Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

MYFTINIA E GOSTIVARIT SHËNON LINDJEN E MUHAMMEDIT A.S., SI VAZHDIMËSI E TRADITËS RRETH DYDEKADËSHE TË JAVËS SË MUHAMMEDIT A.S. “MIRË SE ERDHE O RESULALL-LLA

“Mirë se erdhe o Resulall-llah” është manifestim tradicional që zhvillohet nga Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar për 17 vjet me radhë dhe paraqet përmbylljen e aktiviteteve të larmishme që zhvillohen nga muftinia, për çdo vit, gjatë javës tradicionale kushtuar shënimit të lindjes së të dërguarit të fundit të All-llahut xh.sh., Muhammedit a.s..
Këtë vit, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, Muftinia e Gostivarit e organizoi këtë manifestim në xhaminë e Kadrit në Gostivar, ku prezent ishte edhe kreu i BFI në RMV, Reisu’l Ulema, h. hfz. Shaqir ef. Fetahu.
Programi i moderuar nga referenti i Muftinisë së BFI Gostivar, Mallzim ef. Zendeli, filloi para namazit të xhumasë me paraqitjen e Korit të Muftinisë, të udhëhequr nga mr. Eljesa ef. Asani, drejtor i Institutit të Hifzit dhe Bukurleximit të Kur’anit “Hfz. Hasan ef. Zendeli” në Gostivar, në përbërje të Mevlan ef. Kamberi, Bujamin ef. Bajrami dhe Evzal ef. Sinani.
Pas paraqitjes së Korit, para masës u paraqit nxënësi i Institutit të Hifzit në Gostivar, Amar Fejzuli, me një poezi kushtuar më të dashurit të Zotit, Muhammedit a.s..
Në vazhdim, fjalën e mori Kryetari i BFI në RMV, h. hfz. Shaqir ef. Fetahu, i cili pasi foli për rëndësinë e madhe që përfaqëson kjo ditë dhe për dobitë që i ka sjellë botës dhe njerëzimit lindja e Muhammedit a.s., përmendi edhe nevojën e madhe, gjegjësisht domosdoshmërinë që ndjen sot bota moderne për Muhammedin a.s. dhe mësimet e tija, duke potencuar kështu disa nga deformimet dhe shthurjet që i përjeton sot njeriu bashkëkohor në mungesë të udhëzimit hyjnor profetik.
Kreu i Bashkësisë Islame gjithashtu trajtoi edhe aktualitetin e javëve të fundit, tensionin e krijuar anekënd botës, me rastin e publikimit të karikaturave fyese kundër figurës së lartë të Muhammedit a.s. dhe këshilloi besimtarët që të ruajnë qetësinë dhe të vazhdojnë të jenë promotorë të paqes duke ndjekur kështu vetë shembullin e Muhammedit a.s..
Pas Kryetarit, fjalën e mori myderrizi i xhamisë së Kadrit, Dr. Abdulxhemil ef. Nesimi, profesor në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, i cili përshëndeti të pranishmit dhe foli në pika të shkurta për rëndësinë e kësaj dite të madhe dhe detyrat që i kanë besimtarët karshi figurës së Muhammedit a.s..
Ky program, i mbuluar nga mediat lokale të Gostivarit, TV Globi dhe TV2-Gostivar, u përmbyll me lexim të një pjese të Kur’anit Famëlartë

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni