of Histori) thotë: “Është e vërtetë se Islami përmban ideologjinë koherente dhe sistematike, njësoj si liberalizmi dhe komunizmi, me kodet vetanake të moralit dhe doktrinën mbi politikën dhe drejtësinë sociale. Thirrja e Islamit ka potenciale universale, duke arritur te të gjithë njerëzit si krijesa njerëzore, e jo vetëm te pjesëtarët e caktuar të një grupi etnik dhe nacional. Islami, në të vërtetë, ka mundur liberalizmin demokratik në shumë vende të botës islame, duke u bërë kërcënim serioz për praktikën liberale, madje edhe në vendet në të cilat nuk ka arritur fuqinë direkte politike. Fundi i luftës së ftohtë në Evropë papritur është zëvendësuar me provokimin e Irakut ndaj Perëndimit, ku Islami, kuptohet, ishte faktor i rëndësishëm.”

Islami në skenën botërore, punë e kryer

Analistë të njohur bashkëkohorë po e argumentojnë ngjitjen e Islamit në skenën botërore. Si e vërtetë, si punë e kryer. Ky kthim, sido qoftë, po ndodh. Por, varet nga pjesëtarët e Islamit, është përgjegjësi e tyre, moskeqpërdorimi nga brenda dhe jashtë, me qëllim të shpjegimit të tij në mënyrë jo të pastër dhe jokompetente. Se kjo ndodhi, fatkeqësisht tregojnë përçarjet e ashpra te myslimanët, si dhe shpjegimet kuturu nga rryma të dyshimta dhe devijante që mbizotërojnë sot.
Pra, sipas Fukuyamës, Islami paraqet tentim për konkurrencë të globalizmit perëndimor, si ideologji koherente dhe me potenciale universale, duke gjetur zgjidhje për të gjitha kërkesat që i provokon koha dhe vendi ku jetojnë njerëzit.
Shtetari dhe politikani i mirënjohur amerikan Zbignjev Bzhezhinski, menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, në librin e tij “The out of control” (Jashtë kontrollit), alarmon me të madhe, duke tërhequr vërejtjen ndaj ekspansionit islam në Azinë qendrore, për të mbushur vakumin që e la ideologjia komuniste në këtë hapësirë. Ai mes tjerash thotë: “Duke pasur parasysh se natyra nuk duron vakum, është evidente që fuqitë nga jashtë, në veçanti vendet fqinje islame, janë të disponuara që të provojnë ta përmbushin zbrastirën gjeopolitike në Azinë qendrore, të paraqitur pas shkatërrimit të pushtetit imperial rus. Turqia, Irani, Pakistani tashmë nxitojnë në zgjerimin e ndikimit të tyre, përderisa Arabia Saudite e largët financon pjesën më të madhe të përpjekjeve, me qëllim të rivitalizimit të kulturës myslimane dhe të trashëgimisë fetare në rajon. Andaj, Islami përparon drejt veriut, duke e përmbysur inercien gjeopolitike nga dy shekujt e fundit.”
Edhe Bzhezhinski, sikur Fukujama, Islamin e sheh si një fuqi e cila është në gjendje të paraqitet e aftë për të dhënë përgjigje në të gjitha sferat e aktivitetit njerëzor.
Zhvillimi i botës moderne aq sa është pozitiv, aq është edhe negativ. Zhvillimi i hovshëm i materiales, ekonomikes, politikes, teknologjikes dhe ngritja e saj lart deri në pushtimin e qiellit, ka bërë që shumë pak të mendohet për njerëzoren, moralen, shpirtëroren dhe sot njeriu modern sikur jep një skenë ku për gjithçka mendon, e aspak nuk mendon për veten e tij, e në veçanti për vetë njeriun si subjekt kryesor i Zotit në Tokë. Nuk është e rastit që në këtë harresë sot njeriu ballafaqohet me anomalitë e rrezikshme për vetë njeriun dhe gjininë njerëzore si: alkoolizmin, prostitucionin, narkomaninë, bixhozin, shkatërrimim e familjes, luftërat e mëdha, masakrimet, gjenocidet, internimet, varfërinë ekstreme në pjesën më të madhe të botës, saqë me miliarda njerëz vdesin nga skamja. Të gjitha këto janë dukuri që e brengosin botën e sotme. Andaj, kjo është hapësira që imponon angazhimin e Islamit dhe të bartësve të tij, të cilët hidhen në skenë për të kontribuar me vlerat e tij morale, shpirtërore dhe njerëzore, siç thonë Vehidudin Hani dhe Gijoni.
Përshtatshmëria e ambientit bashkëkohor evropian i jep fuqi besimit në të ardhmen e vlerave Islame në botën moderne, sepse është ambient i shkencës, i ekonomisë, i artit, i kulturës, i paqes, i tolerancës, i humanizmit etj., mu i atyre vlerave të cilat Islami i ka proklamuar para katërmbëdhjetë shekujsh. Ky ambient i përngjan një oqeani shumë të volitshëm për notimin e Islamit dhe paraqet tokën më pjellore të tij. Aty ku nuk ka ambient të këtillë, Islami e ka vështirë të lëvizë dhe të jetë kreativ. Sot është e dukshme se Islami është realitet i botës së zhvilluar dhe ngadalë po bëhet realitet i shoqërive të kombeve të mëdhenj.
Të gjitha këto karakteristika e forcojnë besimin se Islami është në përshtatshmëri me të gjitha vendet dhe kohërat dhe se ekziston përgjegjësia e bartësve të Islamit që këtë mision ta udhëheqin dhe ta prezantojnë.

Prezantimi, në nivelin më të lartë profesional

Inkuadrimi i Islamit dhe i bartësve të tij në skenën e rrjedhave bashkëkohore, është nevojë e domosdoshme e kohës dhe imperativ për t’i komunikuar vlerat islame gjithandej, po edhe për të dhënë kontributin e tyre për dalje nga kriza morale. Bartësit e mësimit islam, përkatësisht të pikëpamjeve dhe koncepteve hyjnore, duhet të jenë vetë pjesëtarët e besimit, të cilët mu për këtë arsye janë të obliguar të mendojnë se në çfarë mënyre do ta përfaqësojnë dhe do ta shpjegojnë Islamin, në mënyrë që sa më me sukses të inkuadrohen në zhvillimet pozitive në botë.

Andaj, ky inkuadrimi i pjesëtarëve të Islamit duhet të jetë si subjekt aktiv dhe kreativ në zhvillimet bashkëkohore, me një qasje serioze, dhe për këtë kërkohen disa parime:

1.Zgjimi i bartësve të Islamit në njohjen e sferave të ndryshme shkencore, ekonomike, kulturore, të bazuar në dije dhe hulumtim shkencor. Dija dhe njohja janë komponentët kryesorë në prezantimin e vlerave, në veçanti ato islame. Vetë fakti se imperativi i parë është të lexuarit, të mësuarit, të vrojtuarit, të hulumtuarit etj., tregon se për çdo veprim apo mision kërkohet nivel i lartë i profesionalizimit, duke u ngritur lart në përvojën dhe metodologjinë e të vepruarit dhe të prezantimit të vlerave. Përgjegjësia e bartësve të Islamit nuk qëndron vetëm në hapësirën dhe kuantitetin e vetëdijesimit të njerëzve, por në mënyrën e prezantimit të misionit hyjnor, respektivisht metodën e shpjegimit, argumentimit të vlerave, aftësinë e ofrimit të ideve etj. Islami kërkon komunikim, kontaktim, debatim, dialog me të gjithë, pa dallim besimi apo ideologjie. Për këtë shkak Kurani është përplot me porosi drejtuar Muhamedit (a. s.) dhe besimtarëve se detyra parësore është shpjegimi, urtësia dhe këshilla në komunikim, butësia dhe sinqeriteti, afërsia me të tjerët, toleranca në komunikim, liria në debatim, nxjerrja e argumenteve në debat dhe në diskutim etj.

2.Të prezantosh misionin islam sot në botë nuk është çështje e lehtë. Përkundrazi, kërkon një mbathje të thellë, universale, mirë të argumentuar. Çështjet së pari duhet studiuar mirë, duke iu qasur atyre nga këndvështrimi shkencor, logjik, psikologjik dhe racional. Kjo është domosdoshmëri e kohës bashkëkohore, sepse veprojmë në ambient shkencor, siç është ambienti shkencor evropian. Andaj, sot bartësit e Islamit duhet thelluar në profesionalizimin e çështjeve parimore të Islamit, duke u përgatitur në mënyrë institucionale dhe akademike. Të jesh në skenë sot, do të thotë të jesh prezent në konferenca ndërkombëtare, në simpoziume, në panele, në debate dhe diskutime të thella, në mjetet e informimit – ato elektronike dhe të shkruara, në prezantimin e çështjeve që kanë të bëjnë me aktualitetin, me pjesëmarrrjen në zgjidhjen e kërkesave të kohës, në ballafaqim me problemet e botës, hapje me qarqet e ndryshme përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave të ndërsjella dhe shumë çështje. Këto jo vetëm që janë pasqyrë e kohës në të cilën jetojmë, por në të njëjtën kohë duhet të jenë apel për të gjithë botën që t’i kthehen njeriut, përkatësisht ta humanizojë dhe të kujdesen për vlerat njerëzore.
Myslimanët që jetojnë sot në Perëndim, nëse kanë probleme me arsimimin, me ekonominë, me pjesëmarrjen politike, intelektuale dhe akademike, nëse niveli i krimit tek ta është i lartë dhe s’kanë kulturë pune të mjaftueshme, atëherë përgjegjësia për këto bie gjithashtu mbi supet e vetë myslimanëve dhe organizatave të tyre, thotë prof. dr. Kudret Bylbyl, Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yldirim Beyjazit” në Ankara.
Në këtë situatë, paraqitet nevoja që në praktikën e marrëdhënieve njerëzore të marrë pjesë edhe mësimi islam me konceptet dhe pikëpamjet e tij të shenjta mbi të Vërtetën – Zotin, njeriun, natyrën, shoqërinë, historinë etj.

3.Kthimi në burimet kryesore të mësimit islam, respektivisht në pastërtinë e tyre, është vendimtare në prezantimin e Islamit në rrjedhat e zhvillimeve të ndryshme bashkëkohore. Ardhmëria e myslimanëve nuk do të jetë e suksesshme po qe se nuk u kthehen burimeve kryesore të besimit islam, po qe se nuk u kthehen fundamenteve kryesore – do të thotë, të medituarit dhe të jetuarit e myslimanëve nën mburojën e Kuranit famëlartë dhe të Sunnetit. Të kthyerit në këto fundamente, nuk do të thotë kthim mbrapa, kah e kaluara, e as të shikuar mbrapa, por të kthyerit nga fundamentet kryesore do të thotë gjetje inspirim të gjallë dhe dinamizëm kreativ në ato burime, sepse Kurani si fundament kryesor paraqet inspirim të vërtetë për të gjithë njerëzinë dhe të gjitha kohërat, pse ai, në të vërtetë, si Fjalë e Allahut (xh. sh.), është i gjallë, i hapur si në kuptimin problemor, po ashtu edhe në atë struktural dhe, si i tillë, gjithmonë aktualizohet ndaj çdo situate të re.
Është aktuale për çdo kohë, për çdo vend, për çdo popull, pa marrë parasysh nivelin intelektual të njerëzimit. Kurani, pra, paraqet burimin e pashtershëm, i cili gjithmonë ka paraqitur, paraqet sot dhe pa dyshim se do të paraqet edhe në të ardhmen, inspirimin e pashtershëm të ideve humane dhe progresive. Ai është si një oqean nga i cili kanë pirë, pinë dhe do të pinë të gjitha gjeneratat që do të kalojnë pranë tij; varësisht nga aftësitë dhe mundësitë e tyre, dhe përsëri do të mbetet i pashtershëm deri në Ditën e Kiametit. Është i këtillë pse është fjalë e Allahut (xh. sh.), i cili gjithmonë udhëzon dhe drejton në atë që është e drejtë dhe e vërtetë: “Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (El-Isra: 9 ) “…Ne ty të shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët.” (En Nahl: 89) “Thuaj : Sikur të ishte deti ngjyrë për t’i shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundojnë fjalët e Zotit tim, edhe sikur të sillnin shtesë edhe një si ai.” (El Kehf:109)
Pashtershmëria e ideve të Kuranit famëlartë duhet të jetë forcë lëvizëse e besimtarëve, ndërsa Sunneti si shëmbëlltyrë e pashlyeshme e komentimit dhe praktikimit të tij.

4.Pjesëtarët e Islamit duhet të zhvillojnë dhe të formojnë rrugëtim burimor dhe origjinal, duke mos imituar ideologji të ndryshme në botë që nuk bazohen në themele të shëndosha dhe produktive. Kjo do të thotë se myslimanët duhet të trasojnë rrugën e vet në të gjitha sferat, duke formuar konceptin e vet origjinal të jetës, pse në ardhmëri mund të nisemi vetëm me atë që është origjinale, e kjo mund të arrihet vetëm duke iu përmbajtur konceptit kuranor, i cili del nga këto fjalë të Allahut (xh. sh.): “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre…” (Er Ra’du: 11)

Këtë parim kuranor më së miri e kuptuan gjeneratat e para të myslimanëve, të cilët duke u bazuar dhe inspiruar nga Kurani famëlartë, për një kohë të shkurtër u bënë bartës dhe udhëheqës të një civilizimi gjigant në botë, me anë të të cilit disa shekuj me radhë diktuan aktivitete të ndryshme në të gjitha anët e botës, duke vulosur kohën në të cilën jetuan. Me këtë ata treguan njëherë e përgjithmonë se si duhet praktikuar Kurani famëlartë.

5.Konceptimi i metodologjisë së prezantimit të Islamit është çështja më e rëndësishme në prezantimin e Islamit. Mosimitimi i së kaluarës, do të thotë mosimitim i formulave dhe metodave të vjetra të cilat janë praktikuar në kohën e dekadencës së myslimanëve. Kjo kohë e dekadencës nuk do të përsëritet po qe se Kuranit i hyhet nga të gjitha aspektet. Kjo arrihet po qe se në mënyrë të denjë praktikohet imperativi i Allahut (xh. sh.) për të mësuar, për të studiuar, duke përdorur metodë të organizuar, e cila del nga fryma e Kuranit famëlartë. Në këtë mënyrë do të mbylleshin dyert e taklidit-imitimit të verbër, dukuri e cila është fajtore kryesore për dekadencën e myslimanëve – mbështetje parazitore në arritjet e gjeneratave të mëparshme, të pavetëdijshëm se kohërat e reja kanë kërkesat dhe nevojat e veta. Mbështetja në shpjegimet e mëparshme, do të thotë të ekzistosh jashtë kohës në të cilën jeton, pse asnjë gjeneratë nuk mund t’i zgjidhë çështjet dhe problemet e të gjitha kohërave. Me kalimin e kohës, pandërprerë, paraqiten çështje dhe probleme të reja, për të cilat nevojiten zgjidhje të reja. Mu për këtë Kurani çdo gjë e shpjegon mbi bazë të koncepteve dhe të parimeve, përpunimi i të cilave mbetet në shoqëri, që në çdo moment historik t’i gjykojnë interesat, nevojat dhe mundësitë, duke i zbërthyer idetë kuranore. Kjo është nevoja e çdo kohe dhe imperativ për çdo gjeneratë, që mos të mbeten aty ku kanë mbetur gjeneratat e kaluara, në mënyrë që çdo gjeneratë të japë kontributin e vet në zbërthimin e ideve kuranore, e me këtë të luajnë rolin e vet dhe ta japin kontributin e tyre në çdo shoqëri dhe periudhë historike. Kjo njëherësh është edhe obligim hyjnor, për arsye se secila gjeneratë do të japë llogari për kontributin e zbërthimit dhe praktikimit të ideve kuranore në kohën dhe në vendin ku ka jetuar dhe vepruar. Këtë e shohim në fjalët e Allahut fuqiplotë kur thotë: “Ai është një popull që shkoi, të cilit i takoi ajo që fitoi, e juve ju takon ajo që e fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që ata vepruan.” (El-Bekaretu: 141)
Pra, do të ishte i pasuksesshëm dhe utopi zgjimi dhe ardhmëria e shëndoshë e pjesëtarëve të Islamit po qe se ata mendojnë se Kurani njëherë e përgjithmonë është zbërthyer para një mijë vitesh dhe se tash ka mbetur vetëm të këndohet, t’u lexohet të vdekurve, të zbukurohen vendbanimet, të bëhet mjet tregtie dhe të largohet nga jeta dhe zhvillimi i tij. Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë kemi bërë krim ndaj vetvetes dhe njerëzisë në përgjithësi dhe më në fund mund të themi se Kurani nuk është zgjidhje për ardhmërinë. Që të mos ndodhë kjo, pikësëpari duhet t’i hapen dyert institucionit të ixhtihadit, me anë të të cilit mund të zbërthehet feja e Allahut (xh. sh.). Mirëpo, hapja e institucionit nuk është proces i lehtë; për të duhet njohur mirë idetë islame, duhet depërtuar thellë në to, si dhe nevojitet njohje e mirë e botës në të cilën jetojmë, zhvillimet në sfera të ndryshme shkencore – si në atë ekonomike, kulturore, në art etj. Vetëm në këtë mënyrë myslimanët mund të ecin përpara dhe vetëm në këtë mënyrë mund të paraqiten si element dhe subjekt konstruktiv dhe kreativ në rrjedhat bashkëkohore dhe vetëm në këtë mënyrë mund të jenë bartës të vërtetë dhe të denjë të Islamit në botë.
Integrimi i Islamit dhe i myslimanëve në rrjedhat botërore është më se i nevojshëm. Jo vetëm që është i nevojshëm, por ka edhe mundësi për një inkuadrim të tillë. Gjatë këtij inkuadrimi kurrsesi nuk duhet t’i harrojmë fjalët e Muhamedit (a. s.), i cili thotë: “Jua kam lënë dy gjëra; nëse iu përmbaheni atyre, kurrë nuk do të humbni, e ato janë: Libri i Allahut (xh. sh.) dhe Sunneti i pejgamberit të Tij.”
Të përmbajturit në këto dy burime është përparësi e madhe, pse të dy këto burime gjithmonë thërrasin në një aktivitet krijues dhe në një shikim aktiv dhe racional ndaj jetës. Me këto burime Islami e gjeti legjitimitetin e vet në historinë njerëzore, duke u ballafaquar me lloj-lloj problemesh dhe duke i zgjidhur ata. Ata nuk guxon t’i kapë “kompleksi i vlerës më të ulët “, sepse proceset dhe lëvizjet historike deri në ditët tona tregojnë se pjesëtarët e besimit islam, të udhëhequr me idenë islame të kosmopolitizmit dhe të humanizmit, bënë përpjekje dhe dhanë sakrifica të mëdha që jo vetëm të shpëtojnë dhe të ruajnë thesarin shpirtëror dhe kulturor të njerëzimit, të krijuar gjatë mijëra viteve, nga shkatërrimi i dhëmbit të kohës dhe sulmeve barbare, por edhe të japin shumë nga origjinaliteti i tyre.

