[:al]Muaji i Ramazanit dhe madhështia e Kuranit[:]

An ancient hand scripted Quran

[:al]

Na erdhi muaji i bekuar,  që është dhuratë e madhe e Allahut (xh. sh.) për ata të që e besojnë Allahun dhe të cilët me bindje dhe në mënyrë të drejtë do të agjërojnë, duke hequr dorë nga ushqimet, nga pijet dhe nga çdo gjë tjetër, që ky ibadet të kryhet në mënyrë të përsosur

Shkruan: Prof. Hyrijete Gajni-Kadri

Për muajin e Ramazanit mund të flitet nga pikëpamje të ndryshme-shpirtërore, kulturore, letrare, sociologjike etj. Kjo për arsye se dhuratat e Ramazanit janë aq të shumta,  saqë është e pamundur të përmblidhen dhe sepse ato kanë një forcë dhe një ndikim të tillë shpirtëror në jetën e myslimanëve, saqë nuk mund të matet me asnjë muaj tjetër. Thjesht, ditët e Ramazanit janë të veçanta.

Për hir të ardhjes së këtij Muaji të Bekuar e Madhështor, mysafirit më të dashur  në shtëpitë dhe zemrat e myslimanëve, është i dobishëm përkujtimi i disa vlerave dhe virtyteve që e veçojnë nga muajt tjerë. Sepse, fjala është për muajin më të ndershëm dhe për muajin e vetëm, emri i të cilit përmendet në Kuran.  Pa kurrfarë dyshimi, Ramazani është muaji më i Bekuar dhe ditët e tij janë ditët më të Bekuara e më të këndshme. Besimtarët e sinqertë ankohen për shkak të faktit se Ramazani zgjat shkurt dhe gjatë kohë nuk vjen, sepse ai vjen pas mallit të gjatë dhe në zemër le dhimbje kur përfundon. Është e çuditshme se si Zoti i Gjithëfuqishëm i shëron zemrat me ardhjen e këtij mysafiri të zgjedhur e të Bekuar. Gjatë këtij muajit, robit më të përzgjedhur të Allahut (xh. sh.) i është shpallur Libri më i Ndershëm, Kurani.

Muaji i Ramazanit, përveç që është muaji i agjërimit, ai është edhe muaji i shpalljes së Kuranit. Ekziston lidhje e posaçme ndërmjet Ramazanit dhe Kuranit. Këta dy miq  të dashur janë përmendur bashkërisht në Kuran. Kështu,  Allahu (xh. sh.) në suren EL-BEKARE 185 thotë: Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur  Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). Pra, kushdo nga ju që e dëshmon këtë muaj,  le të agjërojë!  Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër,  (le të agjërojë më vonë),  aq ditë sa nuk i ka agjëruar.  Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.  Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.”

Allahu i Madhëruar me këtë ajet e veçon muajin e Ramazanit, pasi atë e ka zgjedhur ndër muajt e tjerë për shpalljen e fjalës së Vet, të Kuranit madhështor.

Në muajin e Ramazanit i tërë Kurani ka zbritur prej librit të ruajtur mirë (Kitabul Mahfudh) në qiellin e tokës. Për këtë nderimi dhe bekimi i këtij muaji janë të lidhura për Kuranin, për Librin Fisnik të Allahut, që u është shpallur njerëzve pikërisht në Ramazan. Pra, në këtë muaj njerëzisë i është dhuruar një Dhuratë e jashtëzakonshme, Kurani Qerim, i cili është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të mirës nga e keqja.

Është e njohur se Pejgamberi (s.a.v.s.)  në mënyrë intensive ka lexuar Kuran para melaqes Xhibril pikërisht në këtë muaj të bekuar. Kuptohet,  Muhamedi (a. s.) gjithmonë kishte raport të veçantë ndaj ajeteve kuranore.

Ai lexonte, i dëgjonte të tjerët si lexojnë Kuran,  mendonte rreth porosive të Kuranit. Mirëpo, ky raport ndaj Kuranit e arrinte kulminacionin e vet pikërisht në Ramazan, sepse, pa dyshim që besimtari i cili lexon Kuran gjatë agjërimit,  ai e përtërin lidhjen e Ramazanit dhe të Kuranit. Në realitet, një besimtar i këtillë i përgjigjet thirrjes së Zotit të të gjitha botëve, i Cili në Kuran thotë (SAD: 29):

(ky është)Libër i begatshëm, ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.

MUHAMED 24:

A nuk e studiojnë me vëmendje Kuranin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet.

EN-NISA 82:

A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kuranin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjeni në të shumë kundërthënie.

Me ibadetin e agjërimit ne i shprehim falënderimin tonë Krijuesit për dhurimin e Kuranit dhe për dërgimin e Muhamedit (a. s.) për Pejgamber të fundit për njerëzimin, që është mëshirë për të gjitha botët.

Paraardhësit tanë të drejtë, gjatë muajit të bekuar të Ramazanit në rend të parë e vendosnin shoqërimin me Kuranin dhe në këtë udhëtim shpirtëror drejt porosisë hyjnore përpiqeshin që sa më mirë të përgatiten për sprovat të cilat i presin. Shtëpitë e tyre gjatë këtij muaji ishin të mbushura me dritë, kurse zemrat e tyre me gëzim dhe kënaqësi. Ata Kuranin e kanë lexuar në mënyrën më të mirë, ndaleshin dhe qanin para mrekullive të librit të Allahut, trishtoheshin kur lexonin për dënimet që përmenden në Kuran, por edhe gëzoheshin kur Kurani fliste për shpërblimet. Ata e kryenin me krenari atë që e urdhëronte Kurani, ndërsa e ndalonin atë që Kurani e ndalonte.

Transmetohet se Ibn Mes’udi (r. a.) ia kishte lexuar fillimin e sures En-nisa Pejgamberit (s.a.v.s.), derisa nuk arriti tek ajeti:

“Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!” (En-nisa, 41)

Pasi që e lexoi këtë ajet, Pejgamberi (s.a.v.s.) e ndali duke i thënë: “Mjafton kësaj here.”  Pastaj Ibn Mesudi (r. a.) e shikoi Pejgamerin (s.a.v.s.) dhe e kishte parë se si sytë e tij ishin të mbushur plot me lot. Prej kësaj qartë shihet se sa kishte dëshirë Pejgamberi (s.a.v.s.) që të dëgjonte Kuran, posaçërisht kur lexonte Ibn Mesudi (r. a.). Ekziston një thënie tjetër në të cilën përmendet se si Pejgamberi (s.a.v.s.) e kishte dëgjuar Ebu Musanë (r. a.) duke lexuar Kuran. Pastaj i kishte thënë: “A nuk po më vëren se po të përcjell se sa bukur lexon Kuran? Dije, zëri yt është sikurse i Davudit (a. s.).  Ebu Musa (r. a.) iu përgjigj: “O i dërguari i Allahut, sikur të hetoja se ti je duke më dëgjuar, do të lexoja edhe më bukur.”

Gjithashtu,  transmetohet se Omer ibnul Hatabi (r. a.) dinte që në shoqërinë e sahabëve ta luste Ebu Musanë (r. a.) që t’i përkujtonte në Zotin e gjithë botëve.

Kur arrinte Ramazani, shumë sahabë dhe dijetarë të kohës i pakësonin të gjitha aktivitetet e tjera, në mënyrë që të lexonin sa më shumë Kuran, madje kishte prej tyre që në çdo 7 ditë bënin hatme, apo në çdo 3 ditë, por edhe në çdo të dytën natë. Dijetari Zuhri kur vinte Ramazani deklaronte: “Tani duhet lexuar vetëm Kuran dhe të jepet lëmoshë.”

Shënohet se Aliu (r. a.) një natë Ramazani doli nga shtëpia, dëgjoi se si lexohet Kuran nëpër xhami dhe i pa lexuesit e ndritshëm dhe tha: “Allahu ia ndriçoftë varrin Omerit (r. a.) ashtu si i ndriçoi Ai xhamitë tona me Kuran.”

Ne duhet të marrim shembull nga gjeneratat e para të myslimanëve dhe sa më shumë të lexojmë Kuran. Është e preferuar të dëgjohet leximi i Kuranit, e për këtë rasti më i mirë është pikërisht gjatë Ramazanit, kur në shumë xhami tona lexohen mukabele.

Leximi i kujdesshëm i Kuranit është njëri prej shkaktarëve më të mirë të lumturisë dhe rehatisë. Besimtarët do të duhet ta lexojnë Kuranin duke menduar për porositë dhe mësimet e tij. Dijetarët kanë thënë se Kurani është i bekuar kur lexohet, kur veprojmë sipas tij dhe kur studiohet.

Në Ramazan besimtarët përkujtojnë fillimin e shpalljes së Kuranit, këtij libri që është ngushëllimi dhe shërimi ynë më i madh, por edhe dritë dhe prijës në jetën tonë. Për këtë shkak, gjatë ditëve të Ramazanit duhet që çdo ditë dhe me kujdes të lexohet dhe të komentohet porosia e Kuranit, ashtu siç e kanë bërë këtë gjeneratat e mëparshme të njohura për fenë dhe bamirësinë e tyre. Me një rast Pejgamberi (s.a.v.s.) kishte thënë: Lexoni Kuran,  sepse ai do të ndërmjetësojë për ju në Ditën e Gjykimit.”

Zoti ynë, na e mundëso që Kurani të jetë udhëzues dhe udhërrëfyes dhe t’u përmbahemi dispozitave të tij e të largohemi nga ndalesat që i nënvizon Ai. Amin![:]

Comments are closed.