Nata e Kadrit, një natë jetësore!

251

Nata e Kadrit, një natë jetësore!

“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj. Me lejen e Zotit të tyre, në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim, deri në mëngjes.” (Kaptina e Kadrit: 1-3)

Nga Doc. dr. Abdylxhemil NESIMI
xhemil

Muaji i bekuar i Ramazanit është muaj i mëshirës dhe shpërblimeve të panumërta nga Allahu Fuqiplotë, andaj, edhe prej shenjave të mëshirës, shpërblimeve dhe drejtësisë absolute të Tij është edhe vetë Nata e Kadrit.
Si nderim për këtë natë mjafton fakti se i Gjithëdijshmi ia ka kushtuar një sure të plotë me këtë emër në Kuran, që quhet Suretul Kadr.
Për rëndësinë dhe pozitën që kjo natë gëzon tek zemrat e njerëzve e tregon dhe fakti që pothuajse i madh e i vogël ditën që i paraprin Natës së Kadrit e agjërojnë.
Pa dyshim se për një natë kaq të rëndësishme dhe kaq madhështore do të ngjallej kureshtja te secili prej nesh rreth asaj se çka duhet bërë për një shpërblim kaq të madh. Është shumë normale që çdo njëri prej nesh do të mendonte se do të kërkohej angazhim i shtuar, adhurim me përkushtim, veprime të shumta dhe të mëdha, pasi që është një natë jetësore.
Pse quhet Nata e Kadrit. Ç’është Nata e Kadrit. Ç’vlera përmban dhe si mund të përfitojmë prej kësaj nate të madhe? Pikërisht për të informuar sadopak lexuesit, po ju ofrojmë këtë material të shkurtër.

Përkufizimi i fjalës el Kadër

Fjala “el Kadër” d.t.th: fuqi, sundim, nder, vlerë. Ky përgëzim hyjnor është aq i qartë dhe i fortë në Kuran, sa nuk lë vend për asnjë koment tjetër. Si rrjedhojë, ky është edhe një argument tepër i fuqishëm për vlerën e lartë të kësaj nate. Në një ajet tjetër Zoti Fuqiplotë përmend natën në të cilën është zbritur Kurani, duke thënë: “Ne ta zbritëm atë në një natë të bekuar. Ne deshëm t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm.” (Ed Duhan: 3)
Prej kuptimeve të Kadrit është nderim ose respektim, sepse ajo është natë e cila nderohet dhe ka një pozitë të veçantë tek Allahu për shkak të karakteristikave të saj. Po kështu dhe personi i cili qëndron zgjuar, duke iu lutur Zotit gjatë kësaj nate, pajiset me një nder të veçantë.
Kuptim tjetër i kësaj fjale është se el Kadër d.t.th shtrëngim, në kuptimin se dituria e saktë se kur është kjo natë, është e fshehur në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, siç do ta shohim më poshtë. Dijetari i njohur Halil ibn Ahmed ka thënë: “Është quajtur Nata e Kadrit, pasi bota shtrëngohet nga numri i madh i melaqeve që zbresin në këtë natë.”
Kadër ka edhe kuptimin e paracaktimit, sepse, në këtë natë paracaktohet se çfarë do të ndodhë për vitin e ardhshëm. Në kaptinën Duhan i Plotfuqishmi këtë natë e quan “Natë të Begatshme” për mirësitë e shumta që u jepet njerëzve.
Këtu kemi përmbledhur vetëm disa prej kuptimeve që përmban ky emër, kuptime që në tërësi shprehin vlerat e kësaj nate.
Vlera e kësaj nate
Kur flasim për Natën e Kadrit, duhet të parafytyrojmë një natë të qetë në muajin e Ramazanit, në të cilën Muhamedi (a. s.) meditonte i vetëm në shpellën Hira, duke iu lutur Zotit që ta drejtonte dhe t’i tregonte rrugën e drejtë. Atë natë i zbriti kryeengjëlli Xhebrail dhe kumtoi urdhrin: “Lexo me emrin e Zotit që të krijoi…” (El Alak : 1-5)
Kurani Famëlartë, si dhe tradita profetike, theksojnë rëndësinë dhe vlerat e mëdha të kësaj nate të begatë, saqë edhe emrin ia ka vënë pikërisht “Nata e Vlerës dhe e Shkallës së Lartë – el Kadër”.

1. Në këtë natë zbriti Kurani Famëlartë
Pikërisht në këtë natë Allahu Fuqiplotë e zbriti Kuranin Famëlartë nga Leuhi Mahfudhi (pllaka e ruajtur mirë tek i Madhi Zot) për në Bejtul Izeh, që është në qiellin e dynjasë. Kurani i Shenjtë pra, filloi t’i zbriste Pejgamberit Natën e Kadrit dhe më pas, sipas kohës dhe situatës, vazhdoi t’i zbriste pjesë-pjesë për afër 23 vjet. Kjo natë nderohet e çmohet, për arsye se në të ka filluar të zbresë Kurani. Ata që e përcjellin Kuranin në gjokset e tyre dhe punojnë sipas tij, do të jenë të nderuar e të shpëtuar ngaherë.
Në kaptinën el Kadër e tërë kjo ngjarje përshkruhet në formën dhe stilin më të lartë, ku i Gjithëdijshmi thotë “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?” (El Kadër : 1-2)

2. Është më e mirë se një mijë muaj
E çfarë vlere më të lartë mund të ketë një natë, sesa të konsiderohet si nata më e mirë se një mijë muaj të tjerë që nuk kanë natë Kadri? Një mijë muaj janë të barabartë me 83 vjet e katër muaj. Kjo natë është më e mirë se një jetë e gjatë e jetuar nga njeriu, një jetë e afërt me një shekull. Andaj, Allahu i Madhërishëm thotë: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!” (El-Kadër: 3)
Kuptohet se vlera dhe dobitë e kësaj nate janë për ata që dinë ta shfrytëzojnë. Kjo natë, pra, është më e mirë se 1.000 muaj, siç thotë Zoti në Kuran. Në këtë thënie del në pah drejtësia e Zotit për t’u dhënë mundësi të barabarta njerëzve për ta adhuruar Krijuesin e tyre, sepse dihet që njerëzit në kohët e hershme kanë qenë më jetëgjatë. Në këtë natë zbresin melaqet e rahmetit, të mirësisë dhe të bereqetit; në këtë natë valëvitet paqja deri në agim.

3. Natë në të cilën zbresin engjëjt
Në lidhje me të në Kuran thuhet: “Me lejen e Zotit të tyre, në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.” (El-Kadr: 4) Do të thotë se në këtë natë zbresin melaqet dhe bashkë me to zbret edhe Xhibrili (a. s.) dhe sjellin me vete urdhrin për të mirë dhe për begati.
Autori i komentit tradicional (Tefurl Kuranil adhim) Ibn Kethiri, në vëllimin IV, faqja 568, thotë: “Në këtë natë shtohet zbritja e melaqeve, për shkak të shtimit të bereqetit të kësaj nate. Engjëjt zbresin me begatitë dhe mëshirën, ashtu sikurse zbresin kur lexohet Kuran, e rrethakojnë grumbullin e njerëzve që e përmendin Allahun dhe i lëshojnë krahët e tyre në shenjë madhërimi dhe respekti për atë që kërkon dijen me të vërtetë.”

4. Paqe deri në agim

I Lartësuari në Kuran thotë: “Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim, deri në mëngjes.” (El-Kadr: 5)
Gjatë komentimit të këtij ajeti tefsirologët kanë ofruar mendime të ndryshme, mirëpo ato mund të rrumbullakohen në këtë që vijon:
– Në këtë natë djalli nuk mund të bëjë asnjë të keqe dhe asnjë dëm.
– Melaqet i përshëndesin ata që e madhërojnë Allahun në këtë natë.
– Në këtë natë nuk mund të bëhet magji ose ndonjë sëmundje që zakonisht i bëjnë djalli dhe fallxhorët.
– Në këtë natë mbretëron mirësia dhe bereqeti.