6.Hapja e myslimanëve në të gjitha sferat me të tjerët, është baza kryesore e integrimit të tyre në hapësirën moderne dhe të zhvilluar. Vetë Islami është natyrë e hapur, e ndryshimit, e dialogut, e afrimit, e konkurrencës. Në një ambient demokratik, si dhe kulturor, pjesëtarët e Islamit kanë hapësirën më të volitshme për të nxjerrë në skenë vlerat e tyre fetare, kulturore dhe shkencore, të cilat do të ishin joshëse kudo që jetojnë ata, në veçanti në ambientin evropian dhe modern dhe në këtë mënyrë do të mund të tejkalonin stereotipet dhe aversionin e qarqeve të ndryshme në kohën që jetojnë. Jam i mendimit se pjesëtarët e besimit islam deri më sot nuk kanë pasur hapësirë të mjaftueshme për të vepruar dhe për të luajtur rolin e tyre në këtë nënqiell. Çdo tentim në këtë fushë, është penguar në të kaluarën nga të gjitha anët, me të gjitha mjetet, nga frika e prosperitetit të tyre. Edhe këtë herë në rrjedhat demokratike kur ata dëshiruan të zënë vendin e tyre që e meritojnë, përsëri u penguan, duke mos i respektuar të drejtat e tyre për një inkuadrim në këto rrjedha. Jo vetëm që u penguan, por u cenua dhe u nënçmua dinjiteti i tyre i formuar me shekuj, duke i etikuar me emra të ndryshëm si: fashistë, terroristë etj. Për ta ndryshuar këtë paragjykim, subjekt kryesor përsëri duhet të jenë bartësit e Islamit, duke krijuar strategji, metodë dhe veprim të thellë të kuptimit dhe të veprimit, por me nje hapje të një zhvillimi tolerant, duke shfrytëzuar të arriturat e shoqërive të ndryshme. Bartësit e Islamit duhet të kuptojnë se mund ta arrijnë këtë dhe se askush nuk mund t’i ndalë që të futen në rrjedhat demokratike, për ta zënë vendin e tyre që e meritojnë dhe për të dhënë kontributin e tyre në këto treva, sepse ata në këto treva paraqesin realitet, që do të thotë se këtu kanë lindur, këtu janë zhvilluar, këtu kanë vepruar dhe gjithmonë kanë qenë dhe janë të vetëdijshëm për qenien dhe integritetin e tyre, e cila mbrohet vetëm me një ngritje dhe vetëdije për të arritur të drejtën dhe integritetin e tyre kudo që jetojnë, për të qenë faktor kyç në zhvillimet pozitive në vendet ku jetojnë.

Përfundim

Islami sot është realitet botëror dhe është në interesim të qarqeve të ndryshme shkencore, politike, ekonomike dhe kulturore. Se si do të konceptohet sot në botën bashkëkohore, do të varet nga vetë bartësit e Islamit. Sot, më tepër se kurrë, duhet mobilizim i të gjitha potencialeve fetare, shkencore e kulturore për të nxjerrë në skenë vlerat burimore të Islamit rreth dijes, rreth artit, rreth kulturës, rreth paqes, rreth tolerancës, rreth bashkëjetesës, rreth ekonomisë, rreth marrëdhënieve ndërnjerëzore, rreth njeriut dhe marrëdhënieve të tij me botën që e rrethon, rreth moralit si bazë e të jetuarit njerëzor, rreth ndërtimit të familjes si bërthamë e shoqërisë së shëndoshë, rreth ndërtimit të ekonomisë së shëndoshë, që do ta shëronte varfërinë në botë, rreth formimit të sistemit të shëndoshë arsimor si bazë drejt edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja dhe shumë problematika të tjera që e preokupojnë gjininë njerëzore. Ngritja e institucioneve hulumtuese dhe studiuese të vlerave të Islamit, janë të domosdoshme për të evituar dobësitë me të cilat ballafaqohen myslimanët sot në vendet e tyre. Kjo do të mundësonte që myslimanët të merren me çështje primare, të cilat i integrojnë ata në botën e zhvilluar, për të shkëmbyer përvoja nga sfera të ndryshme të popujve të mëdhenj në botë. Duhet të kuptohet fakti se arritjet zyrtarizohen në skenën e zhvillimit të vlerave dhe aty legjitimohen. Andaj, një prezantim i thellë i Islamit, do të ishte rruga kryesore për këtë.

(Autori është Kryetar, Reis’ul-Ulema, i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut)

Comments are closed.