Në FSHI u zhvillua konferencë shkencore

Në FSHI u zhvillua konferencë shkencore
“Zani i Naltë” thesari kulturor, fetar e kombëtar
Nën organizimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Maqedonisë këto ditë në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, u mbajt konferenca shkencore “Zani i Naltë, thesari kulturor, fetar e kombëtar”.
Në këtë konferencë shkencore morën pjesë tre liderët shpirtëror shqiptar, Reisul Ulema i BFI-së H. Sulejman ef. Rexhepi, Myftiu i Republikës së Kosovës Mr. Naim ef. Tërnava, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skënder ef. Bruyça, si dhe shumë mysafirë, teologë, shkencëtarë, studiues, profesorë, publicistë e personalitete të ndryshëm.
Në fjalën e vet Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skender ef. Bruça, në fjalimin e vet tha se kjo revistë pati rëndësi të madhe jo vetëm për edukimin fetar islam të popullatës shqiptare por zgjoi edhe ndjenjat e patriotizmit dhe të ngritjes kulturore e arsimore të popullit shqiptar. “Edhe pse ka kaluar një shekull nga dalja e kësaj reviste, artikujt e revistës mbeten sa aktual aq edhe edukues, si dhe me mjaft vlera kulturore e arsimore, duke u bërë kështu një tribunë e trashëgimisë intelektuale te shqiptarët”.
Kurse Myftiu i BIK-ut, Naim ef. Tërnava tha se themelimi i revistës “Zani i Naltë” është një nga vendimet më madhore intelektuale të Kongresit Mysliman Shqiptar, i cili nxori edhe vendime të tjera që u bënë themel i fortë dhe i qëndrueshëm për zhvillimin e jetës fetare, arsimore e kulturore të vendit. “Sot, të gjithë ne, përmes kësaj konference sikur e shlyejmë një pjesë të borxhit që kemi ndaj të parëve tanë, prijësve tanë të shquar, ndaj brezit të intelektualëve e ulemave që krijuan vlera që i rezistuan kohës edhe sot e gjithë ditën. Kontributi i tyre ishte i prekshëm e real, si dhe me vlerë shumë dimensionale, gjë që na bën të ndihemi krenarë me atë brez atdhetarësh, dhe në të njëjtën kohë na bën përgjegjës të vazhdojmë rrugët, mësimet e porosit e tyre të urta e fisnike”, ka thënë myftiu Tërnava.
Të pranishmëve iu drejtua edhe Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili, pasi i përshëndeti të pranishmit nënvizoi se “Zani i Naltë”, nuk është vetëm një revistë e rëndomtë fetare por, mbi të gjitha, është një hartë arkeologjike e fjalës së shkruar. “Jemi mbledhur sot që, përmes një konference shkencore, në fakt, të promovojmë një vepër gjigante, shumë të rëndësishme, një kapital shpirtëror të përfshirë në jë komplet me emrin ZANI I NALTË 1923-1939. Ata të cilët tashmë e kanë pasur nëpër duar dhe e kanë shfletuar këtë kolonë, me të drejtë vlerësojnë se tani para vetes kemi një hartë arkeologjike të fjalës së shkruar dhe se tani ngelë puna e lëvrimit, e studimit dhe e nxjerrjes në sipërfaqe jo vetëm teksturën e një kohë por edhe tërë atë mendim teologjik të të parëve tanë të cilët, në periudhën pospavarësisë, u përkushtuan që fenë islame ta interpretojnë dhe ta kultivojnë edhe në gjuhën tonë të bukur shqipe.
Së këndejmi, po ashtu, këtë kolonë, si një segment të publicistikës shqiptare, unë e konsideroj edhe si një jehonë të fuqishme që ngacmon koshiencën tonë në kryerjen e misionit teologjik duke mos devijuar asnjë milimetër nga vlerat shpirtërore që mbështeten në traditën tonë dhe në kalitjen autoktone të këtyre vlerave.
Thonë që, fjalët e shkruara paraqesin gjurmët e shpirtit. Fjala e shkruar është profili i një kohe e cila risillet në kujtesë sa herë që ta lexoshë atë fjalë të shkruar. Përmbledhja e fjalëve të shkruara nëpër të gjitha ato numra të organit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, ZANIT TË NALTË, në fakt shpreh përkushtimin tonë për t’ju dhënë vlerave nacionale dimensione institucionale! Sot ne, para vetes kemi një arkiv shpirtëror me peshën e një institucioni nacional. Para vetes kemi një epokë e cila mbanë vulën e të parëve tanë, vulën e pishtarëve të islamit autokton; kemi epokën përplot ngjarje, përpjekje, sakrifica e kontribute për të cilat ia vlenë të organizojmë debate, konferenca e takime me qëllim të ndriçimit të kësaj epoke si dhe të personaliteteve që e bënë atë epokë.
Kjo konferencë shkencore ka pikërisht këtë synim, të shpalosë kohën kur ndodhi Zani i Naltë dhe të ndriçojë mendimtarë shqiptarë si dhe pikëpamjet e tyre teologjike mbi çështje të ndryshme që i përkasin besimit tonë.
Dua që me gjithë shpirt t’i përshëndes orgtanizatorët e kësaj konference shkencore që na nderon të gjithëve. Por, pa dyshim, një falënderim të veçantë e shumë të përzemërt edhe të gjithë atyreve që fillimisht e nisën si ide dhe pastaj, arkiv më arkiv, bibliotekë më bibliotekë, ship më ship, rendën duke i tubuar eksemplarët e ZANIT TË LARTË, i skenuan, i sistemuan dhe i bënë komplet të cilat pastaj do të gjenerojnë konferenca e debate të ndryshme.
Dritë u pastë shpirti të gjithë atyreve që na e lanë këtë trashëgimi shpirtërore.
Zoti e bekoftë këtë konferencë shkencore dhe të gjithë pjesëmarrësit në të”, ka përfunduar Sulejman ef. Rexhepi.
Pas fjalëve përshëndetëse konferenca ka vijuar me një seancë shkencore, ku studiues të shquar kanë nxjerrë në pah rolin dhe vlerat mbarëkombëtare dhe fetare të kësaj reviste.
Fillimisht të pranishmëve iu drejtua Doc. Dr. Naser Ramadani më temën “Mendimi pedagogjik në revistën Zani i Naltë”. Pastaj vijuan Prof. Resul Rexhepi më temën Zani i Naltë, projekt i mendimeve vizionare”, Ziber Lata më temën “Shumëdimensionaliteti dhe reflektimet e Zanit të Naltë”, Genti Krtuja “Zani i Naltë, një shekull në shërbim të dijes”, Beqir Memeti “Zani i Naltë zëdhënës i mendimit intelektual të myslimanëve shqiptarë”, si dhe Gazmend Aga ligjëroi më temën “Pozita e gruas në Zanin e Naltë”.
Revista “Zani i Naltë” është organi i parë zyrtar i KMSh-së, dhe është themeluar më 1923. Nga tetori i vitit 2012 ka filluar ribotimin si një revistë që përmban artikuj të mirëfilltë shkencorë në fusha të ndryshme të shkencave islame dhe sociale.

zani1

zani2

zani3

zani4

zani5

zani6

zani7

zani8

zani9

Comments are closed.