Në traditën profetike gjejmë shumë hadithe lidhur me vlerat e Natës së Kadrit dhe kërkimin e kësaj nate në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Ebu Hurejre transmeton se i dërguari i Zotit ka thënë: “Kush falet Natën e Kadrit me besim dhe shpresë, i falen gjynahet që ka bërë më parë.”
Muhamedi (a.s) na paralajmëron dhe na këshillon që kjo natë mos na gjejë indiferentë dhe në harresë, por duke u falur dhe lutur, ngaqë privimi nga adhurimi i kësaj nate është privim nga shumë të mira dhe shpërblim hyjnor. Ai u thoshte shokëve të tij: “U ka ardhur ky muaj, në të cilin gjendet nata që është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet prej kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë dhe nuk privohet nga mirësitë e saj, veçse një i mjerë.”
Në cilën natë?
Nata e Kadrit është një prej netëve teke brenda dhjetë netëve të fundit që për rëndësinë e saj do të na mjafton vetë fjala e Allahut Fuqiplotë ku thotë: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” Pra, minimumi i shpërblimit të kësaj nate është 1.000 muaj ose diku mbi 83 vjet. Nëse bëjmë një përllogaritje shumë të thjeshtë, duke shkuar çdo herë me vlerat minimale, duke marrë parasysh mesataren e jetesës së njeriut, në ditët tona, na del se njeriu nëse jeton deri në moshën 60-70 vjeçare, i bie të agjërojë diku 40 vjet, pra 40 Net të Kadrit, që do të thotë se mund të arrijë diku mbi 3.300 vite adhurim, lexim të Kuranit, itikafe, sadaka, e shumë e shumë vepra të tjera.
Pra, drejtësia e të Përlëvduarit shfaqet pikërisht këtu, pasi që njerëzit në kohët e mëhershme kanë jetuar shumë më gjatë se ne, siç kemi rastin e Nuhit (a. s), i cili vetëm thirrje ka bërë 950 vite e që do të thotë se kanë pasur një jetë shumë më të gjatë se ne. Kështu mund të arrihet edhe përmbushja e asaj që na ka lajmëruar Pejgamberi (a. s.), se ne do jemi para popujve të tjerë në të shpërblyer, në ditën e Gjykimit. Duke pasur parasysh jetëgjatësinë e tyre në krahasim me jetëshkurtësinë tonë, mund të konkludojmë se përparësia mund të na jepet vetëm me shanse të tilla siç është Nata e Kadrit. Andaj, jo kot gjeneratat e mëparshme kanë thënë se sikur të kërkohej edhe gjatë tërë vitit, do t’ia vlente për shkak të rëndësisë së saj.
Pa dyshim se për një natë kaq të rëndësishme dhe kaq madhështore do të ngjallej kureshtja te secili prej nesh rreth asaj se çka duhet bërë për një shpërblim kaq të madh, ashtu siç kishte ndodhur me Aishen (r. a.), e cila posa kishte dëgjuar për një natë të tillë dhe për rëndësinë e saj, pa u hamendur fare e kishte pyetur të dërguarin e Zotit se çka kërkohej të bëhej nëse arrihet një natë e tillë?
Është shumë normale që çdo njëri prej nesh do të mendonte se do të kërkohej angazhim i shtuar, adhurim me përkushtim, veprime të shumta dhe të mëdha, pasi që është një natë jetësore, por për çudi i dërguari i Zotit u përgjigj me një përgjigje shumë të thjeshtë, por me një rëndësi të madhe. I tha Aishes (r. a.) se nëse e arrin këtë natë, atëherë thuaj: “Allahume ineke afuwun, tuhib el-afuw, fe’fu anni”, që d.t.th. “O Zoti ynë! Ti je falës, e do faljen, andaj më fal mua.” Pra, e tërë kjo natë e përmbledhur në një lutje të vetme, është e ngritur mbi dy komponentë kryesorë-mbi dashurinë ndaj Allahut Fuqiplotë dhe faljen e Tij.
Nga një sërë hadithesh kuptohet qartë që Nata e Kadrit është në dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit. Vetë Aishja (r. a.) tregon: ”I dërguari i Zotit mbyllej në itikaf dhjetë ditët e fundit dhe na thoshte: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit!”
Tregon Ebu Seid se Muhamedi (a. s.) doli në mëngjesin e ditës së njëzet të Ramazanit dhe u tha njerëzve: ”Unë e dija Natën e Kadrit, por e harrova, prandaj kërkojeni në dhjetë ditëshin e fundit, në ditët teke!”
Meqë fillimi i ditës së Ramazanit ndryshon nga një vend në tjetrin, siç vihet re, netët teke në disa vende janë çift; mu për këtë arsye Nata e Kadrit duhet të kërkohet në të gjitha netët e dhjetë ditëve të fundit.
Kjo natë e madhe kërkohet në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit. Që nga udhëzimet profetike, këtu e XV shekuj më parë, nuk kanë shteruar përpjekjet për të përfituar sa më shumë prej saj. Vërtet tregti e rrallë, përfitim i pastër dhe mijëra herë më shumë!

