MYFTINIA E TETOVËS PREZENTON VAKËFIN E RI

Myftinia e tetoves - 6Duke qenë të vetëdijshëm se vakëfi është një ndër format më të larta të shprehjes së besimit në islam, Myftinia e Bashkësisë Fetare Islame në Tetovë, ka zhvilluar një takim me Rijasetin e BFI-së kryesuar nga Reis ul-ulema Haxhi Sylejman ef. Rexhepi dhe Sekretari gjeneral Afrim ef. Tahiri , ku morrën pjesë edhe anëtarët e vjetër dhe të ri të Kuvendit të Myftinisë.

Myftiu i Tetovës, Alifikri ef. Esati gjatë hapjes së mbledhjes theksoi se ky takim ka më tepër karater informues dhe solem për të sqaruar se ne si Myftini në bashkëpunim me Kuvendin e vjetër dhe të ri të Myftinisë së Tetovës çfarë kemi bërë për themelimin e vakëfit të ri.

Alifikri ef. Esati theksoi se vakëfi është një nga fenomenet e rëndësishme sociale dhe kulturore në botën islame dhe një nga mjetet për arritjen e progresit në shoqëritë islamike duke mundësuar luftën kundër varfërisë dhe përhapjen e diturisë.

Sipas tij, ky ka qenë qëllimi edhe i gjithë garniturës së Myftinisë së Tetovës për tu angazhuar që të ndërtojmë vakëf të ri.

“Kanë qenë dy parcela që kanë qenë të nacionalizuara nga shteti dhe ne më pas në forma të ndryshme kemi arrit që ti kthejmë në pronësi. Njëra parcelë është në afërsi të urës tek Xhamija e Larme në Tetovë, një vend që paraqet qendër e qytetit dhe parcela tjetër është në rrugën për në Drenovec, në afërsi të Shkollës së Muzikës në Tetovë. Pasi që i kemi kthyer këto parcela në pronësi të BFI-së së Maqedonisë, së bashku me Kuvendin e Myftinisë së Tetovës kemi vendos që në këto parcela të ndërtohet vakëf i ri së bashku me kooinvestitorë duke respektuar parimin e ndarjes së ndërtimit në mënyrë vertikale me çelësa në dorë. Nga çdo ndërtim ne kemi marrë 33 përqind të ndërtimit dhe i njejti sot është evidentuar si vakëf i Bashkësisë Fetare Islame – Myftinija e Tetovës.

Sot pas kaq vitesh angazhim ne mund të krenohemi se në ndërtesën afër Xhamisë së Larme ne kemi gjashtë banesa dhe një lokal afarist ndërsa në ndërtesën afër Shkollës së muzikës ne kemi 14 banesa dhe 9 lokale afariste”, theksoi Myftiu i Tetovës Alifikri ef. Esati.

Kryetari i BFI-së, Reis ul-ulema Haxhi Sylejman ef. Rexhepi, ka çmuar shumë pozitivisht angazhimin e Myftinisë së Tetovës për themelimin e vakëfit të ri dhe aq më tepër që prezenton të arrituar në lidhje me këtë çështje në këtë formë kaq shumë transparente duke cilësuar se vakëfi është një veprim i drejtë dhe gjurmëlënës, falje pa asnjë interes, humanizëm pa poshtëruar të tjerët dhe shprehje modeste e dashurisë për njerëzit dhe e besimit në Allahun xh.sh.

Ai ka nënvizuar dhe atë se kjo vepër e bukur e cila ekziston për 14 shekuj në Islam, në fillim bazohet në një hadith të Profetit të madh të Islamit, Muhamedit a.s. se “tre janë veprat më të mira që mbeten nga njeriu në këtë botë: Sadaka Xharih ( Vakëf), mirësia e të cilit i rikthehet njeriut, dituria që mbetet dhe shfrytëzohet pas tij dhe fëmija i mirë, që ndihmon të tjerët”.

” Vakëfi dhe ndihma për nevojtarët ka qenë një ndihmë e fuqishme për arritjen e progreseve të mëdha shkencore dhe ekonomike. Nga ky aspekt, Islami si feja e fundit e cila u përgjigjet plotësisht të gjitha nevojave të njerëzimit, i ka rezervuar vakëfit një pozitë shumë të lartë”, theksoi kreu i BFI-së, Reis ul Ulema Haxhi Sylejman ef. Rexhepi.

Pas takimit informues të gjithë pjesmarrësit vizituan objektet dhe prej së afërmi i panë lokalet dhe banesat që sot më janë në pronësi të BFI – Myftinija e Tetovës.

Myftinia e tetoves - 1 Myftinia e tetoves - 2 Myftinia e tetoves - 3 Myftinia e tetoves - 4 Myftinia e tetoves - 5 Myftinia e tetoves - 6 Myftinia e tetoves - 7

Comments are closed.