Na fal, Shqipëri: Gëzuar 28 Nëntorin!

Na fal, Shqipëri: Gëzuar 28 Nëntorin!

Në emrin tim personal dhe në emrin e institucionit që udhëheq – të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të gjithë shqiptarëve kudo që janë u drejtohem me përshëndetjen islame: Es-Selamu Alejkum Ve Rahmetullah Ve Berekatuhu, që do të thotë: Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin me ju – për t’i uruar: Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë!
Republika e Shqipërisë dhe i gjithë populli shqiptar janë të prekur thellë nga tërmeti shkatërrues që goditi tokën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, njeriut i cili më 28 Nëntor 1443 ngriti Flamurin Kombëtar në Krujën heroike. Në po këtë ditë, më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë. Këto data kaq të rëndësishme për historinë shqiptare janë stimul për të qëndruar në këmbë dhe për t’i bërë ballë sprovimit që na bën i madhi Zot.
Thuhet në Kuran: Më pas Musai zgjodhi nga populli i tij shtatëdhjetë burra, për takimin Tonë. Kur i goditi tërmeti, ai tha: “O Zoti im! Sikur të doje Ti, do t’i zhdukje ata dhe mua që më përpara. Por, a do të na shkatërroje për atë që bënë disa mendjelehtë mes nesh?! Ajo ishte veç një sprovë e urdhëruar prej Teje, për të shpënë në humbje atë që Ti do dhe për të udhëzuar atë që Ti dëshiron. Ti je Mbrojtësi ynë, andaj falna dhe mëshirona! Ti je më i miri i mëshiruesve! (El-a‘Râf: 155)

Vërtet, Allahu (xh. sh.) është më i miri i mëshiruesve! Të jeni të bindur: Shqipëria do të bëhet!

Shkup, 28 nëntor 2019

Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi,
Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Comments are closed.