Urtësia në mospërcaktimin e kësaj nate?

I Madhërishmi nuk e ka përcaktuar në mënyrë decide ditën kur mund të bie kjo natë, për t’i nxitur besimtarët që ta kërkojnë vazhdimisht dhe në të gjitha netët e fundit të këtij muaji të bekuar. Mirëpo, në fshehtësinë e kësaj nate ka shumë urtësi. Nëse të gjithë do ta dinim me përpikëri Natën e Kadrit, vendosmëria dhe vullneti gjatë Ramazanit do të pësonte rënie. Njerëzit, thjesht do t’i kushtonin rëndësi dhe vëmendje pikërisht kësaj nate, të cilën do ta kalonin në adhurim dhe punë të mira dhe – kaq. Prandaj, fshehja e saj shihet si një motivim për më shumë punë gjatë gjithë muajit dhe një dyfishim të punëve të mira sidomos gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Sigurisht, nga kjo ka vetëm mirësi për individin dhe ummetin mysliman.
E njëjtë me fshehtësinë e Natës së Kadrit është dhe ora e pranimit të lutjes ditën e Xhuma, ashtu siç është dhe fshehtësia e emrit më të madh të Zotit, me të cilin nëse dikush e lut Zotin, i përgjigjet dhe ia pranon lutjen. Që të trija janë ruajtur të fshehta, me qëllim që ne ta lusim dhe adhurojmë Zotin sa më shumë.
Transmeton Imam Buhariu nga Ubade ibn Samit, se i dërguari i Zotit doli t’u tregojë myslimanëve Natën e Kadrit. Me të dalë, ai u ndesh me dy myslimanë të cilët po grindeshin me njëri-tjetrin. I dërguari i Zotit tha: “Dola t’u tregoj kur është Nata e Kadrit, mirëpo për shkak se filani dhe filani po grindeshin, e harrova. Ndoshta është më mirë për ju.”
Ky hadith njëherit është tregues i qartë se sa e dëmshme është grindja, si rezultat i së cilës u fsheh kjo mirësi e madhe. Andaj, përçarjet, zënkat, komplotet, shantazhet janë shkas i privimit të shumë begative, e në veçanti në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, i cili i tëri është mirësi. Mirëpo, jeta nuk është vetëm një muaj, por ne në këtë muaj duhet marrë mësim se si duhet të jemi gjatë muajve të tjerë pas-Ramazan.
Nata e begatë pritet fuqishëm!
Të habit fakti se te kjo natë kemi përqafuar më shumë magjinë matematikore, duke e keqspostuar kështu thelbin, apo shpirtin e saj. Në të vërtetë, ajo ishte një natë nga netët e shumta, po e errët. Por, u bë Natë e Kadrit për shkak të mesazhit që i mbërriti njerëzimit.
Tani te ne ajo njihet si më e mirë se një mijë muaj. Ajo natë e errët po ndriçon botën dhe Kurani që atëherë e deri në përjetësim vazhdon të udhëzojë njerëzimin.
Xhamitë dhe bashkësitë myslimane e presin dhe qëndrojnë zgjuar gjatë saj. Dëgjojnë ligjërata, lexojnë Kuran e shumë e shumë vepra të tjera. Por, ajo që si duket mungon shumë, është reflektimi mbi fjalët hyjnore dhe vënia e tyre në jetë. Nëse nuk bëhet kjo, besoj se mrekullia e kësaj nate nuk do ta japë efektin e duhur.