Namazi i teravisë – mësimet, rregullat dhe dispozita

jusuf

Namazi i teravisë – mësimet, rregullat dhe dispozita

Për ligjshmërinë e namazit të teravisë argumentojnë shumë hadithe të Pejgamberit [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme], e për këtë ekziston konsensusi (Ixhma) i dijetarëve islamë. Ligjësimin e teravisë e kundërshtojnë vetëm Havarixhët

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Namazi i teravive, në esencë, është namaz që i takon grupit të namazeve nafile, e që dispozita e këtij namazi është Sunnet i fortë (Sun-neti Muek-kede) si për meshkuj, ashtu edhe për femrat, kurse falja e këtij namazi me xhematë është sunneti kifaje. Ky lloj i namazit është karakteristikë e veçantë e muajit të Ramazanit të begatshëm, kurse koha e faljes së namazit të teravisë është pas namazit të jacisë, por para namazit të vitrit, e deri pak para namazit të sabahut. Pejgamberi [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme] për namazin e teravive ka thënë: ”Vërtet Ramazani është muaji që Allahu ((xh. sh.).) ua obligoi agjërimin e tij, kurse unë myslimanëve ua bëra sunnet faljen e namazit të teravive, andaj kush e agjëron (Ramazanin) me bindje dhe besim të thellë dhe me qëllim që të arrijë shpërblimin e Allahut (xh. sh.), ai pastrohet nga mëkatet sikur atë ditë që e ka lindur nëna e vet.” (Ahmedi)
Përmes këtij hadithi i dërguari i Allahut [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme] përveç faktit se na informon për obligueshmërinë e agjërimit dhe dispozitën e faljes së namazit të teravisë, në mënyrë të tërthortë, përmes bashkimit të agjërimit dhe namazit të teravisë në një vend, na tregon edhe për rëndësinë dhe dobitë e namazit të teravisë, edhe pse dispozita e këtij namazi nuk e arrin shkallën e farzit. Pra, nëse besimtari islam arrin që brenda ditës së Ramazanit të kompletojë agjërimin e tij, kurse brenda natës arrin që të kompletojë faljen e namazit të teravisë, atëherë konsiderohet se ka arritur që me sukses të përmbyllë një ditë të jetës së tij brenda Ramazanit, tërësisht i zhytur në adhurim, ditën përmes agjërimit dhe natën përmes namazit të teravisë. Kjo punë edhe pse në shikim të parë duket e këndshme dhe e lehtë, në realitet është punë e vështirë dhe sakrificë e cila nuk mund të arrihet pa një besim-iman të fuqishëm dhe stabil tek Allahu (xh. sh.) dhe pa një bindje stimuluese për shpërblim nga Allahu (xh. sh.), andaj i dërguari i Allahut [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme] na tregon se besimtari i cili bën përpjekje për të arritur këtë shkallë, shpërblimi për mundin dhe sakrificën e tij është kapital, sepse ai me këto veprime të harmonizuara shkëputet nga bota e mëkateve dhe transferohet në një botë krejt të re, pa mëkate, ashtu sikurse që fëmija është i pastër nga mëkatet ditën kur lind nga nëna e tij.

Ligjshmëria e namazit të teravisë

Për ligjshmërinë e namazit të teravisë argumentojnë shumë hadithe të Pejgamberit [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme], e për këtë ekziston konsensusi (Ixhma) i dijetarëve islamë. Ligjësimin e teravisë e kundërshtojnë vetëm Havarixhët. Imam Neveviju thotë: Namazi i teravisë është sunnet sipas konsensusit të dijetarëve, kurse imam Serahsiju thotë: Ekziston konsensus i ummetit islam se namazi i teravisë është sunnet dhe këtë nuk e kontestoi askush përveç Rafidive, dhe atyre u bashkëngjitet edhe një grupacion nga vehabitë, të cilët kontestojnë se në Ramazan ka namaz të veçantë, porse ata thonë se namazi i vitrit është ai i cili quhet namaz i teravisë në Ramazan!

Numri i reqatëve të namazit të teravisë

Para se të lëshohemi në shpjegimin dhe paraqitjen e mendimeve të dijetarëve islamë rreth numrit të reqatëve të namazit të teravisë, që në fillim të theksojmë se nuk ekziston tekst autentik, apo hadith i shprehur nga goja e Pejgamberit [Alejhis-selam] që me saktësi e përkufizon numrin e reqatëve të namazit të teravisë. Këtë e vërtetuan shumë dijetarë islamë, e në mesin e tyre edhe Imam Sujutiu, i cili shumë qartë e pastron këtë dilemë, duke sqaruar se të gjitha hadithet sahih shpijnë drejt imperativit dhe nxitjes së faljes së namazit të teravisë, pa përcaktuar saktësisht numrin e reqatëve. Të gjitha dilemat që eventualisht u paraqitën në mesin e dijetarëve islamë rreth përkufizimit të numrit të reqatëve të namazit të teravisë janë si rezultat i transmetimeve të shumta të veprimit të sahabëve (shokëve të Pejgamberit a. s.) se sa reqatë namaz të teravive kanë falur ata!
Vlen të theksohet fakti se Ehli Sunne vel Xhemati namazin e teravisë gjithnjë e kanë falur me njëzet reqatë me xhematë, me përjashtim të disave që veten e quajnë selefij, të cilët namazin e teravisë në shtëpi dhe në xhamitë e tyre të veçanta e falin me tetë reqatë, ose njëmbëdhjetë reqatë bashkë me namazin e vitrit, e pastaj dalin në opinion dhe akuzojnë myslimanët dhe dijetarët tjerë për përçarje dhe mosnjohje të fakteve islame. Në vazhdim gjatë prezantimit të argumenteve dhe mendimit të dijetarëve islamë do të mundohemi të vërtetojmë për realitetin e kësaj çështje.

Namazi i teravisë nuk është tetë reqatë!

Në sahihun e Imam Buhariut dhe Muslimit gjejmë hadithin e transmetuar nga Aisheja (r. a.), e cila, në rastin kur është pyetur për namazin e Pejgamberit [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme], ka thënë: Pejgamberi (a. s.) as në Ramazan e as jashtë Ramazanit nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë reqatë. I falte katër reqatë, e mos pyet për bukurinë e tyre e as për zgjatjen e tyre, pastaj sërish i falte katër reqatë e mos pyet për bukurinë dhe zgjatjen e tyre, e pastaj i falte tre reqatë. Unë i thashë: O i dërguar i Allahut, a po flen para se me falë vitrin? Tha: Oj Aishe, vërtet sytë e mi flenë, por zemra ime nuk flen.” (Buhariu dhe Muslimi)
Edhe pse duke u bazuar në aspektin sipërfaqësor dikush mendoi se me këtë hadith vërtetohet se numri i reqatëve të teravisë është tetë, ky argumentim nuk mban për disa shkaqe.
Hadithi i transmetuar nga Aisheja (r. a.) nuk është argument bindës se namazi i teravisë është tetë reqatë, për arsye se hadithi në fjalë ka të bëjë me namazin e vitrit e jo me namazin e teravisë. Argumenti se ky hadith ka të bëjë me namazin e vitrit e jo me namazin e teravisë, është vetë teksti i hadithit, ku thotë: “as në Ramazan e as jashtë Ramazanit”, sepse namazi i teravisë është specifikë e muajit të Ramazanit dhe nuk falet jashtë Ramazanit, e namazi që falet jashtë Ramazanit është namazi i vitrit. Nga kjo nënkuptohet se sikur hadithi të bënte fjalë për namazin e teravisë, atëherë ky namaz do të duhej falur edhe pas Ramazanit, e këtë nuk e ka thënë e as pranuar askush nga myslimanët.
Në anën tjetër, asnjëherë, asnjëri nga dijetarët e mëdhenj islamë, muxhtehidët, nuk e ka përdorur këtë hadith si argument për të vërtetuar numrin e reqatëve të namazit të teravisë. Përkundrazi, shumica e dijetarëve eminentë islamë kanë thënë se qëllimi i këtij hadithi është namazi i vitrit e jo namazi i teravisë. Imam Neveviju me këtë hadith argumenton se maksimumi i namazit të vitrit, si gjatë Ramazanit ashtu edhe jashtë Ramazanit, është njëmbëdhjetë reqatë. Gjithashtu, edhe fukahatë islamë duke u bazuar në këtë hadith, vërtetuan se maksimumi i namazit të vitrit është njëmbëdhjetë reqatë. Pra, të gjitha këto janë argumente që vërtetojnë se hadithi i Aishes (r. a.) flet për namazin e vitrit e jo për namazin e teravisë, andaj nuk është argument i fuqishëm për vërtetimin e reqatëve të namazit të teravisë, por të vitrit. Imam El Kastalani në veprën e tij “Irshadu es-sari ala sahihil buhari” në pjesën e pestë thotë: Thënia e Aishes se Pejgamberi (a. s.) nuk ka shtuar më shumë se njëmbëdhjetë reqatë as në Ramazan, as jashtë Ramazanit, nuk e vërteton numrin e reqatëve të namazit të teravisë, ngase dijetarët e hadithit këtë e kanë shpjeguar se ka për qëllim namazin e vitrit, e jo të teravisë.
Në anën tjetër, nëse ky hadith ka të bëjë me përcaktimin e numrit të reqatëve të namazit të teravisë, siç po pretendojnë disa nga të vetëquajturit selefij, atëherë vetvetiu lind pyetja: Pse Aisheja me vite të tëra ka heshtur? Pse nuk ka reaguar kur ka parë se as’habët kanë falur njëzet reqatë teravi? Pse nuk i ka përmirësuar ata? A thua Aisheja, nëna e besimtarëve, do t’i linte në lajthitje ata dhe të gjithë pas tyre? Sigurisht që jo! Por, ky është argument shtesë se hadithi i Aishes (r. a.) nuk ka të bëjë me namazin e teravisë, porse me namazin e vitrit ose të tehexhudit.
Të supozojmë se po pranojmë se ky hadith ka të bëjë me namazin e teravisë, siç interpreton dikush, por, sërish argumentimi me të, për kufizimin e numrit të reqatëve të namazit të teravisë në tetë apo njëmbëdhjetë, është i pavlefshëm. Argumentimi është i pavlefshëm sepse ky hadith është Haberun Vahid (Hadith Njërrugor), e kur Hadithi Ahad bie ndesh me konsensusin e dijetarëve, atëherë nuk merret për argument, sepse konsensusi i dijetarëve është më i fuqishëm sesa Hadithi i Ahad. Në rastin konkret, nëse hadithi i Aishes (r. a.) e përkufizon numrin e reqatëve të namazit të teravisë në tetë apo njëmbëdhjetë, është në kundërshtim jo vetëm me konsensusin e dijetarëve islamë, por drejtpërdrejt me konsensusin e sahabëve, se namazi i teravisë është me njëzet reqatë.
Në një transmetim tjetër nga Ibni Hibani në koleksionin e tij, si dhe Ibni Huzejme, po ashtu në sahihin e tij, transmetojnë nga Xhabir b. Abdullahi, i cili ka thënë: I dërguari i Allahut [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme] në muajin e Ramazanit na i fali neve tetë reqatë dhe namazin e vitrit.
Ky hadith, sipas dijetarëve të Hadithit, është i dobët siç transmeton Saxhi dhe Ukajli, andaj edhe nuk vlen për argument, për shkak se në zinxhirin e këtij hadithi është Isa b. Xharije. Bile, Imam Ebu Davudi dhe Nisaiju këtë hadith e kanë trajtuar si Hadith Munker. Gjithashtu, në senedin e këtij hadithi është edhe Jakub ibn Abdullah El-Kummi, për të cilin Dare Kutni thotë: “Është i dobët.”

Namazi i teravisë, njëzet reqatë

Transmetohet nga Ibni Abasi (r. a.), i cili ka thënë: “Pejgamberi [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme] në Ramazan i falte njëzet reqatë namaz dhe namazin e vitrit (gjithsej njëzet e tre reqatë). (Taberaniu) Imam El Hejthemiu thotë se ky hadith është i dobët, për shkak se në transmetimin e këtij hadithi është Ebu Shejbe Ibrahimi.
Imam Er-Rafiiju në veprën “Esherhul kebir”, në kapitullin “Namazi i teravisë”, thotë: Namazi i teravisë është njëzet reqatë, sepse është transmetuar se Pejgamberi [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme] njerëzve dy net ua kishte falur namazin e teravisë nga njëzet reqatë, e natën e tretë ishin grumbulluar shumë njerëz, e ai nuk doli, pastaj të nesërmen u tha: “U frikësova se po u bëhet farz juve ky namaz, e pastaj rëndoheni me të.” Imam Rafiju nuk tregon për gradën e hadithit, por supozojmë se është Hadith Sahih, sepse po të ishte hadith i dobët, sigurisht se imam Rafiiju nuk do ta përdorte për argument, veçanërisht kur e dimë mirë faktin se në medhhebin Shafiij hadithi i dobët nuk përdoret për argument, sepse imam Shafiu ka thënë: “Nëse hadithi është sahih, ai është medhhebi im.”
Transmetohet nga Zejd ibn Vehbi se ka thënë: “Neve gjatë Ramazanit na ka falur Abdullah ibn Abbasi; ai na falte e pastaj tërhiqej në dhomën e tij”. Pastaj A’mashi ka shtuar: “Ka falur njëzet reqatë teravi dhe tre reqatë vitër.”
Transmetohet nga Jezid ibn Rumani, i cili ka thënë: “Njerëzit gjatë kohës së Omerit kanë falur njëzet e tre reqatë.” (Muvata Ibni Malik) Pastaj Imam Bejhekiju po ashtu ka transmetuar nga Aliu (r. a.) se namazi i teravisë është njëzet reqatë.
Transmetohet nga Saib ibn Jezidi se ka thënë: “Gjatë kohës së Omerit njerëzit kanë falur njëzet reqatë dhe kanë lexuar dyqind ajete, kurse në kohën e Osmanit ju ënjteshin këmbët nga qëndrimi në namaz.”
Transmetohet nga shumë sahabë se, ata namazin e teravisë e falnin nga njëzet reqatë. Transmeton Ibni ebu Shejbe nga Ibni Ebu Mulejke, se ai në Ramazan ua falte njerëzve namazin e teravisë nga njëzet reqatë. Gjithashtu, transmetohet nga Abdulaziz b. Refiu se ka thënë: Ubeje b. Ka’bi gjatë Ramazanit në Medinë ua falte njerëzve namazin e teravisë nga njëzet reqatë dhe tre reqatë namaz të vitrit. Imam Bejhekiu transmeton nga Ebu Hasibi, i cili ka thënë: Në Ramazan na e falte neve namazin e teravisë Suvejd b. Gafele, i cili na e falte namazin me nga pesë pushime, pra njëzet reqatë. Pastaj, gjithashtu transmeton nga Shutejr b. Shekeli, i cili transmeton njërin nga shokët e Aliut (r. a.) që tregon se Aliu ua falte atyre namazin e teravisë si imam gjatë Ramazanit me njëzet reqatë.

Konsensusi i sahabëve për faljen e teravisë 20 reqatë

Transmetohet nga Abdurrahman b. Abdulkari, i cili ka thënë: Një natë, gjatë Ramazanit, dola me Omerin (r. a.) në xhami, e atje i pamë njerëzit duke u falur të shpërndarë, dikush falej veçmas, e disa faleshin në grupe etj. Omeri kur i pa tha: Unë mendoj që t’i bashkoj këta njerëz që të falin namazin me një imam. Pastaj i thirri të gjithë sahabët dhe i bashkoi në një xhematë, kurse për imam të tyre caktoi Ubeje b. Ka’bin. Pastaj, kur doli natën tjetër dhe i pa njerëzit duke u falur me xhematë pas një imami, tha: Sa risi (bidat) e mirë është kjo.
Dijetarët thonë se Omer b. Hatabi, kur e përdori nocionin bidat, e ka përdorur në aspektin gjuhësor e jo atë terminologjik, të sheriatit islam. Këtë e vërteton edhe transmetimi i Esed b. Amrit nga imam Ebu Jusufi, i cili një ditë prej ditëve e kishte pyetur mësuesin e tij Imam Ebu Hanifen rreth namazit të teravisë dhe veprimit të Omerit për faljen me xhematë, e Ebu Hanifja i ishte përgjigjur: Namazi i teravisë është sunneti i fortë. Omeri nuk e kishte paramenduar këtë namaz nga mendja e tij, e as nuk ka bërë ndonjë bidat. Ai nuk do të kishte urdhëruar për faljen e namazit të teravisë me xhematë 20 reqatë pa pasur argument, ose pa pasur premtim nga Pejgamberi (s.a.v.s.). Omeri urdhëroi dhe bashkoi njerëzit në xhematë nën udhëheqjen e Ubeje b. Ka’bit, që ai tua falë namazin e teravisë. Sahabët u bashkuan rreth këtij urdhri, ensarë e muhaxhirë dhe askush nga sahabët jo që nuk e ka kundërshtuar këtë urdhër, por, as nuk qëndroi indiferent, përkundrazi ata e ndihmuan çështjen, u pajtuan dhe urdhëruan në zbatimin e këtij urdhri.
Sheh Ibni Tejmije rreth shpjegimit të kësaj çështje thotë: Pas vdekjes së Pejgamberit [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme] Omer b. Hatabi i bashkoi njerëzit që të falin namazin e teravisë me xhematë nën udhëheqjen e Ubeje b. Ka’bit, e Omeri është njëri nga Hulefai Rashidinët, për të cilët Pejgamberi [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: ”Keni kujdes ndaj sunnetit tim dhe sunnetit të Hulefai Rashidinëve pas meje.” Pra, këtë që e bëri Omeri (r. a.) është sunnet e nuk është bidat, kurse fjala e tij “sa bidat i mirë që është”, nënkupton vetëm aspektin gjuhësor të fjalës, sepse ai bashkoi njerëzit nën një imam. (Mexhmuul fetave) Gjithashtu, Ibni Tejmije shton duke thënë: Dijetarët janë të mendimit se ky veprim i Omerit është sunnet, sepse ishte veprim i përbashkët mes ensarëve dhe muhaxhirëve, dhe këtë veprim nuk e kontestoi askush.
Imam Hakimi në komentimin e tij në mustedrek, që i bën hadithit të transmetuar nga Talha b. Zijad El Ensariu, thotë: Aliu (r. a.) e trimëronte Omerin (r. a.) që ta ngrinte këtë sunnet dhe të organizonte një veprim të tillë, derisa edhe e bëri, që namazi i teravisë të falet me një imam dhe me xhematë me njëzet reqatë.
Në veprën “Ed-durer es-sunnijeti fil exhvibeti en-nexhdije”, në pjesën e katërt, thuhet: është pyetur Sheh Muhamed Abdulvehabi për numrin e reqatëve të namazit të teravisë, e ai është përgjigjur: Atë që e preferoj është njëzet reqatë.

Argumentueshmëria e Ixhmait

Kur jemi tek ixhmai i sahabëve dhe dijetarëve islamë për një çështje prej çështjeve islame, patjetër të nënvizojmë se argumentimi me ixhma është argument i prerë. Lidhje me formimin e ixhmait (konsenzusit) po paraqesim mendimin e Ibni Tejmijes, i cili mes tjerash thotë: Është vërtetuar nga të gjithë usulistat se ixhami (konsenzusi) nuk mund të formohet pa ekzistimin e tekstit nga Pejgamberi [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme], i cili do të jetë fundament i ixhmait. Fundamenti i ixhmait ndoshta shumë herë nuk arrin tek ne përmes konsensusit, mirëpo kur të formohet konsensusi mbi atë tekst, atëherë nuk ka nevojë që ndiqet teksti për shkak të ekzistimit të ixhmait, ngase ixhmai është më i fuqishëm se teksti. Veprohet kështu ngase ndoshta teksti ka arritur tek ne vetëm përmes rrugës së dobët, sepse edhe nëse teksti është i vërtetë, ai dobësohet për shkak të transmetuesit të dobët, e jo për shkak të tekstit, siç është rasti me numrin e reqatëve të namazit të teravisë, sepse ne aspak nuk dyshojmë se sahabët dhe dijetarët e mëdhenj nuk e kanë braktisur tetëreqatëshin në njëzet reqatë pa pasur tekst të vërtetë. Andaj, nuk është kusht që argumentet e ixhmait të kenë arritur deri te ne.
Atëherë, nëse arrihet konsensusi i myslimanëve për një çështje të caktuar, nuk lejohet për askënd që të kundërshtojë apo veprojë me të kundërtën e asaj që është arritur konsensusi, qoftë edhe nëse argumenton me hadith. Kjo mbështetet në hadithin e Pejgamberit [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme] ku thotë: “Nuk bashkohet ummeti im në të pavërtetën (dalalet).” (Termidhiu) Këtë e përforcon edhe ajeti kuranor ku Allahu (xh. sh.) thotë: Kush i kundërvihet të Dërguarit, pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që e ka zgjedhur (në Dynja) dhe e fusim në xhehenem. Përfundim i keq është ai. (En-Nisa:115) Në komentimin e këtij ajeti Ibni Tejmije thotë: Ky ajet sinjalizon se bashkimi i myslimanëve rreth një çështjeje (ixhmai) është argument, andaj ai i cili i kundërvihet ixhmait, konfrontohet me të dërguarin e Allahut [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme], sepse ixhmai është formuar në bazë të tekstit. Andaj, çdo ixhma, përveç tjerash, ndërpret edhe mosmarrëveshjet dhe grindjet mes myslimanëve, sepse ai konsiderohet udhëzim dhe sqarim i së vërtetës nga Allahu (xh. sh.), andaj kundërshtuesi i ixhmait bënë kufër (pabesim), ashtu siç bën kufër ai që e kundërshton tekstin.

Mendimet e fukahave islamë rreth namazit të teravisë

Edhe pse kishte mendime të ndryshme rreth numrit të reqatëve në kohën e Pejgamberit [Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme] dhe të sahabëve, fukahatë islamë janë të mendimit se me arritjen e konsensusit (Ixhmait) në kohën e Omer b. Hatabit (r. a.) shuhen të gjitha dilemat rreth kësaj çështje. Andaj, dijetarët e medhhebit hanefij, shafiij, hanbelij dhe pjesa dërrmuese e fukahave të medhhebit malikij janë të mendimit se numri i reqatëve të namazit të teravisë është njëzet dhe çfarëdo tentativë tjetër mund të jetë vetëm përçarje e ummetit islam.
Imam Maliku (r. a.), parimisht edhe ky është i mendimit se namazi i teravisë është njëzet reqatë, por përparësi i jep faljes së namazit të teravisë me 36 reqatë. Ky mendim mbështetet në transmetimin e Davud ibn Kajsit, ku transmetohet se ka thënë: “I kam takuar njerëzit në kohën e Eban ibn Osmanit dhe Omer ibn Abdulazizit në Medinë kur kanë falur tridhjetë e gjashtë reqatë teravi dhe tre reqatë vitër.
Këtë çështje e sqaron bukur edhe Imam Shafiu (r. a.), i cili thotë: I kam parë banorët e Mekës, të cilët në Bejtullah (Qabe) i falnin nga 20 reqatë me pesë pushime, kurse pas çdo katër reqatëve kur pushonin bënin nga një tavaf rreth Qabesë. Në anën tjetër, i kam pare banorët e Medinës duke i falur nga 36 reqatë. Arsyeja ishte se banorët e Medinës, duke dëshiruar të barazohen në sevape me banorët e Mekës, të cilët në katër pushime bënin nga një tavaf, e këta nuk kishin mundësi tavafi, atëherë vendosën që për katër tavafe të falin nga katër reqatë namaz të teravisë. Andaj, derisa në parim ishin njëzet reqatë namaz të teravisë, dhe këta shtonin edhe 16 reqatë për të arritur sevapin e mekasve, numri i përgjithshëm arrinte në 36 reqatë. Mirëpo, ajo që është karakteristikë e këtij veprimi është se Imam Er-Remliu thotë se kjo dukuri ishte karakteristikë vetëm e medinasve, edhe atë për shkak të shpërnguljes së tyre nga Meka.
Mirëpo, ajo që është shumë e rëndësishme të potencohet në këtë rast, është fakti që e shtjellojnë dijetarët e mëvonshëm kur thonë se Imam Maliku më vonë ishte tërhequr nga ky mendim dhe plotësisht ishte dakord se namazi i teravisë është 20 reqatë. Për këtë argument më i fuqishëm është vetë praktika e medhhebit malikij, ku në tërë botën falin nga 20 reqatë namaz të teravisë. Gjithashtu, këtë e vërteton edhe literatura e shkruar e fikhut nga medhhebi malikij.
Nga kjo analizë, konstatohet se përveç ixhmait të sahabëve në kohën e Omer b. Hatabit, për namazin e teravisë kanë formuar ixhma edhe fukahatë islamë nga të gjitha shkollat juridike islame (medhhebet) dhe namazi i teravisë në tërë globin falet 20 reqatë. Një praktikë të tillë është e dëshmuar edhe në vetë Qabenë e shenjtë, ku namazi i teravisë rregullisht falet 20 reqatë, gjithashtu edhe në xhaminë e Pejgamberit (a. s.)në Medine namazi i teravisë falet 20 reqatë. Këtë çështje nuk e kundërshtoi askush nga dijetarët islamë, derisa në skenë dolën disa nga dijetarët vehabistë dhe bënë përçarje në mesin e ummetit, duke pretenduar se namazi i teravisë qenka tetë apo njëmbëdhjetë reqatë. Ky mendim jo që nuk ka bazë e as mbështetje shkencore islame, por nuk ka as logjikë të veprimit, sepse do të ishte absurd që dikush të bindet se mbi 14 shekuj myslimanët në të gjitha këndet e botës të kenë falur gabimisht namazin e teravisë, kurse tani këta të quajtur selefij ta përmirësojnë këtë gabim! Thjesht, kjo është tendencë e përçarjes dhe dobësimit të ummetit islam, i cili edhe ashtu është i dobësuar dhe i lodhur.

Mënyra e faljes së namazit të teravisë

Fukahatë islamë janë të mendimit se për faljen e namazit të teravisë nuk ka nevojë as ezan e as ikamet, sepse Pejgamberi (Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme) kishte sqaruar se ezani dhe ikameti bëhen vetëm para namazeve ditore farze dhe namazit të xhumasë.
Gjatë faljes së namazit të teravisë dijetarët janë unikë në mendimin se është e preferuar që të pushohet nga pak pas çdo katër reqatëve, aq sa mund të falën katër reqatë. Gjatë këtij pushimi zakonisht heshtet, por mund që edhe lexohet Kuran apo të bëhet ndonjë dhikr tjetër.
Në parim, gjatë faljes së namazit të teravisë jepet selam pas çdo të dytit reqatë. Mirëpo, sipas fukahave të medhhebit hanefij, edhe nëse falen njëzet reqatë me një selam, namazi i teravisë është i vlefshëm nëse falësi ka ndenjur ulur pas reqatit të dytë. Ky namaz është i vlefshëm, sepse i ka plotësuar të gjitha ruknet dhe kushtet e namazit, kurse marrja e tekbirit fillestar pas reqatit të dytë nuk është kusht i namazit të teravisë. Mirëpo, duhet pasur parasysh se një veprim i tillë është i urryer nëse bëhet me qëllim. Namazi i teravisë falet në këmbë, si namazet tjera, nëse ekziston mundësia, e nëse nuk ka mundësi të falet në këmbë, por namazin e teravisë e fal ulur, namazi është i vlefshëm, por me mekruhi tenzihen.
Falja e namazit të teravisë me xhematë është sunneti kifaje, që nënkupton se nëse braktiset xhemati dhe askush nuk e fal me xhematë, atëherë të gjithë këtyre u tërhiqet vërejtja. Mirëpo, nëse dikush e fal namazin e teravisë vetmas, pa xhematë, namazi i tij është i vlefshëm, por nuk e ka arritur vlerën e xhematit. Nëse namazi i teravisë falet me xhematë në shtëpi, sërish namazi është i vlefshëm, por nuk e ka arritur vlerën e namazit të xhematit të xhamisë.
Për në fund po theksojmë faktin se nëse dikush ka filluar të falë me imam namazin e teravisë, ai duhet ndjekur imamin deri në fund të namazit, sepse në transmetimin e Ebu Dherrit thuhet se Pejgamberi (Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme) ka thënë: “Nëse njeriu falet me imamin derisa imami të përfundojë namazin, atij i regjistrohet sikur të jetë falur tërë natën. Pra, ky është argument i qartë kundër atyre që pretendojnë se namazi i teravisë falet tetë reqatë, andaj i falin tetë reqatë dhe largohen nga xhamia, respektivisht nga xhemati dhe atë në emër të sunnetit, siç po ndodh disa herë në xhematet tona, e realisht ata veprojnë në kundërshtim me sunnetin e Pejgamberit (Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme).

Comments are closed.