Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Myftiu i Strugës në Parma të Italisë

Myftiu i Strugës në Parma të Italisë

Më 7 dhjetor, 2019, Këshilli i FAAI (Federata e Shoqatave Shqiptare në Itali) ka organizuar në qytetin e Parmës një manifestim përkrahës për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë pas tërmetit katastrofal të 26 nëntorit. Në këtë ngjarje, si përfaqësues i Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka marrë pjesë Myftiu i Strugës, Salim ef. Sulejmani.

Si përfaqësues i Reis’ul-Ulemas h. Sulejman ef. Rexhepit, të komunitetit fetar islam në Maqedoninë e Veriut, jemi besnikë të frymëzimeve fillestare të së mirës dhe të paqes. Me mirësi, me paqe, me durim, me guxim, me besim dhe me solidaritet mund t’i kapërcejmë të gjitha sfidat e jetës, pra edhe situatën e vështirë që kemi sot si komb – ka thënë ai para bashkatdhetarëve tanë atje.

Bashkësia Fetare Islame i inkurajon të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen të qëndrojnë të bashkuar, pa inate e përçarje, të qëndrojnë të pandarë dhe të gjithë të jemi të unifikuar drejt Bashkimit Evropian dhe zhvillimit demokratik të shoqërisë sonë. Këtë kemi amanet edhe nga të parët tanë. Të bashkuar jemi më të fuqishëm. Do t’i tejkalojmë të gjitha vështirësitë, por vetëm duke qëndruar njëri pranë tjetrit, Jemi popull i vogël për të qenë i ndarë. Largësia juaj nga atdheu nuk paraqet pengesë për ta shfaqur dashurinë ndaj tij, për ta shfaqur dashurinë ndaj njerëzve të një gjaku.

Dhëntë Zoti i Gjithëmadhërishëm që zemrat e thyera nga gjëma dhe pasojat që përjetuam nga tërmeti i 26 nëntorit, ku u godit perla e Shqipërisë – Durrësi, t’i kalojmë nëpërmjet veprimeve të përbashkëta, me një solidarizim të këtillë siç kemi bërë dhe po bëjmë akoma. Në fund dua të citoj ajetin kuranor ‘Suretu el Maide’: ‘Ndihmoni njëri-tjetrin me vepra të mira dhe me devotshmëri; jo për mëkate dhe armiqësi!’ Zoti ju ruajt juve dhe të gjithë miqtë e popullit shqiptar!

I falënderoj edhe udhëheqësit e kësaj faltoreje, e cila sot na mundësoi që të takohemi këtu së bashku – ka thënë Myftiu Salim ef. Sulejmani në Parma.